Ndërlidhjet

E suksesshme, por e varfër


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Galeria e Arteve të Kosovës, pavarësisht sukseseve gjatë vitit të kaluar, është përballur dhe vazhdon të përballet me probleme financiare. Fahredin Spahiu, drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës, thotë se tashmë ka dorëzuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve plan-projektin për vitin 2011. Ndërkaq, Sami Piraj, drejtues i Departamentit të kulturës, në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shprehet skeptik se kjo ministri do të mund ta financojë GAK-un, sipas nevojave të saj.


Galeria e Arteve të Kosovës, gjatë vitit të kaluar ishte një nga institucionet më të suksesshme kulturore, vlerësojnë përfaqësuesit e këtij institucioni si dhe ata të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Por, ata thonë se ky institucion vazhdon të jetë me mundësi të hendikepuara financiare, sikurse e gjithë fusha e kulturës në Kosovë, për të cilën investimet janë tejet të vobekta përballë kërkesave.

Fahredin Spahiu, drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës, thekson se gjatë vitit të kaluar ky institucion kulturor ka pasur ekspozita më shumë se në cilindo vit deri më tash.

“Konsideroj se mund ta quajmë si të arritur realizimin e 28 ekspozitave brenda një viti. Asnjëherë në historinë e galerisë nuk janë mbajtur brenda një viti kaq shumë ekspozita. Do të thotë çdo herë janë mbajtur 12 deri 13 ekspozita”.

“Jemi munduar që publikut tonë t’i ofrojmë vlera të mirëfillta artistike, sepse detyrë e galerisë është edhe kjo, që përmes ekspozitave kualitative, ta ‘edukojë’ edhe publikun, në mënyrë që publiku të ketë gjithnjë kërkesa më të mëdha karshi GAK-ut”,
thotë Spahiu.

Spahiu shton se ekspozitat, të cilat, gjatë vitit që lamë pas, janë hapur në Galerinë e Arteve të Kosovës, kanë qenë të autorëve shqiptarë, por edhe të huaj, në mesin e të cilave edhe ekspozita e fotografit suedez, Ake Erikson, pastaj ajo e fotografit amerikan, Norman Gershman, si dhe e arkitektit të famshëm gjerman Erik Mendellson, e të tjerë.

Por, Spahiu thotë se Galeria e Arteve të Kosovës, për të gjitha projektet ka marrë buxhetin prej 70 mijë euro, ndërkaq që këtij fondi më vonë i janë shtuar edhe 35 mijë euro të tjera si ndihmë nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Sami Piraj, drejtor i Departamentit të Kulturës në kuadër të kësaj ministrie, e lavdëron punën e Galerisë së Arteve të Kosovës, por, sipas tij, mundësia buxhetore ka qenë e vogël përballë kërkesave të këtij institucioni kulturor.
Konsideroj se ka qenë një vit i begatshëm për këtë institucion të rëndësishëm.


“Konsideroj se ka qenë një vit i begatshëm për këtë institucion të rëndësishëm. Buxheti, i cili ishte i dedikuar për këtë institucion, unë konsideroj se nuk ishte i mjaftueshëm. Sepse, menaxhmenti apo vetë drejtori ka aspirata që të vë në program emra me kredibilitet, jo vetëm nga Kosova, por edhe ndërkombëtarë. Natyrisht që kjo edhe kërkon buxhet më të madh”,
vlerëson Piraj.

Ndryshe, Spahiu thotë se Galeria e Arteve të Kosovës, tashmë e ka dorëzuar plan-projektin e saj për realizim, të këtij viti, në Ministrinë e Kulturës, ku përveç ekspozitave që pritet të hapen, planifikohet edhe realizimi i tri monografive për artistët, siç i quajti ai, kulmor, dy dokumentarë, si dhe ekspozita jashtë vendit.

Por, Spahiu shprehet skeptik se ndarja e buxhetit për Galerinë e Arteve të Kosovës do të jetë ashtu sikurse ka kërkuar ky institucion.
...institucionet që merren ekskluzivisht me dizajnimin apo shpërndarjen e buxhetit nëpër ministri, ende e konsiderojnë kulturën si aktivitet të lirë.

“Ne do ta kemi problem që ta realizojmë gjithë programin që e kemi planifikuar për këtë vit. Ne këto mund t’i harrojmë nëse ne nuk marrim një buxhet çfarë e kemi kërkuar. Ne i kemi kërkuar 400 mijë euro. Do të ndodhë që kjo shumë të reduktohet në 70 mijë euro, sikurse vitin e kaluar”.

“Kjo tregon që institucionet që merren ekskluzivisht me dizajnimin apo shpërndarjen e buxhetit nëpër ministri, ende e konsiderojnë kulturën si aktivitet të lirë”
, shton Spahiu.

Në anën tjetër, Piraj i pohon dyshimet e Spahiut, duke thënë se ende nuk ka ndonjë informacion të saktë se sa do të jetë buxheti i tërësishëm për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Por, sipas Pirajt, ekzistojnë sinjale, të cilat tregojnë mundësinë se buxheti do të jetë i përafërt me atë të vitit të kaluar dhe rrjedhimisht ngjashëm do ta kenë edhe institucionet kulturore që varen nga kjo ministri.

“Sipas disa parametrave dhe shenjave që i kemi, konsideroj se buxheti do të jetë, përafërsisht, sikurse i vitit të kaluar, mbase edhe më i paktë. Në këtë drejtim, Ministria e Kulturës, absolutisht, nuk mund t’i dalë ballë kësaj kërkese të Galerisë dhe të institucioneve tjera, të cilat poashtu kanë kërkesa jashtëzakonisht të mëdha në krahasim me mundësitë që i ka Ministria e Kulturës apo që do t’i ketë”.

“Kjo, për faktin se dihet që edhe sivjet buxheti i kësaj ministrie, nuk e besoj që do të lëvizë nga kuota prej 1 për qind nga buxheti i tërësishëm i Qeverisë së Kosovës”
, thekson Piraj.

Sidoqoftë, Galeria e Arteve të Kosovës është vetëm një prej institucioneve kulturore, që mbështeten financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe të cilat tash e sa vite, në vazhdimësi po ballafaqohen me mungesë të financave të mjaftueshme për të realizuar objektivat që i planifikojnë.
XS
SM
MD
LG