Ndërlidhjet

Koalicioni: Neutralizohet mbrojtja ajrore


Forcat e koalicionit godasin caqet e Gadafit...
Forcat e koalicionit godasin caqet e Gadafit...
Në ditën e gjashtë të sulmeve ajrore mbi Libi, ka vazhduar edhe lufta për qytetet kryesore. Disa shpërthime janë dëgjuar në Tripoli, ku avionët e koalicionit kanë goditur një depo karburanti.

Dëshmitarët flasin edhe për sulme ndaj bazës ushtarake në lagjen Tajura, në lindje të kryeqytetit.

Agjencia shtetërore e lajmeve Jana tha se sulmet në Tajura kanë vrarë “një numër të madh të civilëve”, ndërsa zëvendësministri i Jashtëm libian, Khaled Kaim, bëri thirrje për ndalimin e goditjeve ajrore.

“Sulmet ajrore – si ato që ndodhën sot – nuk i dallojnë civilët nga personeli i armatosur. Për të filluar dialogun kombëtrar dhe për të kthyer jetën në normalitet, goditjet ajrore duhet të ndalojnë menjëherë”, tha Kaim.

Raportet nga terreni flasin për bombardime të forcave qeveritare kundër spitalit në qytetin e Misratës, i cili mbahet nga kryengritësit. Dëshmitarët thonë se tanket në qytetin e rrethuar janë tërhequr nga pozicionet pas sulmeve të forcave ndërkombëtare.

Në lindje, luftime të ashpra ndërmjet forcave të Gadafit dhe rebelëve janë raportuar në qytetin strategjik të Axhdabias.

Ministri i Jashtëm francez, Allen Zhupe, tha se sulmet ajrore të koalicionit kundër Libisë kanë qenë “të suksesshme” dhe do të vazhdojnë “për aq kohë sa është e nevojshme”.

Axhdabia
Zhupe mohoi të ketë pasur njoftime për viktima civile, të shkaktuara nga veprimi i aleatëve. Ai tha se sulmet kanë pasur në shënjestër “vetëm qendrat ushtarake dhe asgjë tjetër”.

“Potenciali ushtarak i Libisë është shkatërruar në masë të madhe. Të gjitha mbrojtjet kundërajrore – ose pjesa më e madhe e tyre – janë neutralizuar. Aviacioni i saj është neutralizuar po ashtu. Por, ata kanë ende mundësi tokësore. Bombardimi i një spitali është edhe një shenjë më tepër që tregon se ky regjim është barbar dhe i papranueshëm për komunitetin ndërkombëtar. Andaj, ne do t’i vazhdojmë sulmet ajrore”, tha Zhupe.

Më herët, shefi i shtabit amerikan për misionin në Libi tha se asnjë aeroplan nuk ka bërë përpjekje të fluturojë në 24 orët e fundit.

Duke folur nga anija “USS Mount Whitney” në Mesdhe, admirali Gerard Huber tha se sulmet ajrore të koalicionit “po bëjnë presion mbi forcat tokësore të Gadafit, të cilat kërcëonjnë qytetet”.

Objektivat përfshijnë forca të mekanizuara, rakteta tokë-ajër si dhe linjat e logjistikës.

Huber tha se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 175 fluturime të aeroplanëve aleatë - 113 prej tyre nga aeroplanët amerikanë.

Komentet e tij vijnë në kohën kur anëtarët e NATO-s vazhdojnë debatin për udhëheqjen e misionit. Uashingtoni ka thënë se do të heqë dorë nga roli drejtues në Libi “gjatë ditëve të ardhshme”.


Turqia kundërshton...

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kanë rënë dakord që NATO-ja të luajë “rolin kryesor”, por miratimi i të 28 shteteve anëtare është i nevojshëm.

Turqia nuk dëshiron që NATO-ja të marrë përgjegjësinë për operacionet ushtarake, që mund të shkaktojnë viktima civile.

Ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu, paralajmëroi se rregullat e angazhimit në Libi duhet të jenë të kufizuara për mbrojtjen e civilëve, zbatimin e embargos së armëve, zonën e ndalim fluturimit dhe ofrimin e ndihmës humanitare.

“Nuk e shohim të përshtatshme për NATO-n të marrë përsipër një mision të tillë, kur forcat e koalicionit paralelisht kryejnë operacione të ndara”, tha Davutoglu.

Ndërkohë, anijet e vendeve të NATO-s kanë nisur patrullimin në brigjet libiane, për të zbatuar embargon e armëve kundër qeverisë së Gadafit. Turqia po merr pjesë në bllokadën detare. (v.t.)

XS
SM
MD
LG