Ndërlidhjet

Thaçi: Dialogu sjell njohjen reciproke


Kryeministri Hashim Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është i bindur se dialogu i nisur javën e kaluar me Serbinë në Bruksel, do ketë përfundime pozitive, si: njohjen reciproke mes dy vendeve dhe integrimin e tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Ndërsa opozita ka shfaqur drojën se nga këto bisedime do të pësojë veriu i vendit, kryeministri heq dilemat. Ai hodhi poshtë çdo diskutim për ndonjë status special për veriun, pjesë kjo e kontrolluar nga strukturat paralele serbe.
Për rregullimin tonë të brendshëm, vendosim ne, në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona.

“Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, është i njohur ndërkombëtarisht. Kosova është një dhe unike. Për rregullimin tonë të brendshëm, vendosim ne, në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona. Nuk do të ketë status special - e ritheksoj, për rregullimin e brendshëm vendosim ne“, tha Thaçi.

Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se përmes bisedimeve po synohet krijimi i një republike serbe, ngjashëm siç është ajo në Bosnjë. Por, kryeministri Thaçi tha se nuk do të ketë status special.

“Nuk do të ketë status special. E ritheksoj, për rregullimin e brendshëm vendosim ne, në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Nuk do të vijnë në shprehje në asnjë rrethanë ide të tilla. Kjo nuk do të jetë temë, kurrë”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri Thaçi i bëri këto komente në Aeroportin e Prishtinës, prej nga u nis për në Turqi, për të marrë pjesë në Samitin Botëror të Liderëve të Ndryshimeve. Është kjo një nga vizitat e para jashtë vendit si kryeministër i rizgjedhur.

Kryeministri pothuajse nuk ka pasur fare vizita jashtë shtetit që nga prishja e institucioneve vitin e kaluar dhe që nga publikimi i akuzave ndaj tij në raportin e senatorit Dik Marti.

Thaçi tha se do të lobojë për njohje të reja në samitin e organizuar nga kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan.

“Do të jetë një mundësi e mirë dhe e re për komunikime bilaterale me liderë të tjerë botërorë, në mënyrë që të kemi edhe njohje të tjera për Republikën e Kosovës. Natyrisht që do të kemi edhe takime tjera zyrtare me kryeministrin Erdogan, për thellimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Turqisë, si partnerë të besueshëm dhe strategjikë”, tha Thaçi.

Kosova deri më sot është njohur nga 75 vende. Edhe pse ka zëra që thonë se në ngecjet në njohje ka ndikuar dialogu Kosovë-Serbi, shefi i ekzekutivit beson se do të ndodhë e kundërta - ky dialog do të sjellë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Megjithatë, një ditë më parë, vetë shefja e ekipit negociator, e emëruar nga kryeministri, Edita Tahiri, ka thënë se nuk ka pasur afrim qëndrimesh në takimin e parë, meqë Beogradi vazhdon të funksionojë me ‘mentalitetin e së kaluarës’.

Ajo ka bërë të ditur se dialogu mund të vazhdojë pas dy javësh. Brukseli, sipas saj, ka caktuar këtë dinamikë të përdyjavshme për bisedimet e cilësuara teknike, e që për qëllim kanë lehtësimin e jetës se qytetarëve të të dyja shteteve.
XS
SM
MD
LG