Ndërlidhjet

Trajkoviq: Tre gishtërinjtë e patriotizmit pozitiv


Rada Trajkoviq
Rada Trajkoviq
Porositë e patriotizmit pozitiv janë që t’ua rikujtojnë identitetin dhe t’u tregojnë se dikush mendon për ta (serbët), tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Rada Trajkoviq, deputete e Listës së Përbashkët Serbe në Kuvendin e Kosovës.





RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, ju keni votuar kundër Qeverisë së Kosovës. Si mendoni t’i realizoni objektivat dhe kërkesat tuaja?

RADA TRAJKOVIQ
Qeveria e Kosovës nuk e ka përfaqësuar dhe nuk e përfaqëson pozicionin e shumicës, para së gjithash të popullit shqiptar, në hapësirën e Kosovës. Sinqerisht, mendoj se ka kaluar koha që serbët të jenë ata që duhet qenë, siç thuhet, në funksion të imponimit të vullnetit ndaj popullit shumicë shqiptar, në kuptimin e zgjedhjes së institucioneve në Kosovë. Por, me këtë zgjedhje, duke iu falënderuar deputetëve serbë, kjo qeveri është votuar.

Unë mendoj se kjo më shumë do të ngjallë animozitet të shqiptarëve ndaj serbëve, sesa që do të jetë në funksion të zgjidhjes së çështjes serbe në Kosovë. Unë, besoj thellësisht që nga kjo përkrahje e deputetëve serbë, do të dalin në esencë sanksionet për serbët në procesin e ardhshëm të krijimit të Ligjit për zgjedhjet ose për zgjedhjet e ardhshme, sepse shqiptarët tash do të kërkojnë që bashkësia serbe dhe pakicat tjera, të mos kenë më mundësi të tilla, që me partitë shqiptare, në thelb t’ia imponojnë vullnetin popullit shumicë shqiptar ose shumicës së popullit shqiptar.

Këto kanë qenë disa nga arsyet që të rebelohem, sepse mendoj se kjo është një zgjidhje afatshkurtër, e cila në afat të gjatë nuk mund të sjellë stabilitet ose ndërtim të një marrëdhënieje korrekte në të ardhmen, në mes të popullit shqiptarë dhe serbëve në Kosovë, në kuptimin e asaj që është angazhimi im dhe prioritet për mbijetesën funksionale të popullit tim, si dhe përkrahjen për popullin tim. Nisur nga kjo, unë besoj edhe në brendinë e opozitës, por edhe në brendësinë e atyre që e kanë shumicën.

Megjithatë, ekzistojnë mjaft njerëz që do të më ndihmojnë që në të ardhmen të punojmë në diçka që do të jetë zgjedhja e institucioneve ku do të dominojë vullneti i popullit të Kosovës, në kuptimin e zgjedhjes së institucioneve, të cilat, në fakt, do të reflektojnë atë vullnet në një mënyrë të duhur dhe të qëndrueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Listën e Përbashkët Serbe në Kuvendin e Kosovës e përfaqësojnë katër deputetë. A janë këta deputetë vërtet unikë, apo ka pasur përçarje ndërmjet këtyre deputetëve?

RADA TRAJKOVIQ
Lista e Përbashkët Serbe përfaqëson më shumë se 6 mijë zgjedhës. Mua më duhet ta them se sa i përket zgjedhësve tanë, ajo është plotësisht unike, ndërsa për njerëzit që kanë qenë kandidatë për deputetë, ajo është sigurisht 95 për qind unike, sepse të gjithë përfaqësojmë të njëjtin qëndrim.

Sa i përket anës individuale, të atyre që kanë marrë shumicën, fatkeqësisht e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre dhe u janë mbështetur atyre, për të cilët, gjatë fushatës, kemi tërhequr vërejtjen për punë të keqe lidhur me kushtet e mbijetesës së serbëve në Kosovë. Besoni që ky është thelbi i problemit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund dhe si mund të reflektojë kjo ndarje?

RADA TRAJKOVIQ
Mund të reflektojë në mënyrën që shumica, e cila, para së gjithash, i është bashkangjitur partisë së zotit Thaçi. Posaçërisht Partinë e Pavarur Liberale unë do ta quaja fraksion në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës, të krahut të Hashim Thaçit, sepse ajo e inkorporon programin e saj në formë të përbashkët me programin e zotit Thaçi.

