Ndërlidhjet

Koalicion me probleme?


Foto arkiv
Foto arkiv

Marrëveshja për koalicion qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, e cila pritet të rrumbullakohet së shpejti, nga analistët e çështjeve politike vlerësohet në mënyra të ndryshme.

Ata kanë pikëvështrime të kundërta lidhur me suksesin e mundshëm të qeverisjes nga një koalicion i tillë.

Analisti Driton Lajçi thotë se marrëveshja e PDK-së dhe AKR-së paralajmëron se qeveria e re do të krijohet brenda afatit kushtetues dhe se është mjaft pozitive që partitë politike po arrijnë kompromisin pa ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë.

Me gjithë këtë, ai vlerëson se, qeverisja nga koalicioni PDK –AKR do të përcillet me shumë vështirësi...

“Duke marrë parasysh realitetin në Kosovë dhe përvojën e mëhershme që ka qenë në mes të PDK-së dhe LDK-së, ku në momentet e fundit është prishur koalicioni, nuk mund të jemi shumë optimist se ky koalicion do të kalojë lehtë".

"Ky koalicion do të përballet me shumë vështirësi dhe me probleme të shumta. Kësaj radhe është shtuar edhe një fakt mjaft i rëndësishëm për demokracinë e brishtë të Kosovës, e ai është një opozitë e fortë në Kuvendin e Kosovës”
, thotë Lajçi.

Ndërsa, analisti Behlul Beqaj, vlerëson se koalicioni PDK – AKR dhe pakicat do ta ketë jetën e shkurtër dhe e krijon situatën që Kosova të shkoj në zgjedhje të parakohshme...

“Unë jam i sigurt se ky koalicion nuk do të jetë jetëgjatë. Por, do të ishte mirë sikur të ishte bërë një koalicion i gjerë dhe me marrëveshje. Do të ishte shumë, të them, në nivelin e përgjegjësisë, sikur pikërisht lideri, i cili është më i votuari në këtë proces zgjedhor, të kontestuar, të organizojë një konferencë për media dhe të deklarojë se si është i vetëdijshëm për gjendjen e krijuar".

"Shih për këtë, të propozojë një koalicion të gjerë, përmes të të cilit, bashkërisht do ta definonin kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe kushtet se si do të zhvillohej ai proces”,
vlerëson Beqaj.

Por, ndryshe mendon analisti Lajçi, i cili thotë se nuk beson se mund të ndodhë shpejt ndonjë dështim i këtij koalicioni dhe zgjedhjet e parakohshme. Sipas tij, një gjë e tillë nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe nuk i konvenon as bashkësisë ndërkombëtare...

“Është interes edhe i bashkësisë ndërkombëtare, konkretisht, në këtë rast, i BE-së, që Kosova të jetë partner dhe Kosova është hisenik në agjendën që e ka shpallë bashkimi Evropian për vitin 2011. Në këtë kuadër është edhe takimi me Serbinë, për normalizimin e raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës".

"Prandaj, bashkësia ndërkombëtare, mendoj unë, do t’i japë herë pas here injeksione, përkrahje Kosovës, qeverisë, partnerëve të koalicionit, në mënyrë që ta ketë sa më shumë që është e mundshme jetën e gjatë”,
pohon Lajçi.

Në anën tjetër, subjektet politike, të cilat pritet të jenë opozitë në Kuvendin e Kosovës, e kanë quajtur “pazar politik” marrëveshjen e PDK-së dhe AKR-së, por edhe si marrëveshje për interesa personale të krerëve të këtyre dy partive.

Analisti Beqaj thotë se vlerësimet e tilla nuk janë objektive nga ana e opozitarëve të ardhshëm...

“Argumentim i fortë i opozitës do të ishte: nuk mund të bëhet një koalicion, i cili ka rezultuar nga zgjedhjet e manipuluara dhe të parregullsive të mëdha, të cilat e kontestojnë legjitimitetin e faktorëve që janë në procesin e koalicionit. Si duket edhe ata janë të vetëdijshëm se, në një masë ose tjetër, kanë qenë pjesë të manipulimeve".

"Tash, kushtimisht e them, e adresojnë problemin e marrëveshjes politike te koalicioni. Ndërkaq, i njëjti problem mund të adresohet edhe në opozitë, për faktin se edhe ata nuk kanë hyrë në koalicion për shkak të marrëveshjeve dhe qëllimeve të veta politike dhe jo për interes të Kosovës”,
përfundoi Beqaj.
XS
SM
MD
LG