Ndërlidhjet

Gjykata liron Sonmezin


Jusuf Sonmez
Jusuf Sonmez
Gjykata ka liruar mjekun turk, i dyshuar për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar trafiku organesh, që ka lidhje me Kosovën.

Lirimi i Jusuf Sonmezit, emri i të cilit ndërlidhet në aktakuzën që ka të bëjë me "rastin Medicus", erdhi një ditë pas arrestimit të tij në Stamboll bazuar në një urdhërarrest të lëshuar nga Kosova.

Mediat turke raportojnë se ai është liruar në pritje të gjykimit.

Turqia nuk i ekstradon qytetarët e saj, por ofron dëshmitë e shtetasve të saj për drejtësitë e vendeve të tjera, bazuar në vlerësimin e secilit rast.

Nëse dënohen ata e vuajnë dënimin në Turqi.

Sonmez, i emërtuar me nofkën "Frankeshtajni turk", u arrestua mbi dyshimet për transplantim ilegal të organeve në Kosovë dhe Azerbejxhan, shkruan gazeta "Milijet".

Me rastin e arrestimit, zëdhënësja e misionit evropian për sundimin e ligjit, Irina Gudeleviq, ka thënë se për rastin e Jusuf Sonmezit, autoritetet e prokurorisë në Kosovë janë duke bashkëpunuar ngusht me autoritetet turke, por është ende herët të thuhet nëse Sonmez do t’i dorëzohet Kosovës.

“Për këtë nuk vendos EULEX-i, prandaj do të duhet të presim për të parë se ç’do të ndodhë”, ka thënë Gudeleviq për Radion Evropa e Lirë.

Ajo ka konfirmuar se hetimet mbi atë që tashmë njihet si rasti “Medicus” po vazhdojnë.

Deri më 21 janar, gjykatësi i ngarkuar me këtë rast në Kosovë duhet të vendosë nëse do të konfirmohet aktakuza e ngritur kundër shtatë qytetarëve nga Kosova, të dyshuar për transplantim të paligjshëm organesh në klinikën “Medicus”.

Seanca dëgjimore për konfirmimin e aktakuzës është mbajtur më 6 janar

Prokurori i EULEX-it, Xhonatan Ratel, pati thënë në Prishtinë gjatë seancës konfirmuese për rastin “Medicus”, se personat e varfër ishin dërguar në Kosovë bazuar në premtime false se do të paguheshin nëse jepnin veshkat, të cilat shiteshin në tregun e zi të organeve.

Ratel e kishte përshkruar Sonmezin si “pjesëmarrës kyç në operacionet” e kryera në klinikën private “Medicus”.

Përveç mjekut turk, shtatë shtetas të Kosovës dhe një shtetas i Izraelit gjithashtu janë të akuzuar për trafikim të organeve në Kosovë.

Aktakuza thekson se ata kanë rekrutuar persona të varfër nga Evropa Lindore dhe Azia Qendrore. Atyre u ishin premtuar rreth 15 mijë euro për organet e tyre, ndërsa pranuesi do të duhej të paguajë deri në 100 mijë euro për një organ të transplantuar.(v.p.)
XS
SM
MD
LG