Ndërlidhjet

Sulme kundër mbrojtjes së Gadafit





Të dielën ishte nata e dytë me radhë që koalicioni shumëkombësh kreu sulme ajrore në Libi, me qëllim të zbatimit të zonës së ndalim fluturimeve, për ta parandaluar liderin Moamer Gadafi që të ndërmarrë sulme ndaj ithtarëve të opozitës që kërkojnë largimin e tij.

SHBA-ja, Britania, Franca, Italia, Kanadaja dhe vendet tjera thonë se zona e ndalim-fluturimeve mbi Libi tashmë është imponuar.

Fuqitë perëndimore e ndërmorën valën e dytë të sulmeve në Libi kundër forcave të armatosura dhe sistemeve kundërajrore të Moamer Gadafit.

Rezidenca e Gadafit në Tripoli u shkatërrua, ashtu si dhe kolona e tankeve që ishin nisur drejt Bengazit, bastion i kryengritësve që duan t’i japin fund sundimit prej katër dekadash të liderit libian.

Nuk ka të dhëna zyrtare për dëmet, ndërsa nuk dihet as vendndodhja e Gadafit.

Intervenimi, më i madhi kundër një vendi arab prej invazionit në Irak në vitin 2003, filloi të dielën në orët e hershme të mëngjesit, pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e autorizoi aksion ushtarak për të imponuar zonën e ndalim-fluturimeve që t’i parandalojë sulmet ndaj civilëve.

Sulmet tërhoqën kritika nga kreu i Ligës Arabe, Amr Musa, i cili e dënoi humbjen e jetëve të civilëve. Të hënën ai e zbuti tonin e kritikave, duke thënë se e respekton rezolutën e Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, e ndërlidhi rezolutën që autorizon përdorimin e forcës ushtarake në Libi me “thirrjet mesjetare për kryqëzata”. Putini e quajti rezolutën “të mangët dhe me defekte”.

Por, Shtetet e Bashkuara, të cilat po i kryejnë sulmet në bashkëpunim me Britaninë, Francën, Italinë, Kanadanë dhe vendet tjera, thonë se fushata deri tash ka qenë e suksesshme dhe zona e ndalim fluturimeve është vënë në zbatim.

Lajmin e bëri të ditur kundëradmirali Bill Gortney, drejtor i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Shteteve të Bashkuara.

“Nuk ka pasur aktivitete të reja nga ana e regjimit, dhe ne nuk kemi detektuar valë të radarëve nga asnjë lokacion i sulmuar, ku ishte vendosur mbrojtja kundërajrore. Ka pasur rënie të konsiderueshme në përdorimin e radarëve libianë të mbikëqyrjes”
, tha Gortney.

Fuqitë perëndimore e hodhën poshtë armëpushimin, të cilin të shtunën në mbrëmje e shpalli armata e Libisë, duke thënë se ai nuk ishte respektuar nga forcat qeveritare.

Armata e Shteteve të Bashkuara ka qenë e kujdesshme duke dashur të mos tërheqë paralele me invazionin në Irak dhe përmbysjen e Sadam Hyseinit.

Zyrtarët kanë theksuar se sulmi nuk synon heqjen e Gadafit dhe kanë thënë se Shtetet e Bashkuara do t’ia dorëzojnë kontrollin e operacionit koalicionit të kryesuar nga Franca, Britania, apo NATO-ja.

Sulmet janë mirëpritur nga luftëtarët kryengritës, që e kontrollojnë lindjen e vendit, e cila në dhjetë ditët e kaluara përjetoi ofensiva të rënda nga forcat e Gadafit.

Megjithatë, kundëradmirali Gortney thotë se Bengazi dhe qytetet tjera që mbahen nga kryengritësit ende janë nën kërcënim. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të armatës amerikane, admirali Majk Mullen, paralajmëroi se epilogu i fushatës është “shumë i pasigurt”.

Por, me gjithë sulmet, mbështetësit e Gadafit mbeten sfidues. Në Tripoli, një turma u tubua në sheshin qendror, duke shtënë në ajër me armë automatike dhe duke u zotuar për t’i therur kryengritësit.

“Ne po i presim. Varret e tyre janë hapur këtu. Ne i ftojmë në ferr. Mirë se vini në ferr, ne po ju presim”
, ka thënë një mbështetës i Gadafit.

Vetë Gadafi, gjithashtu, është zotuar të luftojë. Ai ka thënë se qeveria po i armatos përkrahësit e saj dhe ka paralajmëruar për një “luftë të gjatë”.(v.p.)

XS
SM
MD
LG