Ndërlidhjet

Gadafi përdor sulme ajrore në betejën për Libinë


Muamar Gadafi
Muamar Gadafi

Për të tretën ditë me radhë, forcat ajrore të Libisë kanë ndërmarrë sulme ajrore kundër forcave të opozitës.

Aeroplanët luftarakë kanë vazhduar të hedhin bomba afër bazës ushtarake në paralagjet e qytetit Axhdabija, ndërkohë që kanë vazhduar luftimet për kontrollin e terminaleve të naftës në lindje të vendit.

Forcat kryengritëse, të cilat e pushtuan zonën javën e kaluar, kanë thënë se bombardimet nuk kanë shkaktuar dëme apo viktima. Por, sulmet ajrore i kanë rritur tensionet në mesin e kundërshtarëve të Gadafit në Libinë lindore.

Besnikët e qeverisë po përpiqen ta kthejnë territorin përgjatë autostradës bregdetare në lindje. Por, qindra luftëtarë kryengritës kanë ardhur në Axhdabija për t’i përforcuar pozitat mbrojtëse. Vlerësohet se rreth 80 për qind e stabilimenteve eksportuese të naftës tash janë nën kontrollin e forcave antiqeveritare.

Megjithëse opozita ka qenë në gjendje t’i sprapsë ofensivat në Axhdabija dhe terminalin e afërt në qytetin Brega, specialistët ushtarakë kanë thënë se ata nuk duket se kanë kapacitete ushtarake për të nisur një ofensivë në kryeqytetin Tripoli.

Ndërkohë, në kufirin veriperëndimor, ku rreth 100 mijë njerëz kaluan në Tunizi, agjencitë e Kombeve të Bashkuara thonë se forcat pro regjimit tash grumbullohen në pjesën libiane.

Presidenti Obama ka thënë se po shqyrton çdo opsion lidhur me Libinë, përfshirë dhe sulmet ushtarake. Duke folur në Uashington, Obama ka mbështetur thirrjet e opozitës për largimin e Muamar Gadafit.

Obama e ka bërë të qartë se nuk e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së një zone të ndalim-fluturimit mbi Libi për t’i penguar forcat e Gadafit që të bombardojnë forcat anti-qeveritare. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka bërë të qartë se përparësi në këto momente është ndihma ndaj refugjatëve dhe parandalimi i një krize të mundshme humanitare.

"Ekziston rreziku i vazhdimit të situatës aktuale mes grupeve të ndryshme në Libi, që me kalimin e kohës mund të kthehet në të përgjakshme. Ky është një skenar që po e shohim me kujdes. Dua të sigurohem se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetet e plota për të vepruar shpejt nëse situata përkeqësohet dhe krijohet një krizë humanitare"
, ka theksuar Obama.

Ai, gjithashtu, i ka ripërsëritur thirrjen Gadafit që të largohet menjëherë nga pushteti dhe ua ka përkujtuar komandantëve të tij se mund të përballen me gjykime për “krime kundër njerëzimit” nëse trupat e tyre vazhdojnë t’i sulmojnë civilët.

“Ne do të vazhdojmë të dërgojmë mesazh të qartë: dhuna duhet të ndalet, Muamer Gadafi e ka humbur legjitimitetin që të udhëheqë dhe duhet të shkojë. Ata që kryejnë akte dhune ndaj njerëzve të Libisë do të japin llogari. Aspiratat e popullit libian për liri, demokraci dhe dinjitet duhet të plotësohen”,
ka thënë Obama.

Të premten në Tripoli, autoritetet e Libisë i kanë penguar gazetarët e huaj që të dalin nga hoteli i tyre, për të raportuar rreth një proteste të paparalajmëruar kundër regjimit të Gadafit.

Një zëdhënës i qeverisë libiane ka thënë se rreth 130 gazetarët u mbajtën në hotelin Rixos, për shkak se prania e tyre mund të nxiste dhunë nga ata që u përshkruan si njerëz të afërt me Al Kaidën.(v.p.)
XS
SM
MD
LG