Ndërlidhjet

Klosi: Akuza absurde të Martit dhe Del Pontes


Shtëpia ku pretendohet të jetë kryer transplantim organesh
Shtëpia ku pretendohet të jetë kryer transplantim organesh

Nëse serbët u treguan të ashpër dhe kriminelë me popullsinë, tash përpiqen të tregojnë se edhe gjoja shqiptarët kanë pasur gjëra të tilla, dhe meqë afrohen bisedimet, t’i vënë dy shtetet në një nivel, thotë për Radion Evropa e Lirë, Fatos Klosi, ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), në Shqipëri.



RADIO EVROPA E LIRË
Në një raport të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, thuhet se gjatë luftës në Kosovë, Shqipëria ka shërbyer si vend për trafikun e organeve njerëzore. Organet që u merreshin të burgosurve serbë që mbaheshin rob në veri të Shqipërisë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ju, gjatë kësaj periudhe, drejtonit Shërbimin Informativ Kombëtar. A gjeni diçka të vërtetë në këto akuza?

FATOS KLOSI

Për mua s’janë akuza. Normalisht, akuzat duhet të mbështeten në ndonjë argument, më duken më shumë muhabete që bëhen. Për mua është absurde akuza, qoftë për trafikun e drogës për atë periudhë, qoftë edhe për trafikun organeve.

Më duket e pamundur, po e them që është akuzë e nisur nga zeroja, meqenëse kam parasysh të gjitha vështirësitë teknike që kërkohen për ta zgjidhur atë problem. Të sillje robër serbë të gjallë në Shqipëri në atë kohë, ishte praktikisht e pamundur. Kufiri serb ishte i blinduar, kufiri midis Kosovës e Shqipërisë kontrollohej nga ushtria serbe.

Ishte një territor 10 kilometërsh nga ishin larguar edhe vetë banorët dhe ishte i minuar i tëri. Unë e di që ai transport armatimi që është bërë në atë kufi për nevojat e luftës, është bërë me çmimin e gjaku, domethënë janë vrarë njerëz dhe ata kalonin midis mijëra vështirësive dhe ishte e pamundur të sillnin robër serbë nëpër atë kufi - kjo është e para.

Dhe, e dyta, edhe për drogën që akuzohet, unë e them me përgjegjësi që ndalimi i trafikut të drogës dhe mosfinancimi i luftës nga droga ishte një nga kushtet e marrëveshjeve që kanë bërë ata me perëndimorët. Kjo ka qenë e kontrolluar, madje hap pas hapi, kështu që dalin tani dy zviceranë - unë habitem, sepse do të dilnin serbë po të ishin gjëra të vërteta, ata e kanë ndjerë në kurriz, ata ishin shumë më afër, ishin në terren, prej atje edhe do të kishin informacione.

Qoftë Karla del Ponte, qoftë ky zotëria tjetër, le të na thonë nga ç’burim i kanë informacionet - nga perëndimorët nuk janë, absolutisht. Për këtë unë jam i sigurt dhe vë dorën në zjarr. Le ta thonë një fakt, që pastaj ne t’u përgjigjemi. Unë e quaj të panevojshme që të jap argumente të tjera jo s’ka qenë e mundur për këtë ose për atë. Është absurde vërtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh situatën asokohe, mendoni se Shërbimi Informativ Kombëtar kishte nën administrim gjithë territorin për ta mbuluar me informacion?

FATOS KLOSI
Sigurisht që kishim, atëherë ishim goxha të tensionuar nga efektet e luftës dhe e kishim atë kontroll në tërë territorin. Vërtet, situata ka qenë e vështirë, por nuk ishte aq e lehtë të bëheshin gjëra të tilla. Madje, unë njihja dhe kisha nën kontroll edhe situatën në territorin e Kosovës për atë periudhë, sepse bashkëpunimi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka qenë i mirë. Nga kjo pikëpamje them i bindur që nuk kanë ndodhur gjëra të tilla në Shqipëri, është krejt absurde.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thoni se Shqipëria edhe sot e ka të pamundur të bëjë transplantim organesh. Por, a jeni po kaq i sigurt se në territorin shqiptar nuk janë mbajtur të burgosur serbë të luftës gjatë konfliktit në Kosovë?

FATOS KLOSI

Absolutisht asnjëherë. Nuk kishte kuptim, nuk i mbanin dot. Ata ( UÇK-ja), ishin gjithmonë në mbrojtje, ata ishin forca që ne i quajmë guerile, partizane; forca që ishin vazhdimisht në lëvizje dhe përballeshin me një ushtri që ka qenë ndoshta nga më të fuqishmet në Evropë.

