Ndërlidhjet

Miratimi i raportit, hap që dëmton Kosovën


Prishtinë (Foto ilustruese)
Prishtinë (Foto ilustruese)
Delegacioni kosovar që ishte në Strasburg, tha se miratimi i raportit të Dik Martit në formë të rezolutës nga ana e Këshillit të Evropës, është një hap që dëmton Kosovën. Qeveria e Kosovës është shprehur e hapur për çfarëdolloj bashkëpunimi me organet e drejtësisë në lidhje me rezolutën që tash edhe zyrtarisht bën thirrje për hetime mbi pretendimet për trafikim organesh.


Hap që dëmton Kosovën e ka quajtur delegacioni kosovar në Strasburg miratimin e raportit të senatorit zviceran, Dik Marti, nga ana e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Anëtari i delegacionit, Enver Hoxhaj, i tha Radios Evropa e Lirë se tani, Qeverisë së Kosovës i mbetet që të punojë ngushtë me EULEX-in, për të mbyllur njëherë e mirë pretendimet për trafikim organesh.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me EULEX-in dhe ajo kërkon që të ketë një proces, i cili është proces shumë i gjithanshëm i investigimit, i pavarur dhe shumë transparent, me qëllim që të ofrohet një qartësi. Ky proces të fillojë sa më shpejt, me qëllim që imazhi i Kosovës të mos jetë edhe më tej i dëmtuar në botë”, tha Hoxhaj.

Raporti që u miratua në formë rezolute nga shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare, i bën thirrje misionit evropian që të kryhen hetime mbi pretendimet për trafikim organesh gjatë luftës së Kosovës.

Në raport përfshihet si i dyshuar i ashtuquajturi “Grupi i Drenicës”, që, sipas Martit, udhëhiqej nga kryeministri Hashim Thaçi, e i cili përveç “tregtisë së paligjshme me armë dhe drogë, u mor edhe me tregti të organeve njerëzore”.

Reagimet në Kosovë nuk kanë ndryshuar nga ato kur edhe u publikua raporti i Martit. Ai cilësohet si i pavërtetë, i pabazuar në fakte, por për të cilin duhen kryer hetime. Ish-komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, i hodhi poshtë akuzat.

“Nuk ka ndjenjë më të keqe sesa kur dikush të akuzon për diçka që fare nuk e ke bërë, apo që fare nuk është e vërtetë dhe ndihesh i pafuqishëm për t’i kundërshtuar të gjitha ato akuza. Me të vërtetë, si shef i shtabit të UÇK-së, si shqiptar, nuk ndihem mirë, kur po dëgjoj që dikush, luftës sonë, përpjekjes sonë, po na i mvesh gjëra monstruoze që nuk kanë të bëjnë fare me të vërtetën”, tha Çeku.

Ish-komandanti Çeku deklaroi se, pavarësisht se raporti nuk është i vërtetë, Kosovës i është bërë dëm i madh me të. Kështu që, sipas tij, në interes të kosovarëve është që e vërteta të dalë sa më shpejt në shesh.

Ministri në dorëheqje, Enver Hoxhaj, i cili ishte pjesë e delegacionit kosovar në Këshillin e Evropës, por të cilit nuk iu lejua pjesëmarrja aktive në seancë, tha se Qeveria e Kosovës do ta ndihmojë EULEX-in në hetimet eventuale.

“Qeveria është e hapur që të bashkëpunojë ngushtë me EULEX-in dhe bashkëpunimi do të varet nga ajo që gjithçka që kemi, do ta ofrojmë në dispozicion. Por, i bëjmë ftesë edhe Martit, që nëse ka fakte evidente, duhet t’ia ofrojë EULEX-it dhe kjo çështje të mbyllet dhe të ketë qartësi”,
tha Hoxhaj.

Njohësi i së drejtës ndërkombëtare, që po ashtu ishte anëtar i delegacionit kosovar në KE, Ibrahim Gashi, tha se Kosova do të stagnojë në proceset që ka përpara, siç janë njohjet apo proceset integruese ne BE. Ai tha se raporti është i dëmshëm.

Kalimi i tij, votimi i tij dhe bërja e kësaj rezolute nuk janë pa ndikim, ato kanë efekte të drejtpërdrejta dhe anësore në procesin e njohjes dhe legjitimimit e legalizimit të statusit të Kosovës, te komuniteti i shteteve që akoma nuk e kanë njohur. Por, esenciale është se ka një pikënisje të një aktiviteti për hetim, i cili do të ketë fund. Po të mbetej ky raport siç ishte, mendoj se do të merrte kohë fillimi i hetimeve“, tha Gashi.

Ditë më parë, EULEX-i ka thënë se nuk ka marrë përgjigje nga Marti në lidhje me kërkesën që t’ia dorëzojë faktet këtij misioni. lidhur me akuzat për tregti organesh - akuza këto të hedhura poshtë nga kryeministri Thaçi, i cili deklaroi edhe padi për shpifje kundër senatorit Marti.

Ndërkohë, edhe në vetë seancën e Asamblesë Parlamentare, disa deputetë kanë kërkuar nga Marti prova konkrete mbi dyshimet e përmbledhura në raport.
XS
SM
MD
LG