Ndërlidhjet

DASH: Kosova, transit i drogës afgane


Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH)
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH)
Kosova është vend transit i heroinës së prodhuar në Afganistan e që për destinacion ka Evropën, por në bazë të raporteve të Policisë së Kosovës ka sugjerime se vendi përballet edhe me problemin e prodhimit të narkotikëve.

Me këtë konstatim, fillon raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi narkotikët dhe problemin e trafikut të drogës në botë.

Në kapitullin për Kosovën, raporti thotë se lufta kundër trafikut të narkotikëve përballet me sfida të shumta, midis tjerash edhe për shkak të kufijve të brishtë dhe korrupsionit te Policia Kufitare e Kosovës dhe zyrtarët e Doganave.

Kosova nuk është një prodhues thelbësor i narkotikëve, ndonëse policia e Kosovës ka gjetur disa dëshmi të kultivimit të marihuanës në nivel të ulët në zonat rurale.

Por, thuhet në raport, Kosova është vend transit i heroinës së prodhuar në Afganistan që kalon përmes Turqisë dhe kokainës e marihuanës që vjen nëpërmjet porteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, me destinacion Evropën.
Drogat ripaketohen në pako më të vogla nëpër disa lokacione të panjohura në Kosovë dhe pastaj transportohen me automjete drejt qyteteve të Bashkimit Evropian. Pakot e mëdha kryesisht transportohen nëpërmjet autobusëve, kamionëve apo vendkalimeve të pambrojtura transite të vendeve fqinje.

Sipas të dhënave nga misioni evropian për sundimin e ligjit dhe Policisë së Kosovës, ka lëvizje të shumta por në sasi të vogla të narkotikëve, dy deri në 5 kg për një person ose 10 deri në 20 kg nëpërmjet bagazhit të një autobusi.

Raporti vë në pah edhe mangësitë në përpjekjet e autoriteteve për të ndaluar dhe konfiskuar drogat që kalojnë nga Kosova, duke thënë se nuk ka pasur ndryshime thelbësore në metodologjinë dhe taktikën e shfrytëzuar nga zyrtarët policorë dhe doganorë.

Duke pranuar megjithatë se përpjekjet nuk mungojnë dhe përparimet janë bërë, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vë në dukje se të dhënat për konfiskimin, arrestimin dhe ndjekjen penale të narkotikëve dhe atyre që merren me trafikun e tyre janë në masë të madhe jo të besueshme dhe jo konsistente.

Të dhënat mungojnë edhe për konsumin e brendshëm të substancave narkotike, me të cilat merret vetëm Programi i Kombeve të Bashkuara, UNICEF dhe organizata joqeveritare Labirint.

Të dyja qendrat raportojnë për një treg në rritje vendor dhe se përdorimi i drogave të paligjshme është gjithashtu në rritje. Sipas të dhënave të tyre, thuhet në raport, shfrytëzuesit primarë të narkotikëve janë adoleshentët dhe studentë universitarë.

Niveli i konsumit të narkotikëve në mesin e këtyre shtresave në Kosovë është i përafërt me atë që kanë shumica e vendeve të Evropës perëndimore.

Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare, raporti citon UNICEF-in, sipas të cilit përdoruesit përllogariten në rreth 20 mijë vetë, ndër të cilët 5000- 6000 janë përdorues që kanë zhvilluar varësi nga droga intravenoze.

Sidoqoftë, kapitulli për Kosovën në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit përmban edhe njoftimet e zyrtarëve të EULEX-it, të cilët në bisedime me stafin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara kanë njoftuar se disa zyrtarë qeveritarë kanë ndërhyrë në ndjekjen penale të atyre që akuzohen për tregti me drogë.

Sistemi i Gjyqësorit është i stërngarkuar dhe i pazhvilluar.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin sundimin e ligjit në Kosovë, për të luftuar përdorimin dhe trafikimin e drogës, thuhet mes tjerash në fund të raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit. (a.v.)
XS
SM
MD
LG