Ndërlidhjet

Indonezi: Shtohet numri i viktimave


Pasojat e cunamit...
Pasojat e cunamit...
Presidenti i Indonezisë, Susilo Bambang Yudhoyono, vizitoi ishullin Pagai, që ishte goditur nga cunami, për t’i mbikëqyrur përpjekjet për ndihma.

Me këtë rast, ai theksoi:

“Së pari, do të takoj popullin tim që ka humbur më të dashurit. Së dyti, do të punoj për të siguruar se të gjitha operacionet emergjente të ndihmave po zhvillohen në mënyrë adekuate. Ne kemi zhvilluar edhe operacione të dërgimit të ndihmave nga ajri”, tha presidenti Yudhoyono, duke folur para gazetarëve në pjesën perëndimore të Sumatrës.

Një grup i sportistëve të ujit nga Australia dhe Zelanda e Re kishin arritur në portin Padang, në ishullin Sumatra, pasi të dyja anijet e tyre u ndeshën nga cunami.

Kjo përplasje e dy anijeve kishte shkaktuar zjarr, kështu që sportistët kishin kërcyer në ujë, derisa anijen e përfshiu flaka.

Ja se si përshkroi për agjencinë Reuters personi me emrin Awang situatën e krijuar:

“Ne u ankoruam 50 metra nga bregu dhe papritmas e pashë një valë shumë të lartë, tri deri në katër metra. Anija tjetër e goditi anijen tonë dhe shpërtheu zjarri”.

Personi tjetër i zënë në eksplodimin e anijeve, Rob Marino, nga Indonezia, u largua me karrocë. Ai tregoi se si këta njerëz e shpëtuan veten nga valët e larta.

“Ne u larguam nga anija që eksplodoi dhe pastaj ishim në ujë. Të shtyrë nga cunami, e gjetëm veten në mesin e drunjve, kështu që hipëm lart në drunj për të shpëtuar nga zhytja. Pra, ishte një situatë me shumë trauma”, u shpreh Marino.

Tërmeti e goditi këtë hapësirë më datën 25 të këtij muaji, në mbrëmje vonë. Ajo është afro 80 kilometra në perëndim të Pagait Jugor, që është njëri nga ishujt Mentawi.

Një zyrtar rajonal tha se shumica e ndërtesave në fshatin bregdetar Betu Monga janë shkatërruar. Sipas tij, 80% e shtëpive në këtë hapësirë janë dëmtuar dhe furnizimi me ujë është i dobët.

Në këndin tjetër të Indonezisë, në malin Merapi, vullkani, në një mënyrë, tregoi se nuk kishte zonë nga të shkohej për të shpëtuar.

Megjithëqë raportohet se vullkani ishte më i qetë se ditëve të mëparshme, autoritetet kanë kërkuar nga banorët që të qëndrojnë larg. Shpërthimi e ka lënë hapësirën të mbuluar me një shtresë të hirit vullkanit.

Pjesa më e madhe e njerëzve të evakuuar, që po qëndrojnë në 23 strehime, po vuajnë nga problemet me frymëmarrje dhe me lëkurë.

Punëtorja mjekësore lokale me emrin Miswaningrum tha se mjegulla vullkanike ka shkaktuar sëmundje të shumta dhe se pjesa më e madhe e të sëmurëve janë fëmijë.

“Problemet e frymëmarrjes në mesin e personave të evakuuar duket se po shtohen. Ne u thamë atyre që të përdorin maska”,
tha Miswaningrum.(f.b.)
XS
SM
MD
LG