Ndërlidhjet

Bota arabe: Vazhdojnë protestat antiqeveritare


Jemen
Jemen
Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, tha se do të largohet nga posti vetëm pas organizimit të zgjedhjeve parlamentare në janar të 2012-ës.

Saleh u tha komandantëve të ushtrisë se ekziston mundësia e shpërthimit të luftës civile, nëse ai lë pushtetin.

“Çdo ndarje në institucionet ushtarake, do të ketë ndikim të keq në vend. Ata që po bëjnë përpjekje të arrijnë në fron, duhet ta dinë se një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë me forcë dhe grusht-shtet. Kjo do të çonte në luftë civile”,
tha Saleh.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, tha se Uashingtoni “është jashtëzakonisht i shqetësuar me situatën e paqëndrueshme në Jemen, ku dhjetëra njerëz kanë humbur jetën në përleshjet ndërmjet forcave të sigurimit dhe protestuesve.

Këta të fundit bëjnë thirrje për largimin e presidentit Ali Abdullah Saleh, pas 32 vjetësh në pushtet.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se ka evakuuar 19 shtetas kosovarë që gjenden në Jemen.

"Shumica e personave të evakuuar janë studentë, derisa Shtabi i Krizave në kuadër të MPJ-së është në kontakt të vazhdueshëm edhe me shtetasit e tjerë", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Protestuesit në Siri
Protestat antiqeveritare po vazhdojnë edhe në Siri.

Qindra njerëz marshuan edhe të martën në rrugët e qyteteve Dara dhe Nava kundër presidentit Bashar al Asad.

Komisionarja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillai, bëri thirrje për hetimin e dhunës që, fundjavën e kaluar, çoi në vdekjen e gjashtë protestuesve sirianë.

Ndërkaq, shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, u bëri thirrje autoriteteve siriane të ndalojnë shtypjen e dhunshme të protestuesve antiqeveritarë.

“Shtypja ka rezultuar me vdekjen e disa protestuesve, me lëndime dhe arrestime arbitrare, çfarë është e papranueshme”
, thuhet në komunikatën e baroneshës Eshton.

“Autoritetet siriane duhet të dëgjojnë aspiratat legjitime të popullit dhe t’i adresojnë ato përmes dialogut politik dhe reformave të vërteta”,
tha kryediplomatja evropiane.(v.t)
XS
SM
MD
LG