Ndërlidhjet

Xhorxh Bush boton kujtimet


Kopertina e librit “Qëllimet vendimtare”.
Kopertina e librit “Qëllimet vendimtare”.
Libri autobiografik “Qëllimet vendimtare” i ish-presidentit amerikan, Xhorxh Bush, ka dalë në libraritë në Shtetet e Bashkuara.

Libri i pasqyron tetë vjetët e jetës së tij në Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë tema prej ndërprerjes së konsumit të alkoolit, pastaj reagimin emocional të tij ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001, Irakun dhe politikën e diskutueshme për të zbatuar teknika të ashpra hetimi ndaj të dyshuarve për terrorizëm.

Në një intervistë ekskluzive që u transmetua të hënën, Bush i tha televizionit NBC se njëri nga momentet më të rënda të presidencës së tij ka ndodhur kur ylli i muzikës rep, Keni Uest, kishte shprehur kritika se reagimi letargjik i administratës ndaj uraganit Katrina, ka qenë me bazë racore.

Në pyetjen se si ndjehet pasi në Irak nuk u gjetën armë të shkatërrimit në masë dhe nëse do të kërkojë ndjesë, Bush tha:

“Mendoj se kërkimfalja në thelb do të nënkuptonte se vendimi ishte i gabuar, por unë nuk mendoj se ishte vendim i gabuar”.

Sa i përket teknikës së simulimit të mbytjes me ujë gjatë hetimeve të të dyshuarve për terrorizëm, Bush tha se qëllimi ka qenë që të shpëtohen jetët.

“Prandaj i thashë ekipit tonë: ‘A janë teknikat legale?’. Ekipi legal tha: ‘Po, janë’. Pastaj unë u thashë: ‘Përdorni’. Ju them se përdorimi i këtyre teknikave ka shpëtuar jetë”, tha ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Lidhur me deklaratën e këngëtarit Keni Uest, i cili pat thënë se “Xhorxh Bushi nuk çan kokën për zezakët”, Bush tha se ky ka qenë ndër momentet më të rënda të tij.

“Ai më quajti racist. Është diçka tjetër të thuash: ‘E dini, unë nuk e çmoj mënyrën se si e bëni këtë punë’. Kjo është diçka tjetër sesa të thuash: ‘Ky njeri është racist’. Më vjen keq, por kjo nuk është e vërtetë dhe është një nga momentet më neveritëse gjatë presidencës sime”, tha ish-presidenti Xhorxh Bush.

Ai ka shkruar se përgjigjja e qeverisë ndaj uraganit Katrina “i ka hedhur hije mandatit të dytë” të tij.

Në 500 faqet e librit “Qëllimet vendimtare”, Xhorxh Bush shkruan se fatkeqësia ekonomike, të cilën ia la në duar Barak Obamës, “ishte mënyrë e shëmtuar për ta përfunduar presidencën”.

Por, Bushi, nga ana tjetër, e lëvdon vendimin e Obamës për të rritur numrin e trupave në Afganistan.

Një keqardhje tjetër ai shpreh për skenën në Bagdad në dhjetor të 2008-ës, kur një gazetar irakian e hodhi këpucën në drejtim të presidentit.

“Njeriu e kishte krahun mjaft të gjallë. Do të dëshiroja ta kisha kapur atë gjë”, tha Xhorxh Bush.

Botuesit e librit të Bushit presin që shitja të jetë e madhe, ndërsa botimi i parë doli me tirazh prej 1.5 milion kopjesh.
XS
SM
MD
LG