Ndërlidhjet

Putini mbështet dialogun Prishtinë - Beograd


Vladimir Putin
Vladimir Putin
Kosova ka qenë një ndër temat e diskutuara në Beograd mes kryeministrit rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësve më të lartë serbë.

Ndonëse raportet ekonomike kanë zënë vendin kryesor, Putini nuk ka harruar të përsërisë qëndrimin e Moskës ndaj Kosovës.

“Pozicioni ynë rreth Kosovës bazohet në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit dhe ne vazhdojmë t’i mbahemi këtij qëndrimi. Askush nuk e ka shfuqizuar rezolutën në fjalë
”, ka thënë Putini.

Shefi i qeverisë ruse ka artikuluar mbështetjen për dialogun Prishtinë - Beograd.

“Është zgjedhje sovrane e popullit serb se si t’i organizojë gjërat brenda vendit. Çdo lloj i bisedimeve është më i mirë se lufta apo konflikti. Pra, ne e mirëpresim këtë proces dhe, nëse është e nevojshme, ne do ta mbështesim atë dhe do të bëjmë gjithçka të mundur për të siguruar një përfundim të suksesshëm për udhëheqësinë serbe”, ka theksuar Putin.

Qëndrimet ruse janë mirëpritur nga presidenti serb, i cili u është rikthyer akuzave për trafik organesh gjatë konfliktit në Kosovë.

Tadiq ka thënë se Serbia kërkon hetime radiklale dhe gjithëpërfshirëse të akuzave të paraqitura në raportin e Dik Martit.

“Trafikimi i organeve është një çështje shumë e rëndësishme për Serbinë”,
është shprehur Tadiq, për të theksuar nevojën e hetimit të të gjitha krimeve me qëllim paqen dhe stabilitetin në rajon.

Padyshim që çështjet ekonomike kanë qenë kryefjala e takimeve të së mërkurës të kryeminsitrit rus në Beograd, e në veçanti projekti për ndërtimin e gazsjellësit “Rryma e Jugut”, i cili do të duhet të kalojë dhe përmes Serbisë.

Të martën Putini nënshkroi një marrëveshje me Slloveninë për të njëjtin projekt, derisa në Beograd me gjithë mbështetjen, nuk pati ndonjë nënshkrim.

Putini ka theksuar se Serbia e ka vendin e saj në gazjellësin “Rryma e Jugut”. Ai ka deklaruar se Rusia nuk është e shqetësuar me aspiratat e Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Kryeministri rus, Putin, ka shfaqur shpresën se integrimet evropiane nuk do t’i përkeqësojnë marrëdhëniet ruso-serbe. Nga ana tjetër, presidenti serb, Boris Tadiq, ka thënë se "orientimi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në BE, porse ekziston një interes strategjik edhe në bashkëpunimin me Rusinë".

Tadiq ka potencuar se nuk ka asnjë kufizim për investimet ruse.

“Rusia është një nga partnerët më të rëndësishëm të vendit tonë, është vendi me të cilin kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Është vendi, me të cilin kemi shkallën më të lartë të pajtimit në të gjitha fushat e politikës ndërkombëtare. Rusia është vendi, i cili i dha mbështetje Serbisë në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës”,
ka deklaruar Tadiq.(v.t.)
XS
SM
MD
LG