Ndërlidhjet

Dimiq: Lista e parë multietnike në Kosovë


fotografi ilustruese
fotografi ilustruese

“Ne jemi përcaktuar për një jetë së bashku në Kosovë”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Radomir Dimiq, kryetar i Iniciativës “Krahu i popullit”.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dimiq keni themeluar Iniciativën tuaj "Krahu i Popullit". Në listën tuaj të kandidatëve për deputetë ka shqiptarë e serbë. Çka saktësisht u ofron votuesve iniciativa juaj?

RADOMIR DIMIQ

Së pari kam kënaqësinë të cek që në listën tonë multietnike kemi edhe serbë edhe shqiptarë dhe kjo është lista e parë multietnike. Por, çka do të ofrojë kjo listë, çka do të ofrojë kjo iniciativë qytetare?

Kjo nuk është vetëm iniciativë qytetare, por është me të vërtetë iniciativë e popullit, se kemi një përkrahje shumë të madhe dhe një respekt shumë të madh nga qytetarët e Kosovës. Do të ofrojmë një jetë multietnike, një jetë së bashku, që t’i formojmë vlerat e reja multietnike evropiane. Ne do të kemi një rol tjetër në krahasim me rolin e deritashëm. Ne jemi përcaktuar për një jetë së bashku në Kosovë, por edhe me përgjegjësi ta ndërtojmë Kosovën e re me vlera të reja.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se janë të thella ndasitë etnike në Kosovë?

RADOMIR DIMIQ

Po sot, në këto momente ndasitë ndëretnike, tensionet ndëretnike është e vërtetë që kanë rënë. E kemi mbajtur pulsin e demokracisë së Kosovës.

Në qoftë se themi se na kanë përkrahur më shumë se 1300 qytetarë të Kosovës dhe më shumë se 80 për qind janë shqiptarë, atëherë dua atë them që është fakt që kjo ndasi ka rënë dhe është krijuar një ambient shumë më i volitshëm se mund të flasim lirshëm për problemet e qytetarëve, për gjërat që nuk janë të mira në Kosovë, për afekte, për defekte. Pra, janë shumë gjëra, për të cilat ne, komuniteti serb, nuk kemi mundur të marrim pjesë në zgjidhjen e problemeve.

Ka shumë hapësirë që të ndërtohen marrëdhënie të reja; po pritet edhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në këtë dialog se me të vërtetë jemi përcaktuar t’i zgjidhim problemet jetësore të serbëve dhe shqiptarëve dhe të mos bëjmë ndasi ndëretnike mes qytetarëve të Kosovës. Nuk është mirë t’i ndajmë qytetarët e Kosovës në qytetarë kosovarë, shqiptarë dhe qytetarë kosovarë serbë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si pjesëtar i komunitetit serb, sa jeni të kënaqur me atë që kanë autoritetet në pushtet?

RADOMIR DIMIQ

Unë mund të them për një pjesë të Qeverisë - për shembull, kur është fjala përfaqësuesit e komunitetit serb, të cilët janë pjesë e Qeverisë - unë nuk jam i kënaqur, sepse nuk është mirë të jesh me kokë në Beograd dhe me xhepa në Kosovë.

Unë në këtë moment po e shfrytëzoj rastin t’u them qytetarëve serbë ose komunitetit serb që jeton në Kosovë, të mos presin shumë prej Beogradit – shikimi i tyre nga Beogradi vërtet nuk u duhet asgjë më, sepse Beogradi nuk është i interesuar për zgjidhjen e problemeve të komunitetit serb në Kosovë.

Pra, vetëm një është e mundur, inkuadrimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës, në institucionet e Kosovës multietnike. Duhet të hiqen komplekset dhe të dalin prej izolimit, i cili shumë herë ka ardhur prej Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët Beogradin... Si e shihni rolin e Beogradit në trajtimin e pakicës serbe në Kosovë?

RADOMIR DIMIQ

Unë shumë herë e kam thënë dhe po e përsëris, se vetëm serbët e Kosovës mund ta marrin fatin në duart e veta dhe e kanë për obligim të mendojnë për jetën e vet, që të jetojnë së bashku me qytetarët e Kosovës.

Beogradi mund të ketë një rol të volitshëm, por në formë të atmosferës së relaksimit të raporteve serbo-shqiptare. Është një moment ndoshta edhe historik t’i kalojmë dallimet që i kemi mes serbëve dhe shqiptarëve.

Beogradi, nëse ka dëshirë të integrohet në institucionet e politikës dhe të bëhet anëtare e Bashkësisë Evropiane, atëherë patjetër duhet ta ndërrojë politikën ndaj Kosovës. Jo të çojë politikën prapa – ecja e politikës prapa nuk mund të sjellë asgjë të mirë, as për qytetarët e Kosovës, as për ata të Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Komunitetit serb në Kosovë, në raport jo vetëm me zgjedhjet e 12 dhjetorit është i ndarë më dysh. Skena e kundërshtimeve më të fuqishme është në veri. Çfarë porosie do të kishit ju për banorët serbë të asaj pjese?

RADOMIR DIMIQ

Kurrë në jetë nuk i kam pranuar dallimet dhe ndasitë ndërmjet qytetarëve, po ashtu edhe kur është fjala për veriun e Kosovës. Mendoj se në Kosovë e kemi një bastion të qytetarëve serbë, të cilët i kanë liderët nga ana e partive ekstreme, nga ana e partive që nuk ia dëshirojnë të mirën qytetarëve – komunitetit të serbëve.

Vetëm një është e mundur, ndërrimi politikës nga Beogradi. Në qoftë se Beogradi e zbut politikën, atëherë edhe qytetarët e veriut mund të arrijnë një besim më të madh ndaj pushtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj. Është koha që fundit që edhe qytetarët e veriut të Kosovës ta pranojnë realitetin e ri të Kosovës, e, po ashtu, edhe të marrin pjesë në shtet-ndërtimin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, megjithatë, përfaqësoni një politikë jo shumë të përqafuar në mesin e serbëve. Motoja juaj për këto zgjedhje është “Ta pranojmë Kosovën si shtetin tonë”. Si e kanë pritur një politikë të këtillë rrethi ku jetoni dhe punoni?

RADOMIR DIMIQ

Ekstremistët nga radhët serbe nuk e kanë pranuar mirë këtë, po them, gjest tonin. Por, ky është realiteti. Ne jemi duke jetuar së bashku me shekuj, ne që jemi përcaktuar të jetojmë në Kosovë, nuk mund të t’i kemi dy rrugë, t’i kemi dy binarë në Kosovë - komuniteti serb të shkojë një rrugë tjetër, për shembull, nga Evropa, e qytetarët shqiptarë në tjetër rrugë.

Jo. Ne e kemi vetëm një rrugë dhe vetëm me vlerat, me angazhimin dhe me energjinë e përbashkët mund t’i tejkalojmë ato që kanë ndodhur nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe na kanë lënë pasoja të mëdha negative, sepse besoj se brezat e rinj të Kosovës do t’i tejkalojnë këto që kemi bërë ne - ndoshta, gabime të mëdha.
XS
SM
MD
LG