Ndërlidhjet

Riintegrimi në letër


Prishtinë
Prishtinë
Sllovenia u bë shteti i nëntë me të cilin Qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshjen për riatdhesim. Këto marrëveshje vlerësohet të jenë një nga parakushtet për marrjen e udhërrëfyesit zyrtar për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Dokumenti në fjalë u nënshkrua nga ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, dhe homologia e tij sllovene, Katarina Kresal. Mirëpo, monitoruesit e procesit të riatdhesimit dhe riintegrimit të kosovarëve thanë se kapacitetet ekzistuese të institucioneve vendore, i pamundësojnë Kosovës t’i zbatojë të gjitha këto marrëveshje në terren.


Edhe pse numri ende i madh i azilkërkuesve kosovarë në Bashkimin Evropian vlerësohet të jetë një nga shkaqet e hezitimit të shteteve anëtare për t’ia dhënë Kosovës udhërrëfyesin zyrtar për liberalizimin e vizave, në Prishtinë nuk e shohin si problem arritjen e marrëveshjeve për riatdhesim me këto shtete.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për riatdhesim me Slloveninë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, paralajmëroi nënshkrimin e tri marrëveshjeve të tjera me vendet e Beneluksit, me të cilat do të shkonte në 12 numri i marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani.

Bajram Rexhepi
“Nuk është e domosdoshme që me të gjitha shtetet e Unionit Evropian të nënshkruhen marrëveshje, por vetëm me ato shtete, ku është një numër më i madh i qytetarëve tanë. Deri kah gjysma e verës, sa i përket këtij kriteri të nënshkrimeve, ne gati i plotësojmë kushtet dhe ky nuk është ndonjë problem”,
tha ai.

Por, monitoruesit e procesit të kthimit dhe riintegrimit të personave të kthyer në Kosovë nga vendet e BE-së, e quajnë të pakuptimtë nënshkrimin e marrëveshjeve për riatdhesim, përderisa ato nuk zbatohen në terren.

Njëri nga këta monitorues, Hil Nrecaj, i tha Radios Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës ka kapacitete të limituara për riatdhesimin dhe riintegrimin e personave të riatdhesuar.

“Nuk e di pse Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë të nënshkruajë marrëveshje për riatdhesim për momentin, kur vetëm në vitin 2010 kemi rreth 6 mijë persona të riatdhesuar në Kosovë, prej të cilëve nuk e kemi asnjë të vetëm që ka marrë një asistencë nga Ministria e Punëve të Brendshme”, tha Nrecaj.

Kohë më parë, Qeveria e Kosovës bëri të ditur se për të realizuar procesin e riatdhesimit dhe të riintegrimit të personave të kthyer, po bëhen përpjekje për alokimin e 3.5 milionë eurove që do t’i dedikoheshin këtij procesi.

Në mungesë të marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian, Kosova thuhet se do të jetë e detyruar që t’i nënshkruajë veç e veç marrëveshjet për riatdhesim me një pjesë të madhe të shteteve evropiane, të cilat duan t’i kthejnë azilkërkuesit që jetojnë atje, në vendet e tyre të origjinës.

Ministrja e Punëve të Brendshme e Sllovenisë, Katarina Kresal, tha se për të marrë udhërrëfyesin zyrtar për liberalizimin e vizave me BE-në, Kosova do të duhet të kalojë nëpër të gjitha etapat teknike të këtij procesi.

Natyrisht se nuk shkon pa procesin teknik dhe pa kaluar nëpër pikat e nevojshme, nëpër të cilat kanë kaluar të gjitha shtetet. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që të arrini sa më shumë që mundeni për ta marrë udhërrëfyesin. Janë masat dhe çështjet teknike, të cilat duhet t’i përmbushni. Dhe, kur ta keni bërë këtë, kjo do të jetë më pak çështje politike sesa teknike”, u shpreh Kresal.

Riatdhesimi, riintegrimi i personave të riatdhesuar, menaxhimi i integruar i kufijve, siguria e dokumenteve të udhëtimit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e të tjera vlerësohet të jenë kushtet kryesore, të cilat duhet të përmbushen nga pala kosovare lidhur me liberalizimin e vizave.

Në mungesë të dialogut dhe udhërrëfyesit zyrtar të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, institucionet kosovare janë duke zbatuar një udhërrëfyes nacional, të bazuar në udhërrëfyesit e vendeve të rajonit.
XS
SM
MD
LG