Ndërlidhjet

Jeremiq flet për strategjinë ndaj Kosovës


Vuk Jeremiq
Vuk Jeremiq

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka thënë se qëndrimi i Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar .

Sipas tij, në këtë kuadër, para politikës së jashtme serbe ka dy detyra.

E para është të sigurohet që të mos rritet numri i vendeve që e kanë njohur Kosovën, tha ai.

Ndërsa, detyra e dytë e diplomacisë serbe, sipas Jeremiqit, është që të ruhet “klima e shëndoshë ndërkombëtare” për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Jeremiq i ka bërë këto komente në konferencën vjetore me ambasadorët e Serbisë.

"Nuk guxon të tolerohet asnjë përpjekje për pengimin e dialogut me ndryshimin e njëanshëm të realitetit në terren, apo me përdorimin e forcës. Kjo përfshin edhe përpjekjet për të zgjeruar kompetencat e Prishtinës në veri të Kosovës në kundërshtim me vullnetin e popullatës lokale"
, ka thënë Jeremiq.

Sipas tij, kjo mund të kishte ndikim fatal në procesin paqësor.

Jeremiq ka ripërsëritur se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës as në mënyrë implicite, e as eksplicite, sepse kështu shkruan në Kushtetutën e saj (Serbisë), dhe ky është rezultat i konsenzusit të përgjithshëm të konfirmuar në zgjedhjet.

Kryediplomati serb, gjithashtu, ka shfaqur shpresën se Serbia do ta fitojë deri në fund të vitit statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se katër prioritetet kryesore të Serbisë në vitin 2011 do të jenë: integrimet evropiane, vazhdimi i mbrojtjes së rendit kushtetues, konsolidimi i stabilitetit rajonal, si dhe bashkëpunimi dhe thellimi i marrëdhënieve ekonomike në botë.
XS
SM
MD
LG