Ndërlidhjet

Haxhinasto: Marti abuzon me prestigjin e Këshillit të Evropës


Edmond Haxhinasto
Edmond Haxhinasto

"Raporti i Dik Martit është i pabazuar në fakte, prova apo realitet", thotë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, cili është komenti juaj mbi akuzat e bëra publike nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti, mbi të cilat u bazua dhe draft-rezoluta e miratuar nga Komisioni i Ligjeve i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës?

EDMOND HAXHINASTO

Jam në dijeni të këtij raporti. Vlerësoj se ky raport është i pabazuar në fakte, prova apo realitet dhe, ajo çfarë është më problematikja, nuk ka pasqyruar me vërtetësi atë që ka ndodhur, qoftë në procesin hetimor, qoftë edhe atë çfarë ka qenë realiteti i zhvillimeve për çështjet që trajton raporti.

Unë shpreh keqardhjen time që një person i tillë si zoti Marti të mbajë qëndrime të tilla, politikisht të motivuara, dhe të shfrytëzojë një platformë të respektuar, siç është ajo e Këshillit të Evropës - një institucion që qëndron si ruajtës, si gardian i parimeve të etikës dhe realizmit - për të paraqitur akuza të tilla që, siç e thashë, janë krejtësisht të pabazuara dhe nuk pasqyrojnë realitetin.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto akuza vijnë në një kohë kur Kosova është përfshirë nga zgjedhjet, që ende pritet të certifikohen. A mendoni se zoti Marti e ka zgjedhur jo paqëllim këtë moment për të publikuar raportin e tij?

EDMOND HAXHINASTO
Unë nuk dua të komentoj lidhje të tilla, por ekziston një fakt që zoti Marti, në qëndrimet e tij publike, është shprehur krejtësisht kundër zhvillimeve politike të pavarësimit të Kosovës dhe ka pasur një qëndrim aspak miqësor ndaj shqiptarëve kudo që jetojnë në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se është rasti që Kuvendi i Shqipërisë të reagojë nëpërmjet një rezolute ndaj këtij raporti, duke qenë se zoti Marti implikon edhe Shqipërinë në atë që e cilëson trafik organesh?

EDMOND HAXHINASTO
Sigurisht që ky është një rast shumë i rëndë, i cili, siç e thashë, ka tejkaluar parimet dhe etikën normale, për sa u takon çështjeve që trajtohen në raport dhe përfshirjes së qyteteve të caktuara. Mendoj se institucionet e Republikës së Shqipërisë janë duke reaguar. Ka reaguar presidenti, kryeministri, kryetarja e Parlamenti, ministri i Punëve të Jashtme...

Mendoj se edhe institucionet e drejtësisë duhet ta thonë fjalën, për të treguar avërtësinë e pretendimeve që janë paraqitur në këtë raport.

Sigurisht që angazhimi, deklarimi, qëndrimi i të gjitha institucioneve të Shqipërisë do të realizohet edhe më tej, për të treguar atë që ky raport, e përsëris, është i pafaktuar dhe nuk paraqet aspak realitetin, qoftë në aspektin e mënyrës së realizimit të tij, qoftë në pretendimet e tij për bashkëpunimin me drejtësinë shqiptare për shembull, apo dhe me faktet e tjera të paraqitura në raport.

RADIO EVROPA E LIRË
A janë gati autoritetet shqiptare për hetime të reja, në rast se një gjë e tillë do të kërkohet?

EDMOND HAXHINASTO
Institucionet shqiptare kanë qenë gjithmonë të përgatitura dhe e vërteta është se ato i kanë ofruar edhe zotit Marti personalisht bashkëpunimin e tyre për t’i realizuar hetimet e nevojshme. Këto hetime janë realizuar.

Hetime janë realizuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi dhe konkluzioni i tyre ka qenë se pretendimet si këto, të këtij raporti, janë krejtësisht të pabazuara dhe të pavërteta.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fjalë të fundit, çfarë përbën për ju raporti Marti?

EDMOND HAXHINASTO
Përbën një rast kur abuzohet në mënyrë flagrante me prestigjin, reputacionin, përgjegjshmërinë e një institucioni siç është Këshilli i Evropës, ku persona të motivuar thellësisht politikisht mbajnë qëndrime të papërgjegjshme, që implikojnë jo vetëm persona, por edhe shtete, në çështje që nuk kanë asnjë bazë faktike.
XS
SM
MD
LG