Mos ta harrojmë se serbët vinin nga ushtria jugosllave dhe ushtria jugosllave kryesisht përbëhej nga oficerë serbë dhe nuk ishte një ushtri dosido, kurse të përballeshe me të nuk ishte një gjë e lehtë. Prandaj, përballimi i represionit serb është bërë me stërmundime të mëdha në lëvizje të vazhdueshme, por në lëvizje guerile.

Nuk ka baza të sigurta një lëvizje guerile ku të mbajë robër, nuk mban dot robër, edhe në qoftë se ka robër, o do t’i lirojë o do t’i asgjësojë. Ishte praktikisht e pamundur të mbaje robër.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, zoti Marti dhe së fundi edhe ish-prokurorja e Hagës, Karla del Ponte kanë pohuar se nuk është hetuar ndonjëherë seriozisht mbi këto fakte që ata pretendojnë se disponojnë dhe, madje, disa fakte të administruara më herët, sipas tyre, janë shkatërruar.

FATOS KLOSI

Këto janë akuzat e tyre. Ata mundohen t’i largohen përgjegjësisë për të pasur prova, nuk bëhen akuza pa prova, aq më shumë prokurorja, se ky, në fund të fundit, është një politikan - thotë ndonjë gjë pastaj janë të tjerë ata që duhet t’i vërtetojnë thëniet e tij, ose të tregojnë që ato thënie janë bosh.

Por, të paktën prokurorja, ajo nuk mund të flasë, ajo është profesioniste, në qoftë se është vërtet prokurore. Të përhapësh tymnaja të tilla, flluska, tullumbace të tilla është absurde. Për mua qëllimi është i pastër politik.

Në qoftë se serbët u treguan të ashpër, kriminelë me popullsinë kosovare, tani përpiqen të tregohen se gjoja edhe shqiptarët kanë pasur gjëra të tilla, domethënë, si të thuash vihet shenja e barazisë midis serbëve dhe shqiptarëve meqë tani po afrohen edhe bisedimet dhe duan t’i vënë të dy shtetet në të njëjtin nivel - nuk e di qëllimin e tyre që për mua është absurd.

RADIO EVROPA E LIRË
Të presupozojmë se pas këtij momenti do të niste një hetim ndërkombëtar që do të prekte edhe Shqipërinë?

FATOS KLOSI

Le të vijnë, pa problem fare! Unë nuk shoh ndonjë shqetësim. Përkundrazi unë këtë e quaj zgjidhje më të mirë. Të bëhen të gjitha ato gjëra që duhen bërë - jam i sigurt që nuk u del asgjë, edhe në qoftë se sajohen provat, të cilat nuk e quaj lehtë të sajohen, kanë kaluar 10 vjet tani dhe jam gati që edhe unë vetë t’u përgjigjem, sepse akuzohet shërbimi që ka ndihmuar Qeveria shqiptare, nëpërmjet SHIK-ut sigurisht.

Në qoftë se akuzohet shërbimi akuzohem unë, sepse unë e kam drejtuar atë shërbim. Vërtet, do të ishte rruga më e thjeshtë për mua. Nuk kam nevojë për presione për këto gjëra, absolutisht “u tha për një shtëpi në Mat”, praktikisht është e pamundur, janë absurditete. Unë e di që vetëm vitin e kaluar, pas dhjetë vjetësh, arritëm të bënim transplantim veshkash me pajisje që kishin ardhur nga Italia dhe me asistencë të profesorëve italianë.

Dhe, tani ne, a nuk e di kush, në ato kondita që ishte Shqipëria në ‘99-ën, paskemi bërë çudira të tilla?! Teknikisht, unë si fizikan që jam dhe e njoh paksa teknikën e laboratorit, e them që është e pamundur.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se keni argumente të mjaftueshme për t’u përballur me këto akuza?

FATOS KLOSI

Jo s’është detyra ime të kem argumente, është detyra e tyre të m’i tregojnë argumentet dhe unë pastaj t’u përgjigjem atyre argumenteve. S’kam pse t’u them unë që jam i pafajshëm, të jap unë argumente se jam i pafajshëm. Ata akuzojnë, le të m’i tregojnë akuzat e tyre dhe unë, pastaj, sigurisht se do t’u përgjigjem.

Jam i sigurt dhe unë e di çfarë ka ndodhur dhe e di që s’ka absolutisht asgjë të vërtetë. Prandaj edhe them kaq i sigurt, le të vijnë! Edhe qeverinë tonë e këshilloj, lëri le të vijnë në qoftë se do të ketë vërtet përpjekje serioze dhe zyrtare, e jo të vijnë gazetarë e të thonë se gjetëm një njollë gjakun një dërrasë të asaj shtëpisë edhe sigurisht ka lidhje me të, se e kam dëgjuar edhe këtë.

Le të vijë kush të dojë, por të vijnë dihet se kush ka për detyrë, janë prokuroritë, nuk e di në këtë rast cila prokurori, le të themi e Hagës dhe le ta shqyrtojë.
XS
SM
MD
LG