Ndërlidhjet

Incidenti në Klan Kosova


Prishtinë
Prishtinë

Drejtuesit e Televizionit Klan Kosova, kanë njoftuar mbrëmë se Gani Geci, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Dardanisë “ka ndërprerë, siç thuhet, dhunshëm mbajtjen e një debati” në këtë medium dhe ka kërcënuar drejtuesin e emisionit, Baton Haxhiu.

Autori i emisionit “Zona e Debatit”, Baton Haxhiu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se incidenti është shkaktuar për faktin se zoti Geci nuk ka qenë i ftuar në debat.
Ai është ngritur dhe është kërcënuar, ka hyrë në studion ku mbahet emisioni...


“Ne ju kemi bërë ftesë katër partive politike dje dhe në zyrë, 45 minuta para emisionit, e kemi parë zotin Gani Geci që ka ardhur në bufenë e Klan Kosovës. Çuditërisht, kur kanë ardhur të gjithë mysafirët, Geci ka thënë që edhe ai do të jetë pjesë e emisionit, unë i thashë që nuk je i ftuar dhe nuk mund të jesh pjesë e misionit”.


“Ai është ngritur dhe është kërcënuar, ka hyrë në studion ku mbahet emisioni dhe e ka bllokuar derën. Ka pasur një përleshje verbale, e cila për pak nuk është shndërruar në një incident më të rëndë”,
e ka përshkruar Haxhiu.

Mirëpo, anëtari i Kryesisë së LDD-së, Gani Geci, gjatë ditës së mërkurë ka mbajtur një konferencë për gazetarë dhe ka hedhur poshtë deklaratat e zotit Haxhiu.

Geci ka thënë se, megjithatë, ka qenë i ftuar në emision.
Pse nuk kam shkuar në ndonjë televizion tjetër, veç në Klan? Se aty e kemi pasur ftesën.

“Ai neve na e ka bërë ftesën. Pse nuk kam shkuar në ndonjë televizion tjetër, veç në Klan? Se aty e kemi pasur ftesën”
, ka thënë Geci.

Ndërkaq, Haxhiu ka thënë se përleshjet dhe fyerjet verbale kanë zgjatur më shumë se 15 minuta dhe, sipas tij, Geci e ka kërcënuar atë edhe me vdekje.

“Ai ka qenë i armatosur. Mes nesh ka qenë organizatori i emisionit, i cili e ka vendosur dorën mbrapa shpinës së tij dhe e ka prekur objektin, i cili ka qenë i metaltë. Dihet se Gani Geci kurrë nuk del pa revole për arsye se ka problem të shumta. Natyrisht, ai është kërcënuar edhe me fjalët ‘të vras’ ”,
ka shpjeguar Haxhiu.

Geci ka thënë se në kohën kur ka qenë i pranishëm në hapësirat e Televizionit Klan Kosova, nuk ka qenë i armatosur, por, përndryshe, ka thënë ai, ka leje për të mbajtur armë.

“Unë e kam armën me leje dhe aty kur kam hyrë, nuk e kam pasur. Armën e kam pasur në veturë”,
është shprehur Geci.

Geci, gjithashtu ka shpjeguar se me kërkesë të Klan Kosovës, javën e kaluar në një takim të përbashkët me përfaqësuesit e pesë subjekteve politike parlamentare dhe autorin e emisionit, është dhënë një listë me temat që do të diskutohen deri në ditën e heshtjes parazgjedhore.

Sipas Gecit, Haxhiu ka thënë që tani e tutje partitë politike do t’i caktojnë vetë mysafirët që do të marrin pjesë në debate dhe se të pesë partitë parlamentare do të jenë rregullisht pjesë e debatit.

Ndërkaq, nënkryetarja e Aleancës Kosovare e Re, Mimoza Kusari Lila, e cila së bashku me tre kolegë të tjerë nga tri partitë tjera politike, ka qenë e ftuar në emision, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se zoti Geci është parë para fillimit të emisionit, duke e ofenduar, siç thotë ajo, moderatorin emisionit Baton Haxhiu.

“Para se të fillojë xhirimi, ai ka qenë në një disponim konflikuoz, në fakt duke sharë dhe duke fyer moderatorin e Klan Kosovës, Baton Haxhiun, për faktin se ishte e kontestuar ftesa për përfaqësuesin e LDD-së”,
ka deklaruar Kusari- Lila.

Edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin, por nuk i ka mohuar e as pohuar njoftimet nëse zoti Geci ka qenë i armatosur. Zyrtari për informim Brahim Sadriu ka shpjeguar:
...rasti është cilësuar si kanosje dhe sipas urdhrit të prokurorit, kjo lëndë shkon në procedurë të rregullt.


“Policia e Kosovës është paraqitur në këtë rast dhe i ka marrë të gjitha masat e nevojshme policore edhe në konsultim me prokurorin, rasti është cilësuar si kanosje dhe sipas urdhrit të prokurorit, kjo lëndë shkon në procedurë të rregullt”
.

Ndryshe, organizatat që merren me të drejtat e gazetarëve në Kosovë kanë reaguar ndaj, siç thuhet, “incidentit të shkaktuar nga ish-deputeti Gani Geci, në studiot e televizionit Klan Kosova”.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës “e dënon ashpër këtë rast dhe veprimet e tilla i konsideron si ndërhyrje dhe pengesë flagrante në punën e mediave dhe gazetarëve. Rasti bëhet edhe më i rëndë pasi që ka për protagonist një ish-deputet”.

Edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon incidentin, duke vlerësuar se, “këto veprime janë një mesazh dhe porosi e qartë se në çfarë gjendje të rëndë është vënë puna e gazetarëve, dhe një dëshmi e gjallë e degradimit të lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave”.
XS
SM
MD
LG