Ndërlidhjet

A funksionon tortura?


Guantanamo
Guantanamo
Vrasja e kryeterroristit Osama bin Laden, më 2 maj, ishte rezultat i viteve të punës së shërbimeve të inteligjencës, që, sipas zyrtarëve amerikanë, ka filluar me marrjen në pyetje me metoda kontroverse në qendrat e CIA-s dhe në bazën ushtarake të SHBA-ve në Guantanamo. Ky pretendim ka rikthyer në pah argumente të vjetra të disa amerikanëve, përfshirë edhe ato të ish-nënpresidentit Dik Çejni, se teknikat e marrjes së zgjeruar në pyetje mund të sjellin rezultate të vlefshme dhe se duhet të rikthehen në përdorim. Mirëpo, ka të tjerë që thonë se kapja e bin Ladenit nuk e justifikon përdorimin e torturës apo marrjen ilegale në pyetje.


Vrasja e bin Ladenit këtë javë është karakterizuar si fitore e shërbimit të inteligjencës së Amerikës. Mirëpo, kjo vrasje ka hapur edhe një temë tjetër - rikthimin në përdorim të torturës gjatë marrjes në pyetje të atyre që dyshohen për terrorizëm.

Vetëm pak orë pasi u bë publik lajmi për vrasjen kryeterroristit, ish-nënpresidenti amerikan, Dik Çejni, i tha televizionit “Fox News” se ky operacion nuk do të ishte i mundur pa informatat e mbledhura me metodat e fuqishme të marrjes në pyetje, që ishin krijuar gjatë administratës së Xhorxh Bushit.

Dik Çejni
“Unë do të thosha se programi i tillë i marrjes në pyetje - që ne e kemi vendosur - ka arritur të prodhojë disa rezultate që dërguan deri te kapja e bin Ladenit. Mirëpo, unë kam nevojë të di më shumë dhe jam i sigurt që do të mësojmë më shumë gjatë ditëve në vijim - saktësisht për atë se çfarë ndodhi dhe si u arrit deri te kjo vrasje”.

“Ne duhet t’i mbajmë ato politika që e bëjnë të mundshme për ne që ta arrijmë këtë sukses në këtë çështje”,
tha Çejni.

Zyrtarët amerikanë e kanë pranuar se dy të dyshuar të rëndësishëm si pjesëtarë të Al Kaidës me lidhje të afërta me bin Ladenin dhe ata që qëndrojnë prapa sulmeve të 11 Shtatorit, kanë treguar informata të një ndërlidhësi të bin Ladenit.

Identiteti i këtij ndërlidhësi është cilësuar tejet i rëndësishëm për të lokalizuar bin Ladenin dhe zonën ku qëndronte në Pakistan.

Disa nga këta persona janë mbajtur në burgjet sekrete të CIA-s, që ishin jashtë territorit të SHBA-ve. Personi, i cili konsiderohet se ka hartuar sulmin më 11 shtator, besohet se i është nënshtruar metodës “waterboarding”, duke e futur me zor në ujë 183 herë, para se të transferohej për bazën amerikane në Guantanamo.

Kliford Mej, nga Fondacioni konservator për Mbrojtjen e Demokracive, beson se metodat e rrepta të marrjes në pyetje mund të kenë luajtur rol të rëndësishëm në kapjen e bin Ladenit.

“Teknikat e tilla të marrjes në pyetje ka mundësi të kenë nxjerrë informata të rëndësishme, që më pas janë përdorur për të zhvilluar operacionin që çoi deri te bin Ladeni. A është kjo absolutisht e sigurt? Ndoshta jo, por ka arsye të besojmë se këto pretendime janë të vërteta”.

“Natyrisht, po të silleshin këta luftëtarë të paligjshëm në territorin amerikan, ku do të duhej të mbroheshin me të drejtat kushtetuese amerikane, padyshim që nuk do të nxirreshin këto të dhëna”,
vlerëson Mej.

Por, jo të gjithë amerikanët ishin të bindur se duhej përdorur metoda të tilla. Shumë amerikanë besojnë se informatat e nxjerra përmes metodave torturuese, kanë qenë vetëm një pjesë e vogël e një pune shumë më të madhe dhe se janë dashur vite të tëra të hetimit tradicional që kanë çuar te bin Ladeni.

Andera Prasou, këshilltare e lartë për luftën kundër terrorizmit në organizatën Human Rights Watch, vlerëson kështu:

Nuk mendoj se është befasi nëse verifikohet se ndonjë informatë është nxjerrë duke e pyetur dikë në ndonjë vend të botës. Mirëpo, ajo që është më interesante është se ka disa njerëz që po e përdorin këtë sukses për të justifikuar burgjet sekrete, kur, në fakt, ne do të mund ta mësonim vendin ku fshihej bin Ladeni ndoshta para shumë viteve, nëse do të përdoreshin metoda tradicionale të marrjes në pyetje”, thotë Prasou.
SHBA-të e kanë bërë më të lehtë për shumë shtete që të justifikojnë hapur opinionin se torturat ka raste kur janë të lejueshme.

Reporteri special i OKB-së për të drejtën dhe kundër-terrorizmin, Martin Shajnin, i cili ka hartuar një raport mjaft kritik në vitin 2009, efektin e këtyre metodave e vlerëson kështu:

“SHBA-të dhe Administrata e Bushit e kanë bërë më të lehtë për shumë shtete që të justifikojnë hapur opinionin se torturat ka raste kur janë të lejueshme. Mirëpo, efekti afatgjatë është krejt e kundërta”.

“Besoj se kur të fillojnë të zbulohen faktet, përfshirë dhe ato për kapjen e bin Ladenit, do të verifikohet se ishin metodat normale të marrjes në pyetje që gradualisht e sollën informatën që ishte e rëndësishme, e jo torturat”,
thotë Shajnin. (a.h.)
XS
SM
MD
LG