Ndërlidhjet

Qëllohet kongresistja amerikane, vriten 6 persona


Qirinj për viktimat që pësuan nga sulmi ndaj kongresistes Giford, gjendja e së cilës ende është kritike.
Qirinj për viktimat që pësuan nga sulmi ndaj kongresistes Giford, gjendja e së cilës ende është kritike.
Kongresistja amerikane, Gabriel Gifords, është në gjendje kritike për jetën pasi u qëllua në kokë nga një person i armatosur. Në sulmin e armatosur u vranë gjashtë persona, mes të cilëve dhe një vajzë 9-vjeçare dhe një gjykatës federal.

Ngjarja ndodhi gjatë një takimi të kongresistes Gifords me zgjedhësit në afërsi të një qendre tregtare në Tuskon të Arizonës. Gifords është anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan dhe njihet si një nga aleatet e afërta të presidentit Barak Obama.

Shtëpia e Bardhë e dënoi menjëherë sulmin në Arizona duke e cilësuar si “tragjedi për gjithë vendin”.

“Kjo është më shumë se një tragjedi për ata që janë prekur direkt. Është tragjedi për Arizonën dhe për të gjithë vendin. Amerikanët afrohen dhe mbështesin njëri-tjetrin në kohë tragjedish”,
tha presidenti Obama.

Kongresistja Gabrielle Giffords

Pas sulmit, Gifords u dërgua në qendrën mjekësore të Universitetit të Arizonës, ku mjekët ishin të përmbajtur të flisnin për përmirësimin e gjendjes së saj.

Takimi që po zhvillonte kongresistja 40-vjeçare ishte një nga ato biseda të zakonshme me zgjedhësit, që njihen si pjesë e programit “Kongresi në qoshen e shtëpisë”. Në mesin e viktimave është dhe një nga këshilltarët e saj politik. Përveç Gifordit, policia raporton dhe për 12 persona të tjerë të plagosur gjatë incidentit.

Sulmuesi u pengua nga të pranishmit që të largohej nga vendi i krimit. Mediat vendore raportojnë se i dyshuari për sulmin është një 22-vjeçar, Xhared Lougner, i cili aktualisht gjendet në paraburgim.

Shefi i Policisë në rajonin ku ndodhi sulmi, Klarens Dupnik, nuk pranoi të konfirmonte identitetin e të dyshuarit, por e përshkroi atë si “person të trazuar”.

Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa qytetarët tashmë kishin kapur sulmuesin.

“Dy individë të guximshëm në vendngjarje e kapën të dyshuarin, i cili është mashkull i bardhë i moshës 22-vjeçare, dhe në këtë moment nuk mund të japim emrin e tij. Ka një të shkuar problematike dhe nuk jemi të bindur se ka vepruar vetëm. Kemi arsye të besojmë se ai erdhi në vendin e krimit i shoqëruar nga një person tjetër”,
tha sherifi Dupnik.

Mediat raportojnë se Lougner ka postuar në internet komente të shumta të mbushura me zemërim kundër qeverisë. Mësohet se ai është përpjekur të regjistrohet në ushtri, por kërkesa e tij ishte refuzuar. Në profilin e të dyshuarit në YouTube, ai ka shënuar librin “Mein Kamp” të Hitlerit dhe “Manifestin Komunist” të Marksit e Engelsit në mesin e librave të tij të preferuar.

Dupnik theksoi se ende nuk dihen motivet e sulmit në Arizona, por tha se kongresistja Gifords ishte cak i sulmit. Gifords njihet si një nga mbështetëset më të fuqishme të reformës shëndetësore të presidentit Obama, reformë që shihet si shumë kundërthënëse në mesin e amerikanëve.

Shefi lokal i policisë, Dupnik, fajësoi retorikën politike me tone të ashpra duke shtuar se kjo retorikë ka ndikim të rrezikshëm mbi njerëzit e “pabaraspeshuar”.

“22-vjeçari ka një të shkuar kriminale dhe ka informacione se ai ishte student në kolegjin Pima, madje dhe shkolla ka pasur vështirësi me të. Dua të theksoj se kur hidhni vështrimin te njerëzit problematikë, e shihni se si ata reagojnë ndaj helmit që del nga njerëz të caktuar për të goditur qeverinë. Zemërimi, urrejtja, mungesa e tolerancës që po shihet në këtë vend, po i kalon kufijtë. Fatkeqësisht, Arizona mendoj se është kthyer në një lloj kryeqyteti për këto reagime. Jemi bërë Meka e paragjykimeve dhe fanatizmit”,
theksoi Dupnik.

Gifords, në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, me vështirësi e sfidoi përballjen me kandidatin e lëvizjes së njohur si Tea Party. Ish-guvernatorja e Alaskës dhe kandidatja republikane për zëvendëspresidente në garën e vitit 2008 e ka përfshirë Gabrielë Gifordsin në listën e nxehtë të politikanëve që ajo donte t’i shihte jashtë Kongresit.

Pas incidentit tragjik në Arizona, Pelin ka shprehur mbështetjen për viktimat në faqen e saj të Facebook-ut. (i.b)
XS
SM
MD
LG