Ndërlidhjet

Luksi qeveritar


Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, gjatë një konference me gazetarë. Prishtinë 11 maj 2011.
Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, gjatë një konference me gazetarë. Prishtinë 11 maj 2011.
Lëvizja e Vetëvendosje e cilësoi Qeverinë e Kosovës si “Qeveri e shpenzimeve”. Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje, deklaruan se vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti institucionet e kosovare kanë bërë shpenzime shumë të mëdha. Nga ana tjetër, zyrtarët e Ministrisë së Financave i hodhën poshtë këto deklarata, duke i cilësuar ato si jo të sakta.


Qeveria e Kosovës të mërkurën mori epitetin “Qeveri e shpenzimeve” nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo, pasi, sipas kësaj lëvizjeje, "vetëm gjatë muajve të parë të këtij, viti institucionet e kosovare, kanë bërë shpenzime enorme".

Shpend Ahmeti, zyrtar i kësaj lëvizjeje, tha se pavarësisht premtimeve se shpenzimet do të ulen, ato në vitet e fundit janë rritur.

“Të fillojmë së pari nga ajo më e madhja, Qeveria; një kryeministër, gjashtë zëvendëskryeministra, 30 zëvendësministra, rreth 120 këshilltarë - vetëm pagat e tyre, pa marrë parasysh edhe shpenzimet e tjera që çdo ministri i bart në vete, arrijnë një kosto vjetore prej më shumë se dy milionë eurosh. Çka është më e keqja, këto ministri nuk po krijohen për të rritur funksionalitetin e Qeverisë, por së pari po del një politikan apo një politikë që ka mbetur pa ministri dhe më pas duhet të krijohet një ministri që të ruhet balanci qeveritar”, tha Ahmeti.

Ahmeti theksoi se kryeministri Thaçi në vitin 2008 kishte premtuar se do të ketë reduktim të zyrave, të cilat do të merren me qira, Sipas Ahmetit, në vitin 2010 ato kanë arritur në 6.5 milionë euro shpenzime.

Sipas Ahmetit, në vitin 2010 për udhëtime zyrtare janë shpenzuar më shumë se 7 milionë euro, derisa rezultatet e këtyre vizitave kanë qenë të pakta.

“Sa për krahasim, në vitin 2010 kemi pasur vetëm 4 milionë euro për bujqësi, do të thotë dy herë më shumë ne shpenzojmë për udhëtime zyrtare. Në vitin 2010 kemi shpenzuar më shumë se 3.5 milionë euro në shërbimet e tele-komunikimit, telefonat dhe shërbimet tjera, për të cilat kryeministri Thaçi na pati premtuar se do t’i zvogëlojë
”, shpjegoi Ahmeti.

Ndërsa, sa i takon shpenzimeve të tjera, Ahmeti përmendi edhe numrin e madh të veturave në ministri dhe shpenzimet me derivate.

Sipas tij, sa më të varfër po bëhen qytetarët, aq më luksoze po bëhen veturat qeveritare.

“Në vitin 2010 janë shpenzuar rreth 18 milionë euro për derivate dhe karburante, natyrisht kjo nuk është e tëra karburante po një pjesë e madhe e kësaj shumë janë. Në vitin 2008 Qeveria Thaçi I, kishte lëshuar një urdhëresë administrative për të monitoruar përdorimin e veturave zyrtare. Ky është vetëm një premtim dhe vendim në letër, i cili nuk u zbatua kurrë. Prandaj, vendime për të blerë makina luksoze Audi Q7, BMW X5, Mercedes 350, çmimi i të cilave asnjëra nuk është nen 70 mijë euro, janë veçse një ofendim për qytetarin e Kosovës”, u shpreh Ahmeti.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Ministrisë së Financave i hedhin poshtë këto deklarata, duke i cilësuar si jo të sakta.

Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Financave, thotë se gjithçka që është shpenzuar në vitin 2010, por edhe në muajt e parë të këtij viti, është në kuadër të planeve të parapara me buxhetin e Kosovës.

“Nuk mund t’i komentoj partitë politike, apo edhe Vetëvendosjen. Ata shprehen ashtu siç ata e mendojnë. Faktikisht, realiteti është ndryshe. Raporti është i publikuar për vitin 2010 nga ministria, pasqyrat financiare janë dhe ato mund të shihen shumë qartë për çka kanë qenë të planifikuara dhe sa është shpenzuar”, deklaroi Shahini.

Megjithatë, Shahini tha se pajtohet me faktin se kohëve të fundit janë rritur shpenzimet sa i takon çështjes së karburantit. Lidhur me këtë ai shpjegoi:

“Normalisht që janë rritur (shpenzimet e karburantit), sepse janë bartur edhe kompetenca, janë krijuar edhe ministri të reja, janë krijuar organizma të rinj shtetërorë, që paraqesin shpenzime”.


Në konferencën për media të Lëvizjes Vetëvendosje, u tha po ashtu se asnjë institucion qeveritar nuk e di se sa vetura në total i ka gjithë Qeveria e Kosovës.

Lidhur me këtë çështje as zyrtari i Ministrisë së Financave nuk mundi të japë një përgjigje.
XS
SM
MD
LG