Këtu, realisht nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor, sepse ata nuk guxojnë dhe nuk mund të ndahen nga ajo që e ka si qëllim të programit kryetari i partisë së tyre, zoti Thaçi, dhe jo Sllobodan Petroviq, i cili realisht është vetëm improvizim i liderit të partisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, realisht, jeni subjekt opozitar në Kuvendin e Kosovës. A do të bashkëpunoni me partitë tjera opozitare?

RADA TRAJKOVIQ

Shihet dhe ndjehet se ka serbë, sikur dhe unë si përfaqësuese e serbëve, që janë të gatshëm për bashkëpunim me opozitën shqiptare në Kuvendin e Kosovës, për të gjitha çështjet që janë me interes për banorët e Kosovës. Gjithsesi, unë si serbe, do të kërkoj mbështetjen edhe për funksionimin dinjitoz të popullatës sime në këtë hapësirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, në media është përfolur mjaft veprimi i juaj për, siç thuhet, ngritjen e tre gishtërinjve në Kuvendin e Kosovës. Pse ka ndodhur kjo?

RADA TRAJKOVIQ

Më duhet ta them dhe më vjen mirë që më pyesni për këtë. Kur një popull dhe përfaqësuesi i atij populli gjendet në Kuvend dhe nëse dy të tretat e atij populli janë zhvendosur nga Kosova, nëse jeton edhe në këtë çast pa mundësinë që ta ketë televizionin e tij, mediat e veta, jeton ende me frikën për mbijetesën e tij funksionale, do të thosha se porositë e patriotizmit pozitiv janë porosi. Ato porosi duhet t’ua rikujtojnë identitetin dhe t’u tregojnë se dikush mendon për identitetin e tyre.

Kjo është mënyra dhe mundësia e vetme që brenda Kuvendit dhe brenda të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë, unë t’ua dërgoj porosinë dhe në atë mënyrë ua rikujtoj identitetin e tyre. Me këtë, në një mënyrë edhe t’i trimëroj për ruajtjen e identitetit të tyre, si një mënyrë dhe mundësi që të mbetemi në hapësirën e Kosovës dhe të mbrohemi nga projektet e asimilimit, e, gjithashtu, edhe nga projektet për zhvendosje, sepse ata që dëshirojnë që ta ruajnë identitetin, ata gjithsesi se do të jenë të orientuar që të mbeten në Kosovë.

Sjellja ime në Kuvend, ju ka ndihmuar ose do t’ju ndihmojë në mënyrë thelbësore njerëzve të rinj që të trimërohen për të jetuar lirisht në Kosovë dhe të gjithë, të bashkuar të luftojmë për atë liri. Këtë e bëjnë gjithmonë të gjithë popujt, që janë të rrezikuar deri në atë masë siç është i rrezikuar populli im në këtë hapësirë dhe i cili ka qenë i rrezikuar edhe deri më tash.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se një gjë e tillë, ngritja e tre gishtërinjve, nuk është ose nuk duhet të kuptohet si provokim për deputetët tjerë në Kuvendin e Kosovës, shumica dërmuese e të cilëve janë shqiptarë?

RADA TRAJKOVIQ
E, pse të jetë provokim? Unë mendoj se ata nuk e përjetojnë ashtu. Ata e dinë se janë shumicë. Ata e dinë se nuk iu kërcënohet rreziku nga ne. Ata shumë mirë e dinë, ndërkaq të gjithë dashamirët e kuptojnë, se kjo ishte sjellje që duhet të dërgoj porosi thelbësore për popullin tim që ai vetëm të jetë i qëndrueshëm.

Kjo nuk ka të bëjë me asgjë që mund të jetë kërcënim dhe ata këtë e dinë. Po ashtu, kjo nuk ka të bëjë me asgjë kundërshtuese. Unë kam hyrë në institucione që të punoj së bashku me të gjithë ata që janë brenda këtyre institucioneve. Do të thotë, unë punoj në institucione të sistemit, e jo që ta udhëheq popullin në rrugë.

Kjo edhe një herë tregon se brenda këtyre institucioneve është e drejtë e imja demokratike që të votoj ashtu siç votojnë edhe deputetët e Lëvizjes Serbe të Ripërtëritjes në Kuvendin e Serbisë ose deputetët e tjerë. Kjo nuk paraqet kurrfarë rreziku as për Kuvendin e Kosovës dhe institucionet, e as për cilindo popull, qoftë ai serb apo shqiptar.
XS
SM
MD
LG