Ndërlidhjet

Siguria pas reduktimit të KFOR-it


Paqeruajtësit e KFOR-it gjatë stërvitjeve...
Paqeruajtësit e KFOR-it gjatë stërvitjeve...
Pavarësisht vendimit të NATO-s për reduktimin e trupave të misionit të tij në Kosovë, Policia e Kosovës dhe EULEX-i nuk planifikojnë të shtojnë numrin e pjesëtarëve policorë në vend. Ekspertët për siguri thonë se duhet të rritet bashkëpunimi dhe gatishmëria e këtyre mekanizmave të sigurisë për t’u përballur me çfarëdolloj situatash që nga pranvera e vitit të ardhshëm, kur KFOR-i do të mbetet me afro 5000 trupa në Kosovë.


Policia e Kosovës dhe misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit nuk planifikojnë të rrisin numrin e pjesëtarëve policorë paralelisht me reduktimin e trupave të KFOR-it në vend.

Misioni i NATO-s pritet që deri në pranverën e vitit të ardhshëm të përgjysmojë praninë e trupave të tij në Kosovë, mirëpo në Policinë e Kosovës dhe në EULEX duket se nuk duan ta ndërlidhin këtë proces me planet për ndryshime kadrovike të këtyre mekanizmave.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për të kryer punën në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas Kelanit, nuk mund të flitet për shtimin e numrit të policëve kosovarë, por mund të pritet që deri në mars të vitit 2011, të përfundojë transferimi i kompetencave të caktuara nga KFOR-i te policia e vendit.

Ka monumente të trashëgimisë kulturore që janë në ruajtje të KFOR-it dhe pritet gradualisht t’i kalojnë Policisë së Kosovës. Po ashtu, edhe vijat kufitare. E dini që vijën kufitare me Shqipërinë e kemi - tani pritet edhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi”, thotë Kelani për Radion Evropa e Lirë.

Ditë më parë, Aleanca Veri-Atlantike mori vendim që për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë dhe forcimit të kapaciteteve të mekanizmave të tjerë të sigurisë në Kosovë, të reduktojë numrin e trupave të saj në vend.

Pjesëtarë të EULEX-it
Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, mohon që misioni evropian të ketë plane për rritjen e pjesëtarëve policorë për periudhën e ardhshme.

“Nuk ka plane në EULEX për të rritur numrin e pjesëtarëve të policisë në të ardhmen e afërt. Nëse KFOR-i dëshiron të reduktojë numrin e trupave që ka në Kosovë, mund të supozohet se kalkulimi është bërë për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë deri në atë masë, saqë nuk nevojiten aq shumë trupa në të ardhmen”, shprehet Hawton.

Mirëpo, njohësit e çështjeve të sigurisë në Prishtinë vlerësojnë se Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it duhet të rrisin gatishmërinë e tyre dhe duhet të forcojnë bashkëpunimin për t’u përballur me situata të ndryshme që mund ta kërcënojnë sigurinë në vend.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se në kohën kur në Kosovë do të mbeten rreth 5000 trupa të KFOR-it, Policia e Kosovës duhet të zgjidhë probleme të brendshme për të qenë në gjendje t’i menaxhojë disa përgjegjësi dhe situata të reja.

“Duhet të ballafaqohemi me këtë sfidë dhe në mënyrë të përshpejtuar duhet të ngremë gatishmërinë vepruese të Policisë së Kosovës, ku kemi ende mjaft probleme të sferave të ndryshme: të karakterit material, financiar, të përbërjes kadrovike të Policisë së Kosovës, të ngritjes së gatishmërisë vepruese dhe të tjera”, thotë Qehaja.

Qehaja thekson rëndësinë e operacionalizimit të plotë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai e quan të nxituar vendimin e NATO-s për reduktimin e mëtejmë të trupave të KFOR-it dhe thotë se ky proces nuk do të duhej të bëhej para vitit 2012 kur, sipas tij, FSK-ja mund të jetë tërësisht operacionale.

“Po të ishte edhe FSK-ja e përgatitur, do t’ia dilnim disi që, edhe me 5000 trupa të KFOR-it, t’i kryejmë detyrat në Kosovë”, vlerëson Qehaja, për të shtuar se sfidë e vazhdueshme për mekanizmat e sigurisë që veprojnë këtu, do të jetë veriu i Kosovës dhe problemet që ndërlidhen me këtë pjesë të vendit.

Pjesa veriore e Kosovës thuhet se do të vazhdojë të mbetet fokus i angazhimit të KFOR-it edhe pas përfundimit të fazës së ardhshme të reduktimit.

Lexoni edhe këtë: Reduktimi i KFOR-it, shenjë e stabilitetit
XS
SM
MD
LG