Ndërlidhjet

Koreja Jugore e forcon mbrojtjen


Shtëpitë e shkatërruara në ishullin Yeonpyeong
Shtëpitë e shkatërruara në ishullin Yeonpyeong
Presidenti i Koresë Jugore ka premtuar forcimin e mbrojtjes së këtij vendi, pas sulmit të kësaj jave të Koresë Jugore, që udhëhiqet nga komunistët.


Koreja Jugore ka premtuar se në mënyrë masive do ta forcojë mbrojtjen në një ishull, i cili ishte sulmuar nga një sulm vdekjeprurës nga Koreja Veriore komuniste, derisa tensionet ndërmjet dy fqinjëve po kërcënojnë ta arrijnë pikën shkatërruese.

Ky premtim i presidentit Lee Myung-bak, u bë pasi Pheniani e kishte parashikuar mundësinë e sulmeve të mëtejshme, si përgjigje të asaj, që e ka përshkruar si “provokime të papërgjegjshme ushtarake”.

Nga bombardimi i Koresë Veriore në ishullin e vogël të Koresë Jugore më 23 të këtij muaji, u vranë katër vetë, dy ushtarë dhe dy civilë, ndërsa u plagosën 18 persona.

Duke folur në një mbledhje të Qeverisë, pas sulmit, presidenti i Koresë Jugore, Lee, tha se Seuli duhet të jetë i gatshëm për një sulm tjetër nga Koreja Veriore.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për një tjetër sulm të mundshëm nga Koreja Veriore”, tha presidenti Lee, dhe shtoi se: “mendoj se provokim i ngjashëm nga Koreja Veriore mund të bëhet në çdo kohë”.

Këto komente u bënë pasi zyra e tij, e kritikuar nga mediat për përgjigje të dobët ndaj sulmit të së martës, e ka publikuar një deklaratë ku thotë se “rregullat ekzistuese të angazhimit, që janë parë se janë pasive, do të ndryshohen tërësisht”, në mënyrë që “të ketë një model tjetër në përgjigje ndaj provokimeve të Koresë Veriore”.

Dëmet nga sulmi i Koresë Veriore ndaj Koresë Jugore

Në deklaratë thuhet se ushtria do t’i forcojë rregullat, e veçanërisht në ishujt kufitarë dhe do t’i definojë nivelet e ndryshme të kundërsulmit, “varësisht se a janë sulmet kundër civilëve apo ushtrisë”.

Sulmi me raketa në ishullin Yeonpyeong, që është seli e bazave ushtarake dhe e komunitetit të peshkatarëve prej 1300 njerëzve, ka shkaktuar krizën më të madhe për disa dekada të fundit në gadishullin korean dhe ka nxitur Shtetet e Bashkuara për t’i bërë presion Kinës, që të ndikojë në fqinjin dhe aleatin e supozuar, Korenë Veriore.

Pheniani tha se e ka ndërmarrë sulmin si përgjigje ndaj ushtrimit ushtarak të Koresë Jugore, i cili po mbahej në ishull.

Ministri i Jashtëm kinez, Yang Jiechi, e ka shtyrë vizitën e paraparë për në Seul.

Në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së jashtme, Hong Lei, tha se vizita e ministrit Jiechi është në pritje dhe tha se nga Koreja Jugore është kërkuar ta caktojë një datë tjetër për këtë vizitë.

Zëdhënësi Hong, duket se me simpati i shikonte ankesat e Koresë Veriore ndaj manovrave ushtarake të Koresë Jugore.

Ne shpresojmë se palët përkatëse do të bëjnë më tepër përpjekje për sjelljen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku me palët përkatëse në këto përpjekje. Sa u përket ushtrimeve ushtarake Shtetet e Bashkuara – Koreja Jugore, ne kemi theksuar raportet përkatëse dhe kemi shprehur shqetësimet tona”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Hong Lei.

Sipas tij, Kina dhe Shtetet e Bashkuara ishin në konsultime të ngushta lidhur me krizën.

“Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë biseduar për së afërmi me njëri-tjetrin lidhur me situatën në gadishullin korean”, theksoi Hong Lei.

Në ishullin Yeonpyeong, ku shumë shtëpi janë shndërruar në gërmadha nga sulmi i së martës, autoritetet po përpiqen t’i evakuojnë pak banorë të mbetur, pasi shumica e banorëve të këtij ishulli janë larguar, pas sulmit.

Banori lokal, Byun Jae-Soon, kështu e ka përshkruar sulmin:

“Me të vërtetë ishte e papërshkrueshme. Këtë lloj të zjarrit nuk e kam parë në të kaluarën
”.(f.b.)
XS
SM
MD
LG