Ndërlidhjet

BE: Kryesimi i Hungarisë - me kundërthënie


Flamujt e vendeve anëtare të BE-së
Flamujt e vendeve anëtare të BE-së
Më 1 janar 2011, Hungaria merr presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Por, shumë janë të brengosur se ligji i ri represiv për media, është kthim prapa në periudhën sovjetike.


Para 50 vjetësh, Hungaria pati luftuar kundër invadimit të përgjakshëm nga armata sovjetike. Para 20 vjetësh Hungaria e ka shpejtuar rënien e Murit të Berlinit, duke u siguruar refugjatëve të Gjermanisë Lindore kalim të lirë në Gjermaninë Perëndimore.

Në ditën e Vitit të Ri, 2011, Hungaria e shënon një arritje tjetër në transformimin e vet nga një satelit komunist në republikë demokratike, pasi e merr presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, për të parën herë prej se u bë anëtare në vitin 2004.

Në një takim në Budapest, me zyrtarë të Bashkimit Evropian, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se prioritet kryesor për presidencën hungareze do të jetë zgjerimi, pasi, sipas tij, hyrja në BE i motivon vendet, siç e kishte motivuar edhe Hungarinë, që t’i rregullojnë punët e tyre.

“Ne dëshirojmë ta kthejmë stimulimin për zgjerimin e BE-së. Zgjerimi do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve të brendshme të vendeve të reja, pasi ata që zgjerohen, besojnë në perspektivën e tyre. Ajo që realisht i duhet BE-së, është të besojë fuqishëm në perspektivën e vet”
, tha Viktor Orban.

Në veçanti, zyrtarët e Hungarisë thanë se ata do të dëshironin bisedime më të afërta për pranim me Kroacinë, gjatë periudhës gjashtëmujore të presidencës hungareze.

Po ashtu, ata shprehën dëshirën ta kthejnë çështjen e popullatës rome në Evropë, në debat të përgjithshëm evropian, e jo vetëm si problem unik në Evropën Qendrore.

Por, me gjasë, çështje mjaft kritike do të jetë edhe përpjekja për ligje të reja të BE-së për t’i ashpërsuar masat për parandalimin e përsëritjes së krizës së deficitit në Greqi dhe Irlandë.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompej, ka tërhequr vërejtjen se presidenca e Hungarisë mund të jetë e vështirë, por, sipas tij, kjo paraqet edhe mundësi për afirmimin e kontributit hungarez në kulturën evropiane, siç janë kompozitori Franc List, Vena Tokaj dhe Kubi i Rubikut.

Më tutje ai theksoi:

“Presidencës rotative shpeshherë i referohemi si sfidë... ajo edhe është sfidë. Por, unë këtë e shoh disi ndryshe. Mendoj se është primare si mundësi për ta paraqitur Hungarinë te Bashkimi Evropian, për të dëshmuar gatishmërinë tonë për t’u marrë me çështje të përbashkëta në interesin e përbashkët dhe për ta shtuar atmosferën speciale, për të cilën hungarezët gjithnjë kanë qenë shumë të njohur”
.

Por, shumë në Bashkimin Evropian janë të brengosur se “atmosfera speciale” që Hungaria e sjell në presidencën e BE-së, do ta ketë shijen e hidhur.

Fjalët e zotit Van Rompejit për mbështetje ndaj Hungarisë, u bënë derisa Parlamenti i Hungarisë po e miratonte Ligjin e ri për media, për të cilin kritikët thonë se do ta kthejë këtë vend në nivelin e periudhës komuniste të kontrollit shtetëror.

Ligji i ri për media dhe komunikimet masive i jep autoritet për mbikëqyrje të të gjithë transmetuesve, të shtypit dhe internetit, një këshilli të ri për media, i përbërë ekskluzivisht nga kandidatët, që nominohen nga partia e Orbanit në Qeveri, Fidesz.

Ky këshill, që ka të drejtë të imponojë dënime në shumë prej dhjetëra mijëra dollarësh, pritet ta përdorë autoritetin e vet të ri për t’i ruajtur mediat nga sulmet e paspecifikuara “në dinjitetin njerëzor”, dhe raportimet “e pabalancuara”.

Ligji i ri është kritikuar ashpër nga gazetarët në Hungari, ndërsa shumë të përditshme faqen e parë e kanë lënë të bardhë, në shenjë proteste ndaj ligjit.

Kritika pati edhe nga komuniteti ndërkombëtar. OSBE-ja tha se ligji i shkel standardet e lirisë së mediave dhe ka fuqi për “t’i heshtur mediat kritike dhe debatin publik në vend”. Organizata Freedom House tha se legjislacioni do të jetë “pengesë kryesore për lirinë e shtypit në Hungari”.

Miklos Haraszti është shkrimtar dhe gazetar hungarez, që ka shërbyer për dy mandate si përfaqësues i OSBE-s për lirinë e mediave. Ai tha se Ligji për media është “turp i madh”, që u ngjanë kufizimeve të stilit komunist, pas dy dekadave të ambientit pluralist të mediave.

“Qeveria e Viktor Orbanit u ka dhënë detyrë mediave që të bëjnë mbulim adekuat të realitetit politik. 20 vjet pas fillimit të demokracisë në këtë vend, ata e kanë riparaqitur atë që në mënyrë filozofike ishte supozim për ish-regjimin njëpartiak, se gazetaria është atje për t’i shërbyer unitetit të vendit”, tha Miklos Haraszti. (f. b.)
XS
SM
MD
LG