Ndërlidhjet

Partneriteti SHBA-Indi, vulë e shekullit


Presidenti Barack Obama gjatë konferencës për shtyp në Nju Delhi.
Presidenti Barack Obama gjatë konferencës për shtyp në Nju Delhi.
Raportet mes Indisë e Shteteve të Bashkuara do të jenë një nga ato partneritete që do të përcaktojnë shekullin 21, tha presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në Nju Delhi, pas takimit me kryeministrin e Indisë.

“Marrëdhënia jonë nuk është e zakontë. Si dy demokracitë më të mëdha në botë dhe si dy ekonomi tregu gjithmonë në rritje, të larmishme, shumetnike dhe me traditë të fortë pluralizmi dhe tolerance, jo thjesht kemi mundësinë, por kemi edhe detyrimin për të udhëhequr”, tha Obama.

Presidenti amerikan nuk ka qenë i kursyer në vlerësimet pozitive për Indinë gjatë vizitës së tij atje, që është dhe ndalesa e parë në turneun aziatik.

“Kur më pyesin se përse harxhoj kohën në Indi, kur ky vend po merr vendet tona të punës, dua të jem në gjendje t’iu përgjigjem se sapo i krijuam 50 mijë vende pune“, tha Obama.

Në Mumbai, presidenti amerikan nënshkroi marrëveshje në vlerë prej 10 miliardë dollarësh me biznesin e Indisë.

Sa i përket frontit politik, shefi i shtetit amerikan kërkoi nga India e Pakistani që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet.

"Të dyja, India e Pakistani, kanë interes në uljen e tensioneve mes tyre. Shtetet e Bashkuara nuk mund të imponojnë zgjidhje për këto probleme. Siç i thashë dhe kryeministrit Sing, ne jemi shumë të kënaqur e të gatshëm që të luajmë çfarëdo roli, për të cilin palët mendojnë se është i përshtatshëm për uljen e tensioneve", tha Obama.

Xhejms Lamont, shefi i Azisë për « Financial Times », i cili po e ndjek nga afër vizitën e Obamës, nënvizoi kujdesin e treguar nga presidenti amerikan në deklaratat publike.

“Mendoj se zoti Obama ka qenë shumë i kujdesshëm rreth asaj se çfarë tha publikisht, pasi e ka kuptuar se lehtësisht mund të mos kënaqësh askënd dhe ta gjesh veten në telashe”.

“Publikisht ai ka qenë shumë i kujdesshëm, por nuk kam dyshime se pas dyerve të mbyllura ka ngritur çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin në rajon, dobësinë e Indisë përballë militantëve në rritje në Pakistan dhe dialogun mes Nju Delhit e Islamabadit”,
tha Lamont. (i.b.)

Lexoni edhe këtë:
IHT: Eksporti, rruga jonë drejt stabilitetit
XS
SM
MD
LG