Ndërlidhjet

Bisedimet ndikojnë në njohje


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Nisja e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë mund t’u shërbejë shteteve hezituese për njohjen e Kosovës, ta marrin vendimin për njohje, por shtetet që kanë pasur qëndrime thellësisht negative ndaj pavarësisë së vendit - vështirë që do ta marrin një vendim të tillë, vlerësuan analistët politikë në Prishtinë. Lidhur me rritjen e numrit të njohjeve, ata theksuan rëndësinë që të punohet më intensivisht në imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.


Njohësit e rrethanave politike në Kosovë thonë se bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit do të kenë efekte të ndryshme në procesin e njohjes së Kosovës.

Omani ishte vendi i fundit, i cili në fillim të muajit shkurt njohu shtetësinë e Kosovës, duke e çuar në 75 numrin e njohjeve që i janë bërë vendit që nga shpallja e pavarësisë tre vjet më parë.

Për herë të parë pas bisedimeve politike për statusin e Kosovës që mbaheshin në Vjenë, ekipi kosovar qëndroi të martën përballë atij serb në Bruksel për të nisur bisedimet për çështje teknike, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës

Ky mekanizëm, megjithatë, nuk e njeh në tërësi Kosovën, ngase pesë vendet e tij anëtare hezitojnë ta hedhin hapin për njohje.

Publicisti Halil Matoshi tha se reagimet eventuale - pro apo kundër njohjes së Kosovës, të shteteve që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, do të varen nga qëndrimet e mëparshme të këtyre shteteve.

“Me vetë faktin që Prishtina dhe Beogradi po dialogojnë, është një fakt që merret parasysh dhe mund të pasojë me njohje nga kjo palë shtetesh - do të thotë që nuk kanë qëndrim armiqësor ndaj shtetit të ri. Ndërkaq, shtetet që mbajnë qëndrim rigjid ose armiqësor ndaj pavarësisë së Kosovës, do të vazhdojnë të thonë se ne e presim marrëveshjen serbo-shqiptare për të njohur realitetet e reja”,
u shpreh Matoshi.

Autoritetet kosovare shfaqin shpresën që bisedimet me shtetin serb të përfundojnë me njohjen e Kosovës nga pala serbe, mirëpo zyrtarët në Beograd vazhdojnë të insistojnë që statusi i Kosovës të jetë temë diskutimi e bisedimeve kurdo në të ardhmen.

Qeveria e Serbisë

Analisti Arben Qirezi u shpreh pesimist për ndryshimin e qasjes serbe karshi pavarësisë së Kosovës. Ai theksoi rëndësinë që Prishtina zyrtare të heqë dorë nga bisedimet në rast të vazhdimit të diplomacisë serbe kundër shtetësisë së vendit.

“Po i referohem deklaratës së zëvendëskryeministrit serb, Bozhidar Gjeliq, i cili i kishte vënë bisedimet aktuale ndërmjet Kosovës e Serbisë në kontekstin e diskutimeve për një status të ri të Kosovës brenda Serbisë. Prandaj them se, në dritën e këtyre deklaratave më të reja të Gjeliqit, të cilat janë dhënë pasi që ka filluar dialogu, atëherë Qeveria e Kosovës do të duhej ta shqyrtojë pozicionin e vet vizavi këtij dhe mbase edhe të tërhiqet tërësisht nga ky dialog”, theksoi Qirezi.

Sidoqoftë, Ministria e Jashtme e Kosovës zotohet ta ketë përgatitur një strategji për njohjen e Kosovës - strategji e cila thuhet se përfshin dhe përmirësimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Matoshi vlerësoi se puna më e madhe në këtë drejtim qëndron në kryeqytetin kosovar.

“Strategjia më e fuqishme për të marrë sa më shumë njohje ndërkombëtare dhe për afirmim në botë bëhet në Prishtinë, e askund tjetër. Ky imazh është i cenuar rëndë që nga aferat kriminale, korrupsionit galopant, që nga vjedhja e abuzimi frapant i zgjedhjeve të lira, e deri te zgjedhja e pothuajse e dhunshme e presidentit të vendit duke e hequr nga loja Kuvendin e Kosovës”,
vlerësoi Matoshi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG