Ndërlidhjet

Limaj i gatshëm ta dorëzojë imunitetin


EULEX
EULEX
Deputeti Fatmir Limaj ka shprehur gatishmërinë që të dorëzojë imunitetin e deputetit dhe ka thënë se nuk do të lejojë që të fshihet mbrapa imunitetit. Ai i ka bërë këto komente një ditë pasi EULEX-i lëshoi një fletë-arrest ndaj tij dhe disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët i ngarkon me krime lufte. Për këto arrestime kanë pasuar reagimet dhe protestat në Kosovë


Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se është i gatshëm që ta dorëzojë imunitetin, në mënyrë që t’i shërbejë drejtësisë.

Ai e ka bërë këtë deklaratë në një konferencë për gazetarë, një ditë pasi që ndaj tij dhe disa ish-pjesëtareve të UÇK-së, EULEX-i lëshoi fletë-arreste nën dyshimet se kanë kryer krime lufte në fshatin Kleçkë.
Nuk dua të fshihem në emër të imunitetit, të cilin e jep ligji...


“Mbrëmë kam shprehur gatishmërinë time, që për raste të tilla heq dorë vullnetarisht. Nuk dua të fshihem në emër të imunitetit, të cilin e jep ligji dhe ju e dini, për të krijuar sa më shumë hapësirë dhe për ta vënë vetën time në dispozicion të drejtësisë. Dhe, pastaj si shkon drejt heqjes së imunitetit nuk është çështje imja, janë çështje ligjore, për të cilat janë organet kompetente, që duhet t’i vazhdojnë”
, ka thënë Limaj.

Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, ndaj të cilit qenë ngritur dyshime për korrupsion, sa ishte ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, ka thënë se tashmë është ballafaquar disa herë me ligjin. Ai qe liruar nga të gjitha akuzuat për krime lufte në Hagë, duke u shpallur i pafajshëm.

Ndërsa, EULEX nuk ka arritur t’i ngre në aktakuzë deri më tash dyshimet për korrupsion në ministrinë që drejtoi mandatin e kaluar.

Limaj në konferencën për media ka thënë se ligji ka kuptim kur përballesh me të. Megjithatë, ai ka hedhur dyshime në akuzat e ngritura, duke thënë se me ligjin duhet të përballesh “edhe atëherë kur jeni të bindur që ka erë politike, ose jeni të pafajshëm".

Fatmir Limaj

“Pavarësisht kësaj, vendit tonë më shumë se çdo gjë tjetër i duhen mesazhe që vijnë nga ata që duhet ta respektojnë ligjin, të shkojnë të thonë se sidoqoftë, me gjithë këto mangësi dhe probleme, ne nuk duhet te heqim dorë kurrë nga ndërtimi i një shteti ligjor dhe i barabartë për të gjithë qytetarët. Ne nuk duhet të heqim dorë se në Kosovë do të ndërtojmë një shtet ligjor, ku përfundimisht ligji do të veprojë. Kjo fraza ‘askush mbi ligjin’ ... gjysma e Kosovës është mbi ligjin, veriu është mbi ligjin”, ka thënë Limaj.

Ndaj fletëarrestit të Limajt, Qeveria reagoi një ditë pas dhe për këtë reagim të vonuar Limaj ka ironizuar.

“Pse, a ka reaguar Qeveria? Unë nuk e di. Mendoj që nuk duhet të ma drejtoni këtë pyetje mua. Është shumë personale. Do të doja të jepja një përgjigje, të isha në rolin tjetër, por bëhet fjalë për mua dhe nuk dua që këtë çështje ta personalizoj”,
ka thënë Limaj, i cili doli hapur kundër kreut të Qeverisë Hashim Thaçi, për shkak të koalicionit me AKR-në, gjë që diktoi zgjedhjen e Behxhet Pacollit si president.

Presidenca dhe Qeveria e Kosovës kanë shprehur shqetësimin në lidhje me arrestimet duke thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër kundër një agresioni që kishte synime asgjësimi dhe gjenocidi. Sidoqoftë, të dy këto institucione, kanë shprehur besimin në drejtësinë.

