Ndërlidhjet

Identifikohen të dyshuarit për trafikim organesh në Kosovë


Foto ilustruese
Foto ilustruese
EULEX-i konfirmoi ekzistimin e dy aktakuzave lidhur me rrjetin ndërkombëtar të trafikimit të organeve që operon në Kosovë. Gjykata e Qarkut në Prishtinë shumë shpejt do të caktojë seancat e konfirmimit për aktakuzat drejtuar nëntë personave - shtatë prej të cilëve kosovarë - për trafikim të organeve njerëzore, krim të organizuar, ushtrim të paligjshëm të aktiviteteve mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, thanë përfaqësues të kësaj gjykate.


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit bëri të ditur se ekzistojnë dy aktakuza ndaj gjithsej nëntë personave - prej të cilëve 7 nga Kosova, për trafikim të organeve njerëzore, krim të organizuar, ushtrim të paligjshëm të aktiviteteve mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve publikuan gjatë ditës emrat e personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të trafikimit të organeve që operojnë në Kosovë, mirëpo në orët e pasdites EULEX-i njoftoi se përveç njërës aktakuzë ndaj pesë kosovarëve, një turku dhe një izraeliti, një aktakuzë tjetër është ngritur edhe ndaj dy personave të tjerë të dyshuar për veprime të paligjshme mjekësore.

Zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, shpjegoi:

“Zyra e Prokurorit special të Republikës së Kosovës ka regjistruar deri më tani dy aktakuza. Aktakuza e parë ka të bëjë me pesë persona, të cilët akuzohen për trafikim të organeve njerëzore, krim të organizuar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

“Pastaj ekziston dhe një aktakuzë tjetër, me të cilën akuzohen dy persona për ushtrim të paligjshëm të veprimeve mjekësore. Pastaj ekzistojnë dhe dy të tjerë të dyshuar lidhur me këtë rast, për të cilët është lëshuar fletarrestimi i Interpolit. Kjo do të thotë se për momentin numri të të gjithë personave të dyshuar të përfshirë në këtë, është nëntë”.

Agjencia e lajmeve AP raportoi të premten se e ka siguruar aktpadinë, në të cilën prokurori Xhonatan Ratel ka thënë se “grupi i organizuar kriminal ka trafikuar njerëz në Kosovë, me qëllim të heqjes së organeve, përfshirë veshkat, për t'i transplantuar te personat tjerë".

Pesë të dyshuarit nga Kosova, në mesin e të cilëve edhe kirurgu Lutfi Dervishi, djali i tij, Arban Dervishi, dy mjekë të tjerë, Sokol Hajdini e Driton Jilta, dhe ish-zyrtari i lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, thuhet se janë ngarkuar me pesë akuza, duke nisur nga trafikimi i njerëzve deri te ushtrimi i paligjshëm i aktiviteteve mjekësore dhe abuzimi i pozitës.

Këtyre të pestëve u shtohet dhe një turk dhe një izraelit, ndërsa aktakuza tjetër përfshin dhe dy persona të tjerë.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Rrecaj nuk deshi të flasë për aktakuzën e ngritur ndaj tij. Kjo aktakuzë është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 tetor.

Herodes tha se para konfirmimit të aktpadisë, nuk mund të jepet ndonjë koment lidhur me rastin, ndërsa theksoi se koha e nisjes së seancës së konfirmimit do të merret vesh nga vendimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

“I takon Gjykatës së Qarkut në Prishtinë ta caktojë atë. Mund të ndodhë në të ardhmen e afërt, por nuk do të jepja ndonjë afat kohor për momentin”,
deklaroi Herodes, për të shtuar se për momentin Gjykata e Qarkut do të duhet të merret me të dy aktakuzat, por jo dhe me dy të dyshuarit - njëri turk e tjetri izraelit, sepse këta të fundit vazhdojnë të jenë në arrati dhe në kërkim nga Interpoli.

Përfaqësues të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë bënë të ditur se obligimi parësor i këtij mekanizmi, duke nisur nga java e ardhshme, do të jetë caktimi i një termini për mbajtjen e seancës së konfirmimit lidhur me aktakuzën kundër pesë të pandehurve për trafikim të organeve njerëzore, krim të organizuar, ushtrim të paligjshëm të aktiviteteve mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndonëse nuk jep hollësi lidhur me natyrën e lëndës dhe kohën kur mund të mbahet seanca e konfirmimit, kryetari i Gjykatës së Qarkut, Isak Ademi, tha për Radion Evropa e Lirë se në krye të agjendës së punës së gjykatësve të këtij institucioni, do të jetë caktimi i seancës së konfirmimit.

“Ne do t’i marrim të gjitha veprimet për faktin se lënda është e natyrës së tillë dhe do të merret në punë menjëherë. Natyra e lëndës na imponon që ajo të caktohet prioritet për vendosje”
, u shpreh Ademi.

Trafikimi i organeve në nivel ndërkombëtar ka të bëjë me klinikën “MEDICUS” në vitin 2008, në Prishtinë. Në nëntor të po këtij viti, rastin e patën iniciuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe ata të UNMIK-ut, ndërsa Policia Ekzekutive e EULEX-it i ka vazhduar hetimet nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Pas mbajtjes së seancës së konfirmimit, thuhet se mund të nisë shqyrtimi i rastit.
XS
SM
MD
LG