Ndërlidhjet

Procesi zgjedhor para mbylljes


Qendra e numërimit (Foto arkivi)
Qendra e numërimit (Foto arkivi)
Pas përfundimit të procesit zgjedhor me rivotime në disa komuna, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve pritet që gjatë ditës të përfundojë procesi i numërimit të votave me kusht.

Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Xhemajl Peqani, shpjegon procedurat aktuale të numërimit:

Janë gjithsej 31,395 vota me kusht; prej tyre, 24,803 janë të konfirmuara - me përqindje i bie 79 për qind. Të refuzuara në përqindje janë 21 për qind ose 6.592 vota”.

Peqani nuk e përjashton mundësinë që gjatë numërimit të këtyre votave të ketë edhe refuzime të tjera. Pjesë e këtij numërimi, sipas Peqanit, janë edhe votat e dërguara me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Ai nuk pranon të flasë rreth asaj se sa mund të ndikojë rezultati i votave me kusht në raportin final të rezultateve.

“Nuk mund të them asgjë dhe nuk mund të prejudikoj. Fillimisht, t’i shohim rezultatet, t’i inkorporojmë në sistem, pastaj do të dihet gjithçka”, thotë Peqani.

Njohësit e proceseve zgjedhore në Kosovë thonë se rezultati i votave me kusht mund të ketë një rol të rëndësishëm për kandidatët e partive politike. Mazllum Baraliu, ish-kryetar i KQZ-së, thotë:

Ka raste kur deputetët e një partie apo të një tjetre, kanë afërsisht numër të votave për ta tejkaluar atë që quhet gjendje numërike, që të futen si kandidatë në parlament. Mund të ketë edhe efekte anësore ndikuese, por nuk mund të thuhet me saktësi se sa do të jenë ato”.

Baraliu thotë se votat me kusht mund të kenë rëndësi edhe sa i takon çështjes së përfaqësimit të gruas në kuvend.

“Ndikon çështja e kandidaturave të femrave, sepse ato kalojnë me një kuotë që është 30%. Pra, mund të ketë efekte anësore, por jo shumë të mëdha dhe jo ndikim shumë të madh në lëvizjen e shkallës së partive politike dhe të numrave të deputetëve të këtyre partive”, thotë Baraliu.

Procesi i numërimit të votave me kusht ka filluar me dy ditë vonesë, për shkak të rivotimeve që kanë qenë në tri komuna më 9 janar dhe më 23 janar në Mitrovicë.

Përfaqësuesit e KQZ-së kanë deklaruar se brenda tri-katër ditësh do të publikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare.
XS
SM
MD
LG