Në anën tjetër, EULEX-i konfirmoi se nëntë persona janë arrestuar më 16 mars në kuadër të një hetimi lidhur me krime të luftës.

"Ndaj pesë personave është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, dy persona janë nën arrest shtëpiak, ndërsa i teti është urdhëruar që të paraqitet në polici tri herë në javë. Personi i nëntë është arrestuar në Zvicër".


EULEX-i ka konfirmuar se është lëshuar një fletë-arrest për Fatmir Limajn.

Në një komunikatë për media, thuhet se akuzat lidhen me rastin e Kleçkës. Aty thuhet se "akuzat ndaj tyre kanë të bëjnë me vrasje, torturë dhe cenim të shëndetit e integritetit fizik të shqiptarëve nga Kosova, civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës në Kleçkë në vitin 1999".

“Prokurorët e EULEX-it kanë kontaktuar me zotin Limaj, për të diskutuar situatën e tij, meqë ai është deputet i Kuvendit dhe ka imunitet. Çështja e imunitetit thuhet se është duke u sqaruar”
.

Në anën tjetër, kanë vazhduar reagimet dhe protestat në lidhje me arrestimet.

Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, tani ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se Serbia është sponsor i arrestimeve.

Çeku ka theksuar se është i shqetësuar që po vazhdon ngritja e aktakuzave, që, sipas tij, për qëllim kanë njollosjen e luftës së UÇK-së.
Unë kurrë nuk jam pajtuar, kurrë nuk do të pajtohem dhe askush nuk mund të më bindë se ushtarët e UÇK-së kanë bërë krime.


“Po harrohet fakti, që këtu ka ndodhur një luftë, këtu ka qenë pushtuesi e çlirimtarët, në këtë rast UÇK-ja. Dihet shumë mirë, bota e di mirë kush është viktima, e kush është agresori. Unë kurrë nuk jam pajtuar, kurrë nuk do të pajtohem dhe askush nuk mund të më bindë se ushtarët e UÇK-së kanë bërë krime”,
ka nënvizuar Çeku.

Në anën tjetër, përmes një komunikate për media, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se arrestimet e EULEX-it janë në shërbim të negociatave me Serbinë.

Për fëmijët e gratë shtatzëna shqiptare, të vrarë e torturuar nga pushtuesit gjatë luftës në Kosovë, kurrë nuk pati drejtësi...
“Veprimet e tanishme të EULEX-it e kanë vënë në shënjestër UÇK-në. Ky është një shërbim i shkëlqyer i radhës për Serbinë në negociata. Nëpërmjet kësaj strategjie EULEX-i po mundohet ta diskreditojë Kosovën si dhe t’i japë përparësi morale Serbisë”.

“Akuza e ngritur ndaj të arrestuarve përfshin edhe keqtrajtimin dhe vrasjen e oficerëve policorë e ushtarakë serbë. Për fëmijët e gratë shtatzëna shqiptare, të vrarë e torturuar nga pushtuesit gjatë luftës në Kosovë, kurrë nuk pati drejtësi, e tash po ngrihen raste për vrasjen e pushtuesve të vrarë gjatë luftës sonë çlirimtare”
, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Ndryshe, disa studentë kanë protestuar në kundërshtim të arrestimit të ish - pjesëtarëve të UÇK-së.

“UÇK, UÇK”, “EULEX - Go home”, “Lironi çlirimtarët”, ishin disa nga sloganet që studentët brohoritnin gjatë rrugës së përshkuar nga Qendra e Studentëve deri te selia kryesore e EULEX-it.

Në emër të studentëve ka folur Liridon Bujupaj:

“EULEX-i po vazhdon avazin e vjetër si UNMIK-u, duke tentuar që të vë në të njëjtin nivel si kriminelin, ashtu edhe viktimën”.


Po të enjten, një protestë e degëve të Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, është mbajtur edhe në Malishevë.

Policia raporton se protestat kanë qenë të qeta dhe që të dyja kanë përfunduar rreth orës 12 e 30.
XS
SM
MD
LG