Ndërlidhjet

SHBA: KQZ-ja t'i adresojë parregullsitë


Shtetet e Bashkuara kanë uruar popullin e Kosovës për zhvillimin e zgjedhjeve të para pas shpalljes së pavarësisë.

"Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë, përfshirë ata amerikanë, ishin të pranishëm në qendrat e votimit në gjithë Kosovën. Ata panë një proces që, në shkallë të madhe, u vlerësua efikas. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje KQZ-së që t'i adresojë ato pak parregullsi serioze, që u vunë re".

"Ne përshëndesim autoritetet zgjedhore të Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, nën kufizime të mëdha kohore",
tha Mark Toner, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

"Kosova tani përballet me provën e numërimit të votave. Institucionet e Kosovës duhet të demostrojnë para publikut se janë të përgatitura të mbrojnë integritetin e votës".

"Ne u bëjmë thirrje autoriteteve kosovare t'i marrin hapat e kërkuar për të zgjidhur çështjen e parregullsive, ankesat dhe parashtresat në mënyrë të ndershme. Autoritetet duhet të garantojnë që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë t'i pasqyrojnë ndershmërisht votuesit",
tha Toner.

Ai shprehu keqardhjen për atmosferën e dhunës dhe kërcënimeve nga burime serbe, drejtuar për javë të tëra kundër serbëve të Kosovës në veri.


Ambasada amerikane: Proces efikas, me përjashtime serioze

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë përgëzon popullin e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të para të përgjithshme pas shpalljes së pavarësisë.

Në komunikatën e lëshuar nga kjo ambasadë thuhet se “zgjedhjet ishin shprehje e demokracisë dhe ne ishim të ngazëlluar që pamë aq shumë kosovarë që treguan përkushtimin e tyre me daljen në votime anekënd vendit”.

"Kosova tash ka përpara saj një test, gjersa numërohen votat. Institucionet e Kosovës duhet t’i tregojnë opinionit publik se ato janë të gatshme për të mbrojtur integritetin e së drejtës për të votuar", thuhet në komunikatë.

"Vëzhguesit amerikanë ishin të pranishëm nëpër qendra të votimit kudo nëpër Kosovë më 12 dhjetor dhe ata vëzhguan një proces, që me disa përjashtime serioze, ishte kryesisht efikas".

Ambasadori Dell vëzhgoi zgjedhjet në 17 vendvotime në 12 qendra votimi, në komunat e Gllogocit, Gjakovës, Deçanit, Pejës, Klinës dhe Skenderajt.

"Ambasadori po ashtu vëzhgoi numërimin e votave në shkollën e mesme “Hamëz Jashari” në Skenderaj (vendvotimi 2101x/02R). Aty pati parregullsi gjatë numërimit, të cilin ambasadori e vëzhgoi, e kundërshtoi dhe e raportoi", vijon komunikata.

"Fletëvotimet në kuti tejkalonin numrin e të nënshkruarve në regjistrin e votuesve. Ne kemi kuptuar se ka pasur edhe raste tjera të parregullsive që kanë ndodhur në Skenderaj dhe në Gllogoc".

"Ne nxisim të gjithë vëzhguesit që kanë qenë dëshmitarë të parregullsive më 12 dhjetor t'i shfrytëzojnë mekanizmat ligjorë, që mbrojnë integritetin e zgjedhjeve në Kosovë dhe integritetin e demokracisë së Kosovës. Ekzistojnë procedura dhe afate kohore të qarta, të cekura në Ligjin për zgjedhje në Kosovë, që sigurojnë rishikim transparent të rezultateve të kontestuara të zgjedhjeve", thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-ve.

Vëzhgimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm dhe opinioni publik do të kthehet kah vëzhguesit që ishin të pranishëm më 12 dhjetor, për të dhënë mendimet e tyre të sinqerta te Komisioni Qendror Zgjedhor dhe te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

"Ne besojmë që këto institucione do t'i ndërmarrin veprimet e duhura për të siguruar që zgjedhjet e Kosovës do të mbrojnë qëllimin e votuesve", përfundon komunikata e lëshuar nga ambasada amerikane në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG