Ndërlidhjet

Rritet numri i të infektuarve me HIV


Dita Botërore e SIDA-s
Dita Botërore e SIDA-s

Dita botërore e luftës kundër virusit vdekjeprurës HIV, që shkakton sëmundjen SIDA, e gjen Kosovën me 80 raste të raportuara që nga evidencimi i pacientit të parë me këtë virus në vitin 1986.

Zyrtarët e institucioneve qeveritare, përgjegjëse për shëndetësinë në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e Fondit Global vlerësojnë se Kosova mbetet ende vendi me prevalencën më të ulët në rajon e më gjerë, sa u përket rasteve të infektimit me virusin HIV.

Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, thotë se rreth 30 për qind e rasteve të infektuara me HIV, të cilat janë shënuar në Kosovë, kanë përfunduar fatalisht.
Nuk ka ndonjë rritje alarmante. Megjithëkëtë, kjo nuk do të thotë se Kosova është vend i sigurt.

“Deri më tash, në Kosovë janë raportuar 80 raste me HIV/AIDS, prej të cilave 27 kanë përfunduar me vdekje. Gjatë vitit të kaluar janë raportuar 6 raste të reja me HIV/AIDS, 5 prej të cilave kanë qenë të gjinisë mashkullore dhe një ka qenë femër”.

“Në bazë të trendit të rasteve të shënuara për çdo vit, llogaritet që Kosova, brenda vitit, ka 3 deri në 6 raste. Nuk ka ndonjë rritje alarmante. Megjithëkëtë, kjo nuk do të thotë se Kosova është vend i sigurt, sepse nga HIV-i, faktikisht, nuk është i sigurt asnjë vend në botë, e as Kosova në këtë mes”,
shprehet Hoti.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka bërë të ditur se gjatë këtij viti janë regjistruar pesë raste me virusin HIV në Kosovë. Kjo e fundit, tash e një vit, ka miratuar planin strategjik për luftimin e HIV/AIDS-it.

Sipas Faik Hotit, plani synon t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë ekzistuese për ta mbajtur në nivel të ulët infeksionin me virusin vdekjeprurës.

Edhe Fondi Global, përmes një projekti, mbështet luftën kundër virusit HIV. Edona Deva, menaxhere e projektit, thotë se synohet parandalimi i infektimit të kategorive, sipas saj, më të rrezikuara të popullatës.

Në këtë grupim, sipas Devës, përfshihen përdoruesit e drogave injektuese, homoseksualët, punëtoret e seksit komercial, të burgosurit dhe të rinjtë e ekspozuar.
Rritja e prevalencës së Hepatitit B dhe C dëshmon se ekziston rreziku edhe për infeksion me HIV.

“Personat e testuar në këto grupacione, e kanë tejkaluar numrin 2,500 dhe deri më tani nuk janë gjetur raste të HIV-it në mesin e tyre, përderisa raste të Hepatitit B dhe C në mesin e përdoruesve të drogave janë zbuluar”.

“Është evidente që rritja e prevalencës së Hepatitit B dhe C në mesin e këtyre grupeve, dëshmon se ekziston rreziku edhe për infeksion me HIV”,
thotë Deva.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, shpreh bindjen se ky institucion i ka kushtuar vëmendje sigurimit të terapisë për personat që janë prekur nga virusi HIV.

“Terapia që e ka siguruar ministria për këta pacientë ka qenë ‘combiviri’ dhe ‘efavirenza’. Sigurimi i saj është bërë me ndihmën e Fondit Global, si dhe me ndihmën e Qeverisë së Holandës dhe agjencive të OKB-së , të cilat veprojnë në Kosovë”.

Trupi i një viktime të AIDS-it
“Sa u përket hapave të tjerë, janë hapur edhe disa qendra të testimit vullnetar për HIV/AIDS. Një numër solid i OJQ-ve ka qenë i kyçur që të ndihmojë në programet parandaluese, në luftën kundër HIV/AIDS-it. Në këtë aspekt, në këtë luftë kanë kontribuar edhe mediat”,
thekson Hoti.

Por, sipas Edona Devës, duke pasur parasysh specifikat e infeksionit me HIV, nuk mund të thuhet me siguri nëse ka ndonjë stagnim të përhapjes së infeksionit që shkakton sëmundjen vdekjeprurëse.

“Rastet me HIV janë duke u zbuluar. Në sistemin publik kemi raste të reja, të cilat janë zbuluar në Qendrën për këshillimin dhe testimin vullnetar, që ekziston në kuadër të Klinikës Infektive, e që në fakt vijnë nga popullata e përgjithshme”.

“Do të thotë, ne jemi fokusuar, me anë të projektit të Fondit Global, në popullatën, e cila është më e rrezikuar”,
thekson Deva.

Sipas saj, ka edhe raste që e dinë se janë të infektuara me virusin HIV, por që hezitojnë të lajmërohen për trajtim mjekësor.
XS
SM
MD
LG