Ndërlidhjet

A ka agjendë të bisedimeve?


Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri
Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri
Dhjetë ditë pas nisjes së dialogut me Serbinë, opozita në Kosovë thotë se agjenda po mbahet e fshehtë dhe se Prishtina nuk do të përfitojë asgjë nga këto bisedime. Në anën tjetër, kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, thotë se Prishtina do të kërkojë nga Bashkimi Evropian qartësimin e përfitimeve që do t’i ketë nga këto bisedime.


Telekomunikacioni dhe energjia elektrike do të jenë temat që më 25 dhe 26 mars do t’i diskutojnë në Bruksel pala kosovare dhe ajo serbe.

Kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, bën të ditur se në secilin takim do të flitet për këto tema praktike, por deri më tash nuk është prezantuar ndonjë plan veprimi, apo strategji që do të përfshinte temat dhe mënyrën e trajtimit të tyre.

“Në agjendën e bisedimeve do të përfshihen të gjitha çështjet praktike, që kanë hasur në pengesa në periudhën pas çlirimit të Kosovës. Përpjekja është që të ketë zgjidhje konstruktive”, thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Përpjekja e parë më 8 dhe 9 mars për të gjetur zgjidhje, nuk qe e suksesshme, meqë për katër temat e diskutuara - regjistrin civil, kthimin e dokumenteve kadastrale, CEFTA-n dhe vulat doganore - nuk u arrit marrëveshje.

Ndërkohë, asnjë nga temat që njëherë shtrohet për diskutim, sipas Tahirit, nuk trajtohet në takimet e mëpasme.

Kjo rrit dyshimet te opozita se bisedimet do të jenë të suksesshme. Deputeti i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se në mungesë të një strategjie, fundi do të jetë i paparashikueshëm.

Nga takimi i parë i delegacionit të Prishtinës me palën serbe...
Nuk ka ndonjë platformë, mbi të cilën është ndërtuar strategjia e diskutimeve me Serbinë. Kjo ka ardhur si rezultat i presioneve kryesisht nga Serbia dhe nga bashkësia ndërkombëtare, me një rezolutë që është aprovuar vjeshtën e vitit të kaluar. Gjithë kjo është situatë, në të cilën institucionet e Kosovës nuk janë aktori kryesor, por janë pjesë pasive e negociatave”, shprehet Gashi.

Në anën tjetër, pasi që kanë pranuar të hyjnë në dialog, zyrtarët kosovarë kanë kërkuar të dinë se çka përfitojnë nga ai. Zonja Edita Tahiri thotë se kjo do të kërkohet edhe gjatë vizitës që shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, do t’i bëjë Kosovës në fund të muajit mars.

“Në këtë takim, dhe jo vetëm në ktë takim, ne vazhdimisht kërkojmë nga BE-ja që të dihet se cilat do të jenë përfitimet e Kosovës në rrugën e integrimit në BE. Kërkojmë qartësimin e agjendës së fuqizimit të rrugës së Kosovës drejt BE-së. Ne kërkojmë që të kemi përfitim liberalizimin e vizave, hyrjen në marrëdhënie kontraktuale, nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit si dhe të përshpejtohet statusi i kandidatit për BE për Kosovën”, thekson Tahiri.

Kritikja më e madhe e bisedimeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka nisur javën e kaluar një fushatë kundër dialogut, duke thënë se Prishtina po ia mundëson Serbisë integrimin në BE, duke vështirësuar kështu hyrjen e Kosovës në këtë union.

Kjo lëvizje ka shfaqur shqetësimin edhe të ndarjes së veriut gjatë këtyre bisedimeve. Por, Edita Tahiri thotë se nuk do shkelet mbi vijat e kuqe, si: diskutimi për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Megjithatë, Arben Gashi, nga LDK-ja, dyshon se qeveria nuk do të lëshojë pe.

“Qeveria ka vija imagjinare, siç është edhe vetë imagjinare në kuptimin e përfaqësimit të interesit të qytetarëve të Kosovës. Ato vija nuk janë vija që janë hedhur në letër, nuk janë vija që janë imponuar para bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk janë vija që do të merren seriozisht as nga bashkësia ndërkombëtare”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Takimet me Serbinë do të mbahen çdo dy javë në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së dhe të SHBA-së. Për pikat, për të cilat palët nuk arrijnë marrëveshje, i dërguari i baroneshës Eshton, Robert Kuper, do të zhvillojë diplomaci fluturuese, siç edhe ka bërë në javët e fundit, para dhe pas nisjes së dialogut.
XS
SM
MD
LG