Ndërlidhjet

Furnizimi me barna të shtrenjta


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Barnat e listës esenciale që sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë për Qendrën Klinike Universitare, sipas zyrtarëve shëndetësorë, blihen me çmime shumë më të shtrenjta sesa vlera reale e tyre.

Shembullin e fundit e kemi me ilaçet kundër kancerit, të quajtura Citostatikë, të cilat që nga paslufta janë blerë me një shumë prej 1 milion e 800 mijë eurosh, derisa këtë vit kjo ministri ka arritur që të njëjtat barna t’i blejë me një çmim prej 537 mijë eurosh.

Ilir Tolaj, sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se në blerjen e barnave me një çmim shumë më të lirë sesa që janë blerë deri tani, kanë ndikuar shumë faktorë. Një ndër ta është edhe, siç thotë Tolaj, ndryshimi i rregullave të lojës brenda këtij institucioni.

”Intencat tona janë që e njëjta praktikë të bartet edhe në barnat dhe materialet tjera shpenzuese shumë më të lira se deri tani, e që do të blihen vetëm nga Bashkësia Evropiane. Misioni numër një është që të sigurojmë rregull dhe ligjshmëri në këtë institucion, të sigurojmë furnizim kualitativ me çmime sa më të ulëta. Nga paslufta e deri tash ka qenë një praktikë e gjithë këtyre blerjeve dhe gjithmonë kemi pasur barna dhe material shpenzues shumë të shtrenjtë”,
thotë Tolaj.

Në kohën kur është blerë ky lloj i barit, zyrtar i prokurimit për disa vjet me radhë ka qenë Ekrem Maliqi. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se tani këto kontrata të nënshkruara për të njëjtin bar me një çmim disa fish më të lirë, siç thotë ai, vjen si rezultat i shtimit të numrit të prodhuesve me të drejtë prodhimi të këtij bari, krahasuar me vitet paraprake.

”Aq sa kam kuptuar unë, kanë pasur të drejtë edhe prodhues të tjerë t’i prodhojnë Citostatikët, andaj edhe çmimi është më i lirë. Pastaj rritja e konkurrencës jashtë, edhe kjo ndikon në shumën”,
shprehet Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Por, Tolaj e mohon një gjë të tillë, duke thënë se që nga paslufta e deri tani ka qenë një praktike e blerjes së barnave dhe materialit shpenzues me çmime tejet të larta.

”Ne, me të vërtetë, nuk do të marrim një ofertë absurde siç kanë qenë 500 për qind më shtrenjtë se në vendet e rajonit; ne nuk do të nënshkruajmë kontrata të tilla asnjëherë për asnjë lloj ilaçi. Ne tani kemi kursyer vetëm për një lloj bari 1 milion e 200 mijë euro”,
sqaron Tolaj.

Sidoqoftë, rastet e tilla të keqpërdorimeve të parasë publike tashmë janë duke u hetuar, por Tolaj shton se i gjithë ky bashkëpunim me organet kompetente do të mbetet tentim i kotë, në qoftë se nuk procedohet më tej në organet e gjyqësisë.

Lexoni edhe këto:
Shëndetësi: Buxheti i shkurtuar

A ka ngritje çmimesh të barnave?
Dëmet e buxhetit nga kontratat e barnave
XS
SM
MD
LG