Ndërlidhjet

Forcat perëndimore sulmojnë bazat e Gadafit


Bengazi, 20 mars 2011
Bengazi, 20 mars 2011
Forcat evropiane dhe amerikane kanë kryer raundin e parë të sulmeve kundër objektivave strategjike në Libi, në përpjekje për të dobësuar forcat besnike të udhëheqësit Muamer Gadafi.

Kreu i komandës së bashkuar ushtarake të SHBA-ve, gjenerali Majkëll Mullen, deklaroi se forcat aleate kanë vendosur në mënyrë efikase zonën e ndalim-fluturimit mbi Libi.

Megjithatë, ai shtoi se rezultati në Libi është ende i pasigurt dhe se udhëheqësi libian mund të këmbëngulë me çdo mënyrë të mbetet në pushtet.

Autoritetet qeveritare thonë se të paktën 50 veta janë vrarë dhe rreth 150 janë plagosur nga sulmet e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës, ndonëse këto pohime nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Pentagoni tha se 110 predha Tomahavk janë hedhur nga luftanijet amerikane dhe britanike për të goditur 20 pika në qytetet Tripoli dhe Misrata. Mediat amerikane raportuan se sulmuesit B-2 kanë hedhur mbi 40 bomba në aeroportin e Tripolit.

Fushata “Rënia e Odisesë” aktualisht përfshin forca dhe pajisje nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Kanadaja, Italia dhe Danimarka. Kjo është ndërhyrja më e madhe ndërkombëtare në botën arabe, që nga pushtimi i Irakut më 2003.

Ajo pason Samitin e Parisit, në të cilin liderët perëndimorë u dakorduan për zbatimin e zonës së ndalim fluturimit mbi Libi, për të parandaluar Gadafin nga sulmet ndaj civilëve dhe forcave opozitare.

Në një audio-mesazh të transmetuar në televizionin shtetëror, Gadafi tha se është i përgatitur të mposhtë forcat perëndimore me “një luftë të gjatë dhe të lavdishme”.

Ju jeni të padrejtë, ju jeni agresorë, ju jeni kafshë, ju jeni kriminelë. Vendet e juaja janë kundër jush. Kudo në Evropë dhe Amerikë ka protesta kundër hapave të juaj, që po ndërmerrni kundër njerëzve të pafajshëm libianë. Populli është me ne, madje edhe popujt e juaj janë me ne. Ju do të dështoni si Hitleri, Napoleoni, Musolini. Të gjithë tiranët bien nën këmbët e njerëzve”, tha Gadafi.

Kina dhe Rusia, të cilat kanë abstenuar nga votimi i rezolutës së OKB-së për ndërhyrje në Libi, kanë shprehur shqetësimin për sulmet perëndimore, duke paralajmëruar se ato mund të çojnë në numër të madh të viktimave civile.

Presidenti Barak Obama tha se ka autorizuar forcat e Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në një “aksion të kufizuar”, në mbështetje të përpjekjeve ndërkombëtare për të mbrojtur civilët libianë.

“Ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur një tiran i thotë popullit të tij se nuk do të ketë mëshirë, kur forcat e tij shtojnë sulmet në qytetet si Bengazi dhe Misrata, ku burra dhe gra të pafajshëm përballen me brutalitetin dhe vdekjen nga duart e qeverisë së tyre. Pra, ne duhet të jemi të qartë: veprimet kanë pasoja dhe urdhri i bashkësisë ndërkombëtare duhet të zbatohet”,
u shpreh Obama.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar është plotësisht e arsyeshme.

“Kolonel Gadafi vazhdon të sfidojë botën. Sulmet e tij ndaj civilëve vazhdojnë. Kemi parë raporte shqetësuse të luftimeve përreth dhe brenda Bengazit. Siç ka thënë dhe presidenti Obama, ne kemi çdo arsye për të pasur frikë se Gadafi, po të mos kontrollohet, do të kryejë mizori të këqija”, tha Klinton.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, të enjten e kaluar, ka miratuar një rezolutë, e cila bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve të nevojshme për të mbrojtur civilët libianë. (v.t.)

Lexoni edhe këtë:
Perëndimi nisi aksionin në Libi


XS
SM
MD
LG