Ndërlidhjet

Nënshkruhen marrëveshjet e koalicionit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Mandatari për krijimin e qeverisë së re të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka nënshkruar marrëveshje për koalicion me tri subjekte politike: Aleancën Kosova e Re, Partinë e Pavarur Liberale dhe Grupin Parlamentar “6+”.

Partnerët e koalicionit qeveritar, i cili pas konkretizimit përfundimtar pritet të dalë në votim në seancën e së hënës të Kuvendit të Kosovës, shprehën bindjen se do të votohet struktura e re institucionale.

Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, shprehu përkushtimin për ndërtimin e institucioneve me, siç u shpreh ai, njerëz kredibilë, të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Thaçi tha se koalicioni i ri qeveritar gëzon, siç tha ai, bekimin e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa theksoi se tanimë ka mbështetjen e rreth 70 deputetëve.

“Jam me besim të plotë se do të jetë qeverisja më efektive në historinë politike të Kosovës deri më tani. Ka pasur koalicione të mëhershme me më tepër numra, por nuk kanë pasur efektivitet në punë. Nga numrat në Parlament, megjithëse do të jenë të mjaftueshëm, nuk do të varet efektiviteti dhe suksesi i institucioneve, por nga agjenda dhe programi. Kjo qeveri është një qeveri e vazhdimësisë programore, zhvillimore dhe integruese”, tha Thaçi.

Bazuar në marrëveshjet e nënshkruara për koalicionin e ri qeveritar, AKR-së i është ndarë posti i presidentit, i një zëvendëskryeministri, Ministria e Shëndetësisë, ajo e Forcës së Sigurisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe tre zëvendësministra.

Partia e Pavarur Liberale do të ketë një zëvendëskryeministër, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, atë për Kthim dhe Komunitete, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe tre zëvendësministra, ndërsa Grupi Parlamentar “6+” do të ketë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe gjashtë zëvendësministra.

Edhe pse votimi për president i kreut të AKR-së, Behxhet Pacolli, është vlerësuar të jetë një sfidë për partnerët e koalicionit, Pacolli u shpreh optimist se do ta ketë mbështetjen e ligjvënësve të rinj.

“Unë besoj se të zgjedhurit, përfaqësuesit e popullit të Kosovës, do të votojnë për zgjedhjen time si president të Kosovës. Unë, prej momentit që ia filloj punës, do të filloj implementimin e të gjitha obligimeve që parashihen me kushtetutë”, u shpreh Pacolli.

Prioritetet e koalicionit të ardhshëm qeveritar u tha se do të jenë implementimi i reformave ekonomike, politike dhe të legjislativit, si dhe integrimi në strukturat euro-atlantike.

Në krye të agjendës së qeverisë së re, sipas liderëve politikë të partive që themeluan koalicionin, do të jetë dhe miratimi i buxhetit të ri për Kosovën dhe krijimi i ekipit që do të udhëheqë bisedimet me Beogradin zyrtar.

Pjesë e këtij ekipi mund të jenë dhe përfaqësues të koalicionit nga radhët e komunitetit serb.

Kreu i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq, shpjegoi:

Ne, nga pikëpamja e Partisë së Pavarur Liberale, të njerëzve që janë në institucione, do të japim kontribut të rëndësishëm që ato bisedime të implementohen dhe të rezultojnë me interes për të gjithë qytetarët që jetojnë në këtë hapësirë. Gjithsesi që tash do të kemi më shumë rast që së bashku me kryeministrin të merremi vesh lidhur me këtë çështje. Ajo që dihet, kur bëhet fjalë për Partinë e Pavarur Liberale, është se politika e subjektit tonë bazohet në realitetin dhe përgjegjësitë, e jo në popullaritetin”, u shpreh Petroviq.

Negociatat për koalicionin e ri qeveritar, megjithatë, thuhet se do të vazhdojnë edhe gjatë së dielës. Ende ka mbetur e paqartë se kush do të jetë kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, se cilat poste do t’i ketë përfundimisht Partia Demokratike e Kosovës dhe si do të duket marrëveshja me listën “Ibrahim Rugova”.

XS
SM
MD
LG