Ndërlidhjet

Hauard: Autoritarizmi si shpërfytyrim i pushtetit


Ish kryeministri australian, Xhon Hauard
Ish kryeministri australian, Xhon Hauard
Xhon Hauard ka qenë kryeministër i Australisë për rreth 12 vjet para se të largohej nga ky post më 2007-ën. Njihet si avokat i fuqishëm i demokracisë dhe sistemit të tregut të lirë. Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, zoti Hauard, flet për valën demokratike në Lindjen e Mesme dhe mundësitë e Perëndimit për të ndryshuar regjimet autoritare.

Charles Recknagel

Ish kryeministri Australian, Xhon Hauard, aktualisht avokat i fuqishëm i demokracisë, shpreson se zhvillimet që po ndodhin në Lindjen e Mesme janë vërtetë zhvillime demokratike.

"Shpresoj shumë që është vërtetë një valë për ndryshime demokratike. Por, arsyeshëm, duhe të pezullojmë çdo gjykim derisa të shohim se si po zhvillohen gjërat, ndonëse unë kam një pikëpamje optimiste".

"Një gjë të cilën e cilësoj si shumë trimëruese është fakti se në të gjitha pamjet e protestave, ka pasur pothuajse mungesë totale të çdo lloj anti-amerikanizmi dhe me aq sa unë munda të dalloj, edhe të motiveve anti-izraelite",
thotë zoti Hauard.

"Me sa është parë, turmat përbëhen kryesisht nga të rinjtë dhe këtu mund të ketë shumë mesazhe, jo vetëm për faktin se të rinjtë, natyrisht, shfrytëzojnë mediat e socializimit dhe të komunikimit dhe janë të padurueshëm kur u thuhet se si duhet të sillen, por kjo mundet edhe të nënkuptojë se të rinjtë kanë një qasje më ndryshe ndaj gjërave, që mund të kenë qenë mjetet propagandistike për liderët e tyre",
thotë zoti Hauard.

Duke folur për motivet që nxisin liderë të ndryshëm të regjimeve autoritare të mbajnë pushtetin me çdo kush dhe çdo çmim, ish kryeministri australian, i cili edhe vetë mund të ketë pasur të bëjë me liderë të këtillë, thotë se varshmëria është një nga arsyet.

"Është varshmëria dhe në disa raste shpërfytyrimi i pushtetit. Këtu fjalën e kam për liderët autoritare që kam takuar dhe më i keqi që kam takuar, kur kam qenë lider i opozitës, ka qenë Nikolaj Çaushesku; ai ka qenë shembulli më i shëmtuar i një personi autoritar që unë kam takuar", thotë Hauard.

"Mendjet e diktatorëve, të njerëzve autoritarë, janë shumë të ndryshme. Ata nuk janë të mësuar me kufuzime dhe impulset që përcillen nga këto kufizime dhe në fund, është vetëm çështje niveli kur ata fillojnë të sillen në mënyrën e tyre. Ndonëse disa janë më pak brutalë se të tjerët, ata pavarësisht varen nga aparati brutal i policisë se fshehtë. Të jemi realistë, thotë zoti Hauard, çdo regjim diktatorial toleron torturën, krimin dhe çdo formë të shkeljes së të drejtave të njeriut".

Por, si të promovohet demokracia?

"Duhet vepruar në bazë të interesave kombëtare, por jo deri në shkallën kur mund të sakrifikohen vlerat dhe parimet personale. Australia është bashkëpunëtore e ngushtë tregtare me Kinën dhe Kina është destinacioni ynë më i madh i eksportit".

"Kina ka një regjim autoritar dhe shtypja e protestave të studentëve në sheshin Tiananmen ishte brutale dhe u shfrytëzuan madje edhe tankset".


"Si e promovojmë demokracinë?" pyet Hauard, duke thënë se duhet të insistuar në parimet demokratike.

"Për shembull, kinezët ishin shumë të zëshëm edhe publikisht kur më thanë se nuk duhet ta takoja Dalai Laman. Unë natyrisht që doja ta takoja kur ai vizitoi Australinë, por a doja apo jo ta takoja, nuk ishte çështja. Kur m’u tha që s’duhej ta takoja, unë u sigurova që të takohesha me të", thotë Hauard.

"Është me rëndësi të ekspozojmë sistemin tonë dhe të demonstrojmë se kemi procese të sundimit të ligjit dhe i zbatojmë ato sa herë që kemi të bëjmë me regjime autoritare", thotë Xhon Hauard, avokat i parimeve demokratike. (a.v.)
XS
SM
MD
LG