Ndërlidhjet

Në kërkim të drejtësisë


Lumi Tisë
Lumi Tisë
Të afërmit e viktimave të tragjedisë në lumin Tisa, e cila ka ndodhur në mesin e tetorit të vitit 2009, presin që trafikuesit me emigrantë, përgjegjës për këtë rast, të përballen me drejtësinë.

Në mesin e 15 viktimave, të cilët humbën jetën në valët e lumit Tisa, derisa po transportoheshin në mënyrë ilegale nga Serbia për në Hungari, ishin edhe Rrahim Mirena dhe katër anëtarë tjerë të familjes së tij të ngushtë, nga komuna e Obiliqit.

Sami Mirena, kushëri i parë i Rrahimit të ndjerë thotë se familja e djalit të axhës së tij, ishte shuar tërësisht në valët e lumit Tisa dhe humbjen e tyre ende e përjeton rëndë..

“Ne, rastin e kemi përjetuar shumë rëndë, sepse nuk është lehtë të dëgjosh diçka të tillë. Po të ishte dikush edhe më i largët, do t’më dhimbsej e jo më dikush i imi, djali i axhës. E kam përjetuar këtë rast aq sa më rënd nuk di. Unë ende nuk po mund të besoj edhe pse i kemi varrosur, por...Rrahimi fatin e ka pasë asisoji”, thotë zoti Mirena.

Ndërkaq, Fadil Mirena, kusheri i Rrahimit të ndjerë, thotë se dramën, e cila kishte përfunduar fatalisht për familjarët e tyre, e kishte mësuar nga i mbijetuari i kësaj tragjedie Blerim Rama.

“Ne i kemi ato të dhëna, se këta janë nisur një ose dy ditë më parë, dikush me automjete e dikush me autobusë, dhe kanë arritur deri në destinimin e caktuar, diku në afërsi të lumit Tisa".

"Aty kanë pushuar rreth 20 orë, deri sa u ka ardhur ‘lidhja’. Diku ka qenë ora 8 apo 9 në mbrëmje dhe ka ardhur dikush dhe i ka marë dikush këta. I ka çuar deri në brigjet e lumit Tisa. Këta nuk kanë qenë të njoftuar me këtë punë, se do të udhëtonin në atë mënyrë".

"Kur kanë shkuar aty, këta, faktikisht, kanë qenë para aktit të kryer, ‘se tjetër lidhje nuk ka përveq kësaj barke që do të hypni dhe do të dilni në pjesën e hungarezëve’”,
shpjegon zoti Mirena.

Por, Fadili nuk deshi ta komentonte ngjarjen e dëgjuar nga i mbijetuari, se çfarë kishte ndodhur në momentin e rrokullisjes së barkës, duke thënë se kjo ishte mjaft tronditëse për të.

Ai thotë se, në bazë të informatave që kishte nga organet e rendit, paraprakisht trafikantët kishin kërkuar një shumë të caktuar parash nga i ndjeri Rrahimi...

“E dimë se kushëriri ynë, Rrahimi, i kishte pasë dorëzuar diku rreth 8 mijë euro, në bazë të të dhënave të policisë, të cilat i kemi marrë vesh më pas. Edhe pse Rrahimi dhe shumë ‘Rrahima’ të tjerë ndoshta nuk e kanë bërë këtë me qejf, mirëpo, thjeshtë, njerëzit, për ekzistencë, duhet dikah t’ia mbajnë”.

Edhe pse nga ngjarja në lumin Tisa kanë kaluar 15 muaj, katër nga 15 viktimat e kësaj tragjedie, ende figurojnë të zhdukur. Samiu thotë se në mesin e të pagjeturve është edhe një vogëlushe e familjes Mirena...

“Ka mbetur vajza e vogël, Agnesa. Nuk është gjetur ende. Të fundit e kanë gjetur Dafinën, vajzën e dytë të Rrahimit. Ajo është gjetur në lumin Tisa, në pjesën serbe. E kanë sjellë nga atje. Më datën 6 gusht të vitit 2010 e kemi varrosur. Derisa të vije edhe vajza më e vogël, Agnesa, ne nuk mund të qetësohemi”.

Në anën tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës tashmë kanë deklaruar se kanë hetuar dhe vahdojnë të hetojnë të dyshuarit për rastin Tisa. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu thotë se fajtorët për tragjedinë në lumin Tisa do të përballen me drejtësinë.

“Deri më tash, policia ka arrestuar 7 persona, që dyshohet se janë të lidhur drejt për drejtë me këtë rast. Poashtu, dyshohet që edhe në raste tjera kanë kryer veprën penale të njejtë, trafikim me qenie njerëzore”, ka thënë zoti Sadriu.


Ndryshe, Zyra e Prokurorisë së Kosovës, për vdekjen e 15 shqiptarëve të Kosovës në lumin Tisa, tashmë ka akuzuar 7 persona, të cilët të enjten është dashur të përballen me drejtësinë.

Por, fillimi i gjykimit të tyre, është shtyrë deri më 2 shkurt të këtij viti, me kërkesën e Zyrës Speciale të Prokurorisë së Kosovës, për shkak se edhe një person i dyshuar për rastin Tisa, i cili ka qenë në arrati, dy ditë më parë u është dorëzuar vullnetarisht organeve të rendit.

Megjithatë, Sami Mirena, beson që lidhur me rastin Tisa, drejtësia, siç thotë ai, do të vihet në vend.

“Besojmë që drejtësia do të vëhet në vend me këta. Është mirë dhe ishalla do Zoti që më mos të ketë dhe t’ua ndalë rrugën dhe ti bllokojë trafikuesit. Mos t’i lëj më të dalin. Le të mbushen mend edhe populli ynë që të mos dalin më me trafikues, sepse këta vetëm i marrin në qafë. Nuk janë këta për të mirën e popullit, por... këta janë kriminelë”.

Lexoni edhe këtë: Hetimet në rastin Tisa.
XS
SM
MD
LG