Ndërlidhjet

Droja nga ndarja


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë
Edhe pse nga Beogradi zyrtar deri më tash nuk ka pasur deklarata zyrtare që e favorizojnë idenë e ndarjes së veriut të Kosovës, ekzistojnë indikacione se një gjë e tillë mëtohet nga politika serbe, vlerësojnë liderët serbë të veriut të Kosovës.

Marko Jakshiq, anëtar i kryesisë së Partisë Dekomratike të Serbisë, thotë se te zyrtarët e lartë të shtetit serb tashmë është e vërejtshme prirja e tyre që të rezlizojnë idenë e ndarjes së Kosovës.

Marko Jakshiq
“Unë mendoj se pushteti në Beograd, para së gjithash kryetari Boris Tadiq, është i prirë kinse të bëjë ndarjen e Kosovës, ashtu siç ai mendon dhe thotë, në kuptimin që katër komunat e veriut të Kosovës kinse t’i takojnë të ashtuquajturës Serbi e ngushtë”.

“Mendoj se ai, Tadiq, është i gatshëm që pjesën tjetër ta njohë si shtet të veçantë apo si një shtet shqiptar më shumë në Ballkan. Mendoj se kjo po ndjehet në ajr dhe mendoj se kjo është strategjia politike e kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq”,
thotë Jakshiq.

Sipas tij, indikacionet që tregojnë se Beogradi zyrtar llogarit në ndarjen e Kosovës, janë edhe investimet, të cilat i bën më shumë në pjesën veriore të Kosovës, sesa në anën jugore.

Indikacion tjetër, sipas Jakshiqit, është edhe qasja e Beogradit për zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë. Në këtë pikë, pajtohet edhe Millan Ivanoviq, udhëheqës i Këshillit Kombëtar Serb në veri të Kosovës.

Ai thotë se, edhe pse nuk ka qenë qëndrim zyrtar i Serbisë që serbët në Kosovë të marrin pjesë në zgjedhje, për një gjë të tillë është lobuar në enklavat e serbëve në Kosovën qendrore.

Ndërsa, shton ai, në veri të Kosovës një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Millan Ivanoviq
“Ata patën deklaruar se nuk ka kushte për dalje në zgjedhje, ndërkaq, në anën tjetër, kemi parë që në prapaskenë është vepruar ndryshe. Përfaqësuesit e pushtetit të nivelit lokal dhe rajonal kanë lobuar te populli serb për dalje në zgjedhje, por vetëm në anën jugore të lumit Ibër”.

“Në anën veriore kjo nuk ka ndodhur. Është e çuditshme qasja e ndryshme ndaj së njëjtës çështje”,
thotë Ivanoviq, për të shtuar se veprimet e tilla japin arsye për dyshime se po shkohet në drejtim të ndarjes së Kosovës.

Por, të dy këta liderë politikë të serbëve që jetojnë në veri të Kosovës e vlerësojnë të papranueshme ndarjen. Jakshiq thotë se autoritetet në Beograd do të gabonin rëndë nëse përpiqen të realizojnë ndonjë strategji për ndarje.
Tadiq ka një marrëdhënie apo rrëfim tjetër për Pekinin dhe Moskën, e një tjetër për vendet e perëndimit.

“Unë mendoj se kjo strategji politike nga ana e shtetit të Serbisë është shumë e shëmtuar dhe e keqe, për shkak se kryetari (Tadiq) në këtë mënyrë e shkel Kushtetutën e shtetit të Serbisë. Kryetari i Serbisë është jo i sinqertë, para së gjithash me aleatët e tij politikë në botë. Ai ka një marrëdhënie apo rrëfim tjetër për Pekinin dhe Moskën, e një tjetër për vendet e perëndimit”, thekson Jakshiq.

Ndërkaq, Ivanoviq thotë se për bashkësinë serbe në Kosovë nuk mund të jetë i pranueshëm asnjë opsion i imponuar i ndarjes së Kosovës në veri dhe jug të lumit Ibër.

Nëse do të ktheheshim në kohën kur kryeministri Gjingjiq kishte parashtruar planin e tij për krijimin e entitetit serb dhe shqiptar, do të thotë që njerëzit të jetojnë në mënyrën që dëshirojnë, që të drejtat e tyre t’i realizojnë përmes institucioneve të veta, në bashkëpunim dhe lidhje me ata që kanë interesa të përbashkëta dhe me të cilët dëshirojnë të jenë të lidhur, mendoj se ky opsion do të ishte real”, konkludon Ivanoviq.
XS
SM
MD
LG