Ndërlidhjet

Zhdukja e analfabetizmit më 2015?!


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Është folur shumë për analfabetizmin në Kosovë dhe kjo dukuri ka qenë çështje e debatuar nëpër forume nga më të ndryshmet.

Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), shkalla e analfabetizmit në vend është mbi 6 për qind. Thuhet se ky numër mund të mos jetë i saktë, për shkak të mungesës së regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë.

Besa Bytyqi, zyrtare në MASHT, thotë se shifra më precize rreth pranisë së analfabetizmit priten pas publikimit të të dhënave të sakta nga procesi i regjistrimit. Vetëm atëherë, sipas saj, do të mund të punohej në projektet për zbehjen e kësaj dukurie.

“Në bazë të disa hulumtimeve që janë bërë, ekziston shifra prej 6% e analfabetizmit në vend, ndonëse kjo nuk mund të merret si e saktë. Po të kishim shifër të saktë, do të na ndihmonte në hartimin e projekteve për gjithëpërfshirje të popullatës në arsimim”, thotë Bytyqi për Radion Evropa e Lirë.

Violeta Krasniqi është 40-vjeçare dhe për arsye të ndryshme nuk ka ndjekur asnjëherë shkollën. Ajo tani është përfshirë në programin e UNICEF-it për zhdukjen e analfabetizmit.

“Unë kam ditur shkrim-lexim edhe më herët, i kam mësuar vetë shkronjat, por këtu po mësoj edhe më mirë. Nuk kam shkuar kurrë në shkollë. Për herë të parë jam përfshirë në këtë program dhe është shumë i mirë”, thotë Violeta.

Sipas Objektivave të Mijëvjeçarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kanë mbetur edhe 4 vjet që Kosova të eliminojë analfabetizmin, dukuri kjo e cila, sipas ekspertëve, me strategjitë aktuale të Qeverisë për arsim, vështirë se mund të eliminohet për një periudhë të shkurtër kohore.

Halim Hyseni, nga Qendra Kosovare për Edukim, thotë se shkalla e analfabetizmit është tejet e lartë për t’u eliminuar deri në vitin 2015.
Kosova e zë vendin e parë me numër të analfabetëve. Gjinia femërore është më e prekur.

“Sipas hulumtimeve të bëra, analfabetizmi arrin në 6%, edhe pse unë mendoj se kjo shifër është shumë më e madhe. Kosova e zë vendin e parë me numër të analfabetëve. Gjinia femërore është më e prekur. Unë jam i bindur se kjo shifër nuk do të mund të zhduket deri në vitin 2015, sepse cilësia e nivelit të arsimit në Kosovë është e ulët. Kjo e fundit gjeneron me analfabetë të rinj”, thotë Hyseni.

Skeptikë janë edhe ekspertët e arsimit. Njëri nga ta është Jonuz Salihu.

“Besoj se jemi larg zhdukjes së analfabetizmit, për arsye se analfabetizmi klasik nuk ka shënuar rënie, kurse analfabetizmi funksional po rritet. Një numër shumë i madh i fëmijëve mbesin jashtë bankave shkollore, ndërsa testi i arritshmërisë dhe testi i maturës tregojnë se cilësia e arsimit te ne është shumë e ulët”, thotë Salihu.

Ndonëse, sipas tij, ekziston një bazë e mirë legjislative, Ligji për arsimin fillor e të mesëm dhe ai për arsimin e të rriturve nuk po zbatohen.

Ligjvënësit kