Ndërlidhjet

Prishtina s'heq dorë


Targat e reja serbe
Targat e reja serbe
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që ta diskutojnë problemin lidhur me tabelat e reja të veturave serbe që qarkullojnë në Kosovë. Në Ministrinë e Brendshme të vendit, megjithatë, thonë se është e plotfuqishme urdhëresa për konfiskimin e atyre tabelave.

Autoritetet kosovare janë shprehur të vendosura për të vazhduar konfiskimin e auto-targave serbe që bartin inicialet e rajoneve të ndryshme të Kosovës në të gjithë territorin e vendit, përfshirë pjesën veriore.

Ndonëse EULEX-i u bëri thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet që, siç thuhet, mund ta provokonin situatën, konfiskimi i targave të lëshuara nga autoritetet serbe ka vazhduar edhe të premten.

Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se urdhëresa për konfiskimin e tyre vazhdon të jetë në fuqi dhe se do të vlejë edhe për veriun e Kosovës.
Në pjesën veriore mund të ketë ngapak vështirësi që të zbatohet, megjithatë do të zbatohet aq sa ne kemi prezencë të policisë në tërë territorin e Kosovës.


“Në pjesën veriore mund të ketë ngapak vështirësi që të zbatohet, megjithatë do të zbatohet aq sa ne kemi prezencë të policisë në tërë territorin e Kosovës”
, u shpreh Rexhepi.

Mirëpo, urdhrave të Ministrisë së Brendshme lidhur me konfiskimin e tabelave serbe të veturave, thuhet se ka refuzuar t’u bindet komandanti i stacionit të Policisë së Kosovës në Zveçan, Nenad Xhuriq.

Për shkak të mosbindjes ndaj urdhrit, Xhuriq, në mesditën e së premtes është suspenduar nga puna për një afat prej 48 orësh nga drejtori rajonal i Mitrovicës, Sami Shabani.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se masat e tjera lidhur me këtë rast do të ndiqen nga organet përkatëse.

“Procedurat e tjera hetimore sigurisht që do të ndiqen nga instancat më të larta - Drejtoria e përgjithshme apo vetë inspektorati policor”,
tha Hoti.

Edhe pse serbët kosovarë kanë vazhduar të pajisen me tabela serbe të automjeteve, ndaj urdhrit të Ministrisë së Brendshme për konfiskimin e tyre, kanë reaguar përfaqësues të qeverisë së Serbisë.

Ata kanë shfaqur dyshimin se vendimi i ministrit në dorëheqje, Rexhepi, mund të dëmtojë situatën para nisjes së bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit pritet që teknikisht t’i mbështesë këto bisedime; përfaqësues të këtij misioni theksuan rëndësinë që problemi lidhur me auto-targat serbe të gjendet ndërmjet palës serbe dhe asaj kosovare.

Zëdhënësi i EULEX-it, Anne Blanksma, shpjegoi më shumë lidhur me këtë.
Ne u bëjmë thirrje palëve që të diskutojnë çdo veprim të ardhshëm...

“Ne u bëjmë thirrje palëve që të diskutojnë çdo veprim të ardhshëm dhe të përgatitet publiku dhe që të informohet çdokush para se të merret ndonjë veprim shtesë”
, tha Blanksman, duke shtuar se EULEX-i nuk është informuar zyrtarisht nga Ministria e Brendshme para hyrjes në fuqi të urdhëresës për konfiskimin e tabelave serbe të veturave.

Zyrtarisht apo jo - ministri i Brendshëm në dorëheqje, Rexhepi, theksoi se qysh kohë më parë i kishte informuar misionarët evropianë për hapat që do të ndërmarrë lidhur me këtë çështje.

Rexhepi njoftoi se deri më tani janë konfiskuar 3-4 palë targa serbe të veturave, ndërsa është ndaluar të hyjë në territorin e Kosovës një autobus që bartte targa të tilla.
XS
SM
MD
LG