Ndërlidhjet

Protestuesit kthehen në rrugët e Kajros


Protestuesit kthehen në rrugët e Kajros...
Protestuesit kthehen në rrugët e Kajros...

Qindra protestues u kthyen sot në rrugët e kryeqytetit Kajro në Egjipt, për të pestën ditë me radhë, për të kërkuar dorëheqjen e presidentit.

“Populloi dëshiron që presidenti të largohet”, brohorisnin protestuesit.

Këto protesta sinjalizuan se vendimi i presidentit Hosni Mubarak, për ta shkarkuar qeverinë e tij, ndoshta nuk do të mjaftojë për ta zbutur zemërimin e egjiptianëve për shkak të varfërisë, papunësisë dhe korrupsionit, që e kanë pllakosur vendin e tyre.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Hosni Mubarakut, por ai ka thënë se do të mbetet në pushtet me gjithë shkarkimin e kabinetit të tij.

Gjatë paraqitjes së tij të parë publike, prej se filluan protestat, Mubaraku, 82- vjeçar, po ashtu ka shpallur reforma gjithëpërfshirëse.

“Kam kërkuar nga Qeveria që të paraqesë dorëheqje dhe do ta nominoj një qeveri me instruksione të qarta dhe precize, që ta ketë prioritet gjendjen aktuale. Ju them përsëri se marrja e vendimeve nuk do të jetë e lehtë. Unë do ta mbroj sigurinë e Egjiptit dhe aspiratat e popullit të tij, pasi për këtë jam betuar para Zotit dhe vendit”,
ka thënë Hosni Mubarak.

Ai i ka karakterizuar demonstratat në rrugë si “kaos”.

Një numër në rritje i protestuesve në mbarë Egjiptin, kërkojnë që ai të tërhiqet nga monopoli 30-vjeçar në pushtet, si një hap kah zgjidhja e varfërisë në rritje dhe e problemeve me papunësi.

Disa orë më herët zoti Mubarak e kishte dërguar armatën e Egjiptit për ta forcuar orën policiore gjatë natës, por mijëra egjiptianë mbetën në rrugët e Kajros, duke mos e respektuar urdhrin.

Vendosja e ushtrisë u bë pas ishte rritur numri i protestuesve, veçanërisht pas faljes së Xhumasë, kur liderët islamikë i kishin ftuar mbështetësit që t’u bashkohen protestuesve.

Por, rritja e numrit të protestuesve në rrugë, e kishte shtuar numrin e përleshjeve me policinë. Një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë së Egjiptit, ka thënë se 38 vetë ishin vrarë, pas përshkallëzimit të protestave, prej faljes së Xhumasë.

Në Uashington, presidenti Barak Obama, gjatë një paraqitjeje në Shtëpinë e Bardhë, ka ftuar për qetësi në Egjipt.

“Derisa situata vazhdon të zhvillohet, shqetësimi ynë i parë është parandalimi i plagosjeve ose humbja e jetëve. Prandaj, dëshiroj të jem shumë i qartë në thirrjen për autoritetet e Egjiptit, që të përmbahen nga çfarëdo dhune kundër protestuesve paqësorë. Populli i Egjiptit ka të drejta, që janë universale. Kjo përfshinë të drejtën e tubimit paqësor dhe shoqërimit, të drejtën e fjalës së lirë dhe mundësinë për ta përcaktuar të ardhmen e vet. Këto janë të drejta të njeriut dhe Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë për to çdokund”, ka thënë Barak Obama.

Ai ka kërkuar nga Mubaraku që ta ndalë bllokimin e shërbimit të telefonave mobilë dhe ta ripërtërijë qasjen e shtetasve në internet dhe në rrjetet social, në të cilat të rinjtë egjiptianë, që i filluan protestat, mbështeten shumë për koordinimin e lëvizjeve të tyre.

Ndërkohë, është ripërtërirë rrjeti i telefonave mobilë, por shërbimi i internetit duket se ende mbetet i bllokuar.

Presidenti Obama ka thënë të ketë biseduar me presidentin Mubarak, pasi ai e kishte mbajtur një fjalim drejtuar popullit. Obama e ka pranuar partneritetin e ngushtë ndërmjet Kajros dhe Uashingtonit, por ka theksuar se Shtetet e Bashkuara ishin të qarta për nevojën e përqafimit të reformave politike, sociale dhe ekonomike, “që i plotësojnë aspiratat e popullit të Egjiptit”.

“Kur presidenti Mubarak iu drejtua popullit të Egjiptit, ai premtoi demokraci më të mirë dhe mundësi më të mëdha ekonomike. Unë sapo fola me të, pas fjalimit të tij. I thashë se ai ka përgjegjësi për t’iu dhënë kuptim këtyre fjalëve, për të ndërmarrë hapa dhe aksione konkrete, për ta realizuar këtë premtim”, ka theksuar Barak Obama.

Disidenti udhëheqës egjiptian, Mohamed ElBaradei, njëherësh ish-fitues i Çmimit Nobel, ka thënë se presidenti Hosni Mubarak “duhet të shkojë”.

Raportohet se ai është në arrest shtëpiak, por ka premtuar se “do të kthehet në rrugë”. (f.b.)
XS
SM
MD
LG