Ndërlidhjet

SHBA-të humbën gjigantin e politikës së jashtme


Riçard Hollbruk
Riçard Hollbruk
Riçard Hollbruk, ai që njihej nga kolegët si buldozer i diplomacisë, ndërroi mbrëmë jetë në një spital të Uashingtonit.

Nga e premtja e kaluar, Hollbruku, i cili së fundi ishte i dërguari i posaçëm i SHBA-ve në Afganistan e Pakistan, ishte në gjendje kritike në spital.

Diplomati që mundësoi Marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995 u cilësua si “gjiganti i vërtetë i diplomacisë amerikane” nga presidenti Obama.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk harroi të theksonte se, falë përpjekjeve të Hollbrukut, janë shpëtuar miliona jetë njerëzish në pjesë të trazuara të botës, gjatë gjysmë-shekullit të fundit.

“Si çdokush që ka punuar me të apo ka pasur disavantazhin e qartë që të ishte në anën e kundërt të tavolinës gjatë negociatave, e di mirë se ai është i palodhur... nuk ndalon kurrë, nuk heq dorë kurrë”.

“Ai gjithmonë ka besuar se po mbetëm të fokusuar, nëse veprojmë sipas interesave të përbashkëta, përparimi është i mundur... Luftërave mund t’iu vijë fundi dhe paqja mund të ndërtohet”,
tha Obama, vetëm pak minuta para njoftimit për vdekjen e Hollbrukut.

Nuk kanë munguar vlerësimet edhe nga shefja e diplomacisë amerikane, Hillari Klinton. Për zonjën Klinton, Hollbruku ishte “më i përkushtuari në mesin e shërbyesve publikë”.

Nga viti 2009, puna e Hollbrukut ishte e fokusuar në Afganistan e Pakistan. Udhëheqësit e të dyja vendeve shprehën keqardhjen e tyre.

Presidenti i Pakistanit, Asif Al Zardari, tha se ka humbur një mik, por mënyra më e mirë për ta nderuar është “t’i këpusim rrënjët e ekstremizmit dhe të punojmë për paqen”.

Zëdhënësi i presidentit afgan, Hamid Karzai, përmes valëve të Radios Evropa e Lirë ngushëlloi diplomacinë amerikane.

“Jemi thellësisht të trishtuar nga vdekja e Riçard Hollbrukut, të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve në Afganistan e Pakistan. Vdekja e tij është humbje e madhe. Përmes radios suaj, i shprehim ngushëllimet tona popullit dhe Qeverisë amerikane”, tha Ahmad Zia Siamak, nga presidenca afgane.

Por, padyshim, Hollbruku do të kujtohet para së gjithash për arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnjë.

Shefi i diplomacisë britanike, Uilliam Hejg, theksoi se Hollbruku drejtoi procesin deri në Marrëveshjen e Dejtonit, duke i dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Ai shtoi se parimet e përdorura nga Hollbruku në Bosnjë, duhen shfrytëzuar si model.

Të njëjtin mendim ndan dhe Valentin Inzko, i dërguari ndërkombëtar në Bosnjë.

“Së pari, Dejtoni i dha fund luftës, që ishte e pamenduar në vitin 1995. Dejtoni solli paqen, të cilën e kemi pasur për 15 vjet. Nuk duhet të nënvlerësohet. Dejtoni ruajti integritetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe kufijtë e Bosnjës. Për të gjitha këto, meritat i shkojnë edhe Riçard Hollbrukut”, tha diplomati austriak, Inzko.

Një tjetër diplomat dhe bashkëpunëtor me Hollbrukun në Ballkan e më gjerë, aktualisht ministër i Jashtëm i Suedisë, Karl Bild, kujton:

“Riçard Hollbruku ishte gjigant në mesin e diplomatëve të kohës sonë. Padyshim, ishte ndër më të shkëlqyerit e më të mençurit. Ai ishte luftëtari më i paepur për të gjitha kauzat në të cilat besonte dhe për interesat e vendit të tij”.

“Ai ishte një mik i Evropës, por me sens kritik, dhe një mik personal. Mendoj se bota do të jetë një vend më i vogël pa të”,
tha Bild.

Të gjithë ata që kanë punuar me Hollbrukun e kujtojnë karakterin e fortë dhe mostërheqjen deri në arritjen e qëllimit.

Nëse Riçardi ju telefonon për t’ju kërkuar diçka, më mirë i thoni po. Nëse thoni jo, do të ktheheni sërish të pranoni, vetëm se rruga do të jetë shumë e dhimbshme”, kujton Henri Kisinxher, ish-shef i diplomacisë amerikane.

E më së miri përshkrimin e Kisinxherit e ilustron dhe ultimatumi final që Hollbruku i transmetoi Millosheviqit, pas refuzimit serb për marrëveshje në Rambuje e Paris, vetëm pak ditë përpara fushatës së bombardimeve të NATO-s. (i.b.)


Këtu mund të lexoni deklaratat e zotit Hollbruk gjatë vizitës së fundit që i bëri Kosovës, në shtator të vitit 2008, si dhe fjalimin para ligjvënësve kosovarë.
XS
SM
MD
LG