Ndërlidhjet

Lukashenko pohon fitoren, policia godet opozitën


Minsk
Minsk
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, e ka siguruar mandatin e katërt presidencial me një fitore bindëse në zgjedhjet e së dielës.

Por, kryeqyteti Minsk ka qenë skenë e dhunës, ku policia ka arrestuar një numër rivalësh të Lukashenkos në garën presidenciale dhe ka shpërndarë protestuesit që thonë se rezultatet janë të manipuluara.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidija Jermoshina, shpalli se Lukashenko ka shënuar fitore bindëse, duke marrë afro 80% të votave.

“5.122.866 njerëz apo 79,67 për qind kanë votuar për Aleksandr Lukashenkon”,
tha Jermoshina.

Por, votimi i qetë u shndërrua në dhunë brutale, kur policia dhe forca të paidentifikuara të sigurisë u përplasën me demonstruesit e opozitës, duke rrahur dhe arrestuar qindra vetë, përfshirë disa nga nëntë kandidatët presidencialë që garuan kundër Lukashenkos.

Protestuesit i akuzojnë autoritetet për orkestrimin e vjedhjeve masive të votave, për të siguruar fitoren e Lukashenkos.

Disa sondazhe të pavarura treguan se udhëheqësi shumëvjeçar gëzonte mbështetjen e vetëm 30% të votuesve, duke lënë të kuptohet se ai nuk do të mund të jetë në gjendje të sigurojë 50 përqindëshin e nevojshëm për fitore në rrethin e parë.

Turma që u tubua në Sheshin e Kuq në Minsk, për pak minuta numëronte rreth 20 mijë vetë. Protesta filloi paqësisht, por u shndërrua në dhunë kur disa persona nga turma u përpoqën të vërsulen në ndërtesën kryesore të qeverisë, duke thyer dritaret dhe dyert e xhamit.

Policia menjëherë e rrethoi ndërtesën, filloi t’i rrahë protestuesit me shkopinj dhe t’i fusë në makinat e policisë.

Një nga kandidatët presidencialë, 64-vjeçari Uladzimir Niaklau, u arrestua teksa ndodhej i shtrirë në shtrat në spital, pasi ishte rrahur keqas nga forcat e sigurisë gjatë protestave.

Gruaja e tij, Volha, tha se pas kësaj, persona me veshje civile kishin hyrë në dhomën e spitalit, ku ndodhej burri i saj, dhe forcërisht e kishin marrë pa u identifikuar fare se kush janë.

Një gazetar i shërbimit për Bjellorusinë në Radion Evropa e Lirë, emri i të cilit nuk zbulohet për shkaqe sigurie, ishte në mesin e njerëzve që u sulmuan nga policia. Ai dokumentoi një pjesë të zhvillimeve:

Përleshjet ndërmjet protestuesve dhe policisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00


Dhuna ka nxitur kritika dhe dënime nga zyrtarët e huaj. Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, përmes një deklarate, ka dënuar përdorimin e forcës, “në veçanti rrahjen dhe arrestimin e disa liderëve të opozitës, përfshirë një numër të kandidatëve presidencialë”. Ajo ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bjellorusi, si dhe ministritë e Jashtme të Lituanisë dhe Polonisë gjithashtu i kanë dënuar trazirat.

Jerzhi Buzek, kryetar i Parlamentit Evropian, kërkoi që Lukashenko t’i ndëshkojë përgjegjësit, duke thënë se kjo “ka hedhur hije mbi zgjedhjet presidenciale”.

Vëzhguesit e OSBE-së thanë se zgjedhjet dështuan “t’ia japin këtij shteti fillimin e nevojshëm”, pasi që autoritetet arrestuan 7 nga 9 kandidatët opozitarë.

Shefi i misionit, Toni Llojd, tha se Qeveria e Bjellorusisë duhet të “japë llogari për arrestimin e kandidatëve presidencialë, të gazetarëve dhe të aktivistëve për të drejtat e njeriut”.

Llojd tha se është e pamundur të bëhet vlerësim pozitiv, për shkak të “numërimit të mangët” dhe reagimit të ashpër ndaj tubimit të së dielës. Ai tha se KQZ-ja nuk ka qenë e paanshme. (v.p.)
XS
SM
MD
LG