Ndërlidhjet

Buxheti për 2011: Pasojat e vonesave


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kosova ende nuk e ka miratuar buxhetin e tërësishëm të këtij viti, por Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Financave, thotë se ky fakt nuk nënkupton që arka e Kosovës është në zero. Megjithëkëtë, ekspertët e çështjeve ekonomike vlerësojnë se vonesa për miratimin e buxhetit do të shkaktojë implikime të mundshme dhe të ndryshme, e sidomos në projektet ku ka investime kapitale.


Pavarësisht se Kosova tashmë ka hyrë në muajin e tretë pa buxhet të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se arka e saj nuk është zbrazët.

Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Financave, thotë se për shkak të pamundësisë së deritashme për t’u miratuar buxheti i tërësishëm vjetor i Kosovës, ekzekutivi i saj ka shfrytëzuar mundësitë ligjore që në arkën e saj të ketë mjete financiare për muajin janar dhe shkurt.

“Jo, absolutisht, kjo nuk e lë arkën e Kosovës në zero. Arka e Kosovës nuk ka qenë në zero as në muajin janar, e as në muajin shkurt. Në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave dhe përgjegjësive publike, ne e dimë se i lejohet Kosovës që të shfrytëzojë një të dymbëdhjetën e vitit paraprak (buxhetit), sa është shfrytëzuar vitin e kaluar, për muajin janar dhe shkurt. Ndërsa, është bërë kërkesa edhe për muajin mars, në mënyrë që të mos mbesë arka e shtetit në zero”
, thotë Shahini.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se vonesa e deritashme për miratimin e buxhetit do të shkaktojë pasoja dhe implikime të tjera.

Eksperti për ekonomi, Musa Limani, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se kjo vonesë do të ketë implikime të shumëfishte ekonomike dhe politike.

“Në aspektin ekonomik, mosaprovimi i buxhetit, ka bërë të pamundur që të avancohen investimet kapitale. Do të thotë, kanë stagnuar investimet kapitale, gjë që shprehet negativisht në rrjedhat ekonomike. Në aspektin politik, është shumë më i madh, për arsye se premtimet që i kishte dhënë kryeministri i atëhershëm në dorëheqje dhe tash prapë kryeministër, Hashim Thaçi, nuk mund t’i realizojë”,
shprehet Limani.

Edhe eksperti tjetër për ekonomi, Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se vonesa e miratimit të buxhetit të sivjetmë të Kosovës, mund të shkaktojë pasoja në investimet kapitale.

Si shembull, Bektashi merr projektin e ndërtimit të autostradës Vërmicë - Merdar.

“Me këtë prolongim ndikohet në pengimin e vazhdimit të investimeve kapitale që kanë filluar nga viti i kaluar. Posaçërisht mund të ketë probleme me ndërtimin e autostradës Merdar - Vërmicë, që faktikisht mund të shkaktojë edhe ndërprerjen e punës nga punëkryesi amerikano-turk”,
vlerëson Bektashi.

Mendim të ngjashëm ka edhe profesor Limani.

“Normalisht që në kontratë është paraparë edhe klauzola e penaleve. Ai, i cili nuk i kryen obligimet, normalisht që i nënshtrohet penaleve. Do të thotë, atëherë vjen kamata ndëshkuese. Prandaj, do të ketë shumë implikime”, pohon Limani.

Por, profesor Bektashi thotë se mosmiratimi i buxhetit me kohë në këtë vit, do të reflektojë ndikimin edhe në vitin e ardhshëm.

“Për vitin e ardhshëm mund të ketë pengesa, sepse, faktikisht, mjetet e ndara për investime kapitale, që duhet të shfrytëzohen për 12 muaj, tash me aprovimin me vonesë prej 3 apo 4 muajve, ndikon që këto mjete të shfrytëzohen me një shpejtësi”.

“Por, mund të ndikojë edhe në suficit më të madh në vitin e ardhshëm, në buxhetin e këtij viti, sepse është e pamundur që me këtë forcë absorbuese, që e kanë institucionet e Kosovës, që brenda vetëm 8 muajve t’i shpenzojnë të gjitha ato mjete
”, thekson Bektashi.

Ndryshe, zyrtarët e Kuvendit të Kosovës tashmë kanë paralajmëruar se miratimi i buxhetit të tërësishëm për këtë vit, pritet të ndodhë në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill.
XS
SM
MD
LG