Ndërlidhjet

Sfidat ekonomike


Qeveria e ardhshme e Kosovës, e cila pritet të formohet gjatë këtij muaji, duhet të ndryshojë qasjet që deri më tash kanë pasur qeveritë e kaluara ndaj politikave për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike. Ata thonë se Qeveria e re do të ketë para vetes mjaft sfida në rrafshin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se disa nga këto sfida kërkojnë qasje të menjëhershme të ekzekutivit të ri.

“Nën një, është problemi i papunësisë së madhe, e që faktikisht është sfida më e madhe për qeverinë e ardhshme. Këtë problem nuk mund ta zgjidhim derisa nuk e krijojmë një legjislacion dhe parakushte për tërheqjen e investimeve të huaja".

"Problemi tjetër është problemi i deficitit shumë të lartë në bilancin e tregtisë së jashtme, që ai i vitit 2010 do t’i ofrohet përafërsisht 2 miliardë euro deficit. Ky problem mund të zgjidhet vetëm përmes zhvillimit të ekonomisë vendore dhe substituimit të importit me prodhimtari vendore”,
thotë Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se një nga sfidat problematike, me të cilat do të përballet qeveria e re, do të jetë edhe lufta më efikase e ekonomisë joformale.
Qeveria e mëparshme ka filluar një operacion të zvogëlimit të ekonomisë joformale përmes futjes së arkave fiskale.

“Në periudhën e ardhshme të mandatit katërvjeçar, duhet që kjo ekonomi, ky joformalitet, të zvogëlohet në kushte normale, diku rreth 10 apo 15 për qind të pjesëmarrjes së saj në krijimin e GDP-së".

"Qeveria e mëparshme ka filluar një operacion të zvogëlimit të ekonomisë joformale përmes futjes së arkave fiskale. Unë besoj që ky operacion, kjo fushatë, do të ndikojë që të rritet buxheti i Kosovës, së paku për 50 apo 60 për qind”,
vlerëson Bektashi.

Edhe Isa Mulaj, nga Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike thotë për Radion Evropa e Lirë, se ekonomia joformale do të jetë një nga sfidat kryesore të qeverisë së ardhshme.

Por, sipas tij, projektit për arkat fiskale, i duhet rishikuar mangësitë.

“Ndër më kryesoret, do ta theksoja stabilitetin e institucioneve ose bartësve të politikave ekonomike në Kosovë, siç është për shembull: Ministria e Ekonomisë dhe Financave, e cila ka filluar projektin me arka fiskale, në vitin 2009".
Por, ai projekt (arkat fiskale), sipas të gjithë treguesve, duket të jetë i dështuar.


"Por, ai projekt(arkat fiskale), sipas të gjithë treguesve, duket të jetë i dështuar. Prandaj, këtu kërkohet një analizë e gjithanshme se çka nuk shkoi ashtu siç duhet me këtë projekt dhe si të vazhdohet më tutje”,
shprehet Mulaj.

Mulaj, gjithashtu, shton se sfidë për ekzekutivin e ri do të jetë edhe vazhdimi i realizimit të projekteve kapitale.

“Nuk dihet saktësisht se si do të sigurohet financimi për vazhdimin e atyre projekteve. Ndër më kryesoret është autostrada Vërmicë – Merdar, për të cilën, momentalisht, nuk ka aq shumë burime të sigurta".

"Ne e dimë se është bërë përpjekje, vitin e kaluar, për ta shitur Postën dhe Telekomin e Kosovës dhe me ato mjete të financohet një pjesë e autostradës. Por, meqenëse ajo shitje dështoi, kjo sfidë është bartur në këtë vit, që do të thotë, edhe një sfidë për qeverinë e re që do të formohet”,
thekson Mulaj.

Sidoqoftë, ekspertët e çështjeve të ekonomisë vlerësojnë se nevojitet ndërmarrja e masave urgjente nga qeveria e re, për t’ju qasur problemeve të shumta.

Siç theksojnë ata, për një gjë të tillë, kërkohet bashkëveprim dhe ndërlidhje edhe me qeveritë e shteteve mike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe krijimi kontakteve me kompanitë e huaja multinacionale, të cilat mund të kenë interes që të investojnë në Kosovë.

Lexoni edhe këto:
Nevoja për programe të realizueshme
Buxheti i Kosovës vendoset në kufij
XS
SM
MD
LG