Ndërlidhjet

Tiranë: Politikanët kërkojnë respektim të votës


Tiranë, 8 maj 2011.
Tiranë, 8 maj 2011.
Procesi i numërimit të votave në Shqipëri po ecën shumë ngadalë në të 66 Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ). Komisioni Qendror Zgjedhor nuk pritet të dalë me rezultatet e para zyrtare gjatë ditës së sotme.

Në Bashkinë e Tiranës deri më tani janë numëruar 74 kuti votimi nga 485 gjithsej.

Nga ky numërim del në avantazh kandidati i Partisë Socialiste, Edi Rama, me 400 vota karshi kandidatit të mazhorancës, Lulzim Basha.

Gjatë ditës nuk kanë munguar deklaratat e politikanëve nga të gjitha kampet politike.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, njëherësh nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, i bëri thirrje kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të njohë rezultatin zgjedhor.

“Procesi i ka të gjitha garanictë që të përmbyllet me sukses, ashtu siç nisi dhe vazhdoi gjatë gjithë këtij muaji. Ftoj zotin Rama të deklarohet se do të njohë rezultatin në çdo bashki e në çdo komunë. Kjo do të ishte një nga surprizat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve të Shqipërisë”, tha Topalli, duke u kërkuar numëruesve të zbatojnë ligjin “siç kanë bërë deri më tani”.

Topalli i bëri këto komente gjatë një konference shtypi në selinë e PD-së.

Nga ana tjetër, kreu i PS-së, Rama, u bëri thirrje numëruesve që të tregojnë vendosmërinë e komisionarëve që të mos preket asnjë votë.

“Beteja vazhdon. Është radha e numëruesve të tregojnë ndershmërinë dhe vendosmërinë që treguan të gjithë komisionarët. Rezistoni, rezistoni, rezistoni, pavarësisht lodhjes së posaçme dhe mos lejoni të preket asnjë votë”, u shpreh Rama.

Përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë akuzuar përfaqësuesit e mazhorancës se po manipulojnë të dhënat në server.

Në disa KZAZ në Tiranë, procesi është ndërprerë, komisionarët kanë marrë pushim dhe janë rikthyer më vonë për të rifilluar numërimin.

Kjo mënyrë e numërimit është e parashikuar edhe në Kodin Zgjedhor, çfarë kërkon më shumë kohë, por garanton transparencë për çdo votë të numëruar.

Misioni i 525 vëzhguesve të huaj do të japë të martën vlerësimin për zgjedhjet lokale. Këto të fundit shihen si test i Shqipërisë për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Raportohet se dalja në votime ka qenë më shumë se 50.9 për qind.
XS
SM
MD
LG