Ndërlidhjet

Skenarët e mundshëm


Seanca e konstituimit të Kuvendit, 21 shkurt 2011
Seanca e konstituimit të Kuvendit, 21 shkurt 2011
Votimi për zgjedhjen e presidentit të ri dhe Qeverisë së Kosovës, i cili është shkak për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, do të jetë sfidë e vërtetë për koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe përfaqësueve të minoriteteve, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike dhe analistët politik.

Riza Smaka, ekspert i së drejtës kushtetuese, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë tri raunde të procedimit për zgjedhjen e presidentit të vendit...

“Raundi i parë, kërkon shumicën absolute. Nese do të dështojë, e unë besoj se do të deshtojë, mbahet raundi i dytë. Pikëpamja ime është se edhe ky raund do të dështojë. Pason raundi i tretë, në të cilin kërkohet shumica e kualifikuar, do të thotë, 61 deputetë".

"Në qoftë se do të dështonte edhe raundi i tretë, atëherë duhet të shpërndahet Kuvendi dhe do të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Se çfarë do të ndodhë, është hipotetike”,
thotë Smaka.

Në anën tjetër, Arben Qirezi, analist i çështjeve politike, vlerëson se tashmë janë krijuar rrethana mjaft sfiduese për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, i cili post, në bazë të marrëveshjes së partnerëve të koalicionit PDK dhe AKR, i takon presidentit të kësaj të fundit, Bexhet Pacolli...

“Ka pasur paralajmërime se nuk do të jetë i qartë qëndrimi i një pjese të deputetëve të Partisë Demokratike, se a do të jenë në favor të zgjedhjes së zotit Pacolli si president i Kosovës apo jo. Debatet brenda partisë Demokratike, të cilat janë raportuar në media, kanë treguar se ekzistojnë mospajtimet, të cilat duket se për momentin janë zgjidhur me zgjedhjen e zotit krasniqi, si kryetar i Kuvendit".

"Mirëpo, kjo nuk do të thotë se çështja se si do të votojnë madje edhe të gjithë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, është zgjidhur krejtësisht. Në anën tjetër, kemi paralajmërime poashtu edhe të LDK-së, AAK-së dhe Vetëvendosjes se këto parti nuk do ta votojnë zotin Pacolli për president të Kosovës”
, thotë Qirezi.

Ngjashëm e përshkruan situatën edhe zoti Smaka, sipas të cilit ende mbeten pezull gjasat për zgjedhjen e presidentit dhe Qeverisë së re në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës....

“Gjasat janë 50 me 50... aty diku; pikëpamja ime është kjo, sa unë kam informacione. Edhe në kuadrin e Partisë Demokratike, ekziston një numër i konsiderueshëm i deputetëve, që nëse nuk janë absolutisht kundër, hezitojnë fuqishëm. Ka disiplina partiake, ka edhe urgjenca për buxhetin etj",
vlerëson Smaka.

Ndërkaq, analisti Qirezi vlerëson se votimi për presidentin e Kosvës do të shkojë deri në raundin e tretë...

“Por, në rast se dështon zgjedhja e presidentit edhe në raundin e tretë, atëherë mund të propozohet edhe ndonjë kandidat nga ndonjë parti tjetër".

"Atëherë, praktikisht, marrëveshja për koalicion ndërmjet PDK-së dhe AKR-së mund të bie në ujë dhe ose do të kemi një propozim për president të ri nga opozita, i cili, nëse zgjidhet, do ta nominojë mandatarin e ri. Ose, nuk do të ketë propozim fare nga opozita dhe në këtë rast, Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja”,
përfundoi Qirezi.
XS
SM
MD
LG