Ndërlidhjet

Pas tërmetit dhe cunamit, rreziku bërthamor


Pasojat e tërmetit
Pasojat e tërmetit
Një shpërthim ka goditur centralin bërthamor të Fukushimës. Disa njerëz janë plagosur, ndërsa kryeministri Naoto Kan, i cili ka vizituar zonën me helikopter, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Zëdhënësi i qeverisë, Juko Edano, tha se niveli i rrezatimit rreth uzinës nuk është rritur, pavarësisht pohimeve të mëhershme të mediave.

Raportet flasin për dhjetëra mijëra njerëz të evakuuar. Ekipet e shpëtimit janë në kërkim të të mbijetuarve pas tërmetit të së premtes, i cili besohet të ketë marrë mbi 1300 jetë.

Mbi 5.6 milionë familje kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa mbi një milion të tjera pa ujë.

“Tani për tani, unë vetëm dua që të rregullohen këto gjëra. E gjitha çfarë kërkoj nga njerëzit, është t’i rregullojnë këto gjëra”, thotë banori i kësaj ane Joshikazi Javatari.

Ushtria japoneze ka mobilizuar mijëra trupa, 300 avionë dhe 40 anije për të ndihmuar në rimëkëmbjen e vendit.

Ekipe të shpëtimit kanë arritur edhe nga Koreja e Jugut, Zelanda e Re dhe Singapori. Rreth 50 vende të tjera kanë ofruar ndihmë në operacionet e kërkim shpëtimit.

Edhe presidenti amerikan, Barak Obama, ka shprehur gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Japoninë. Ai ka mobilizuar ushtrinë amerikane për ofrimin e ndihmës emergjente në vendin e goditur nga fatkeqësia.

“Kjo është një fatkeqësi katastrofike. Imazhet e shkatërrimeve dhe përmbytjeve që vijnë nga Japonia, janë thjesht tronditëse. Japonia është një nga aleatët tanë më të fortë dhe më të afërt. Unë kam biseduar me kryeministrin Naoto Kan dhe kam ofruar çdo lloj ndihme të nevojshme”, ka thënë Obama.

Tërmeti i së premtës është ndjekur nga të paktën 50 dridhje më të lehta. Pensionisti 61-vjeçar Emiko Nakahare thotë:

“Ka pasur dëme të tmerrshme. Të gjithë thonë se ky është tërmeti më shkatërrues që ka goditur Japoninë. Shpresoj të mos ketë ndonjë tjetër. Kjo do të ishte gjëja më e mirë në të gjitha këto dëme”.

Dridhjet me magnitudë 8.9 që kanë lëkundur bregun verilindor të Japonisës përbëjnë një nga pesë katastrofat më të mëdha që kanë goditur botën në shekullin e kaluar.

Pavarësisht fatkeqësisë, Banka Qendrore e Japonisë zotohet se do të bëjë maksimumin për të siguruar stabilitetin e tregjeve financiare. (v.t.)

Lexoni edhe këtë:
Japonia goditet nga tërmeti dhe cunami

Pamjet CNN:

XS
SM
MD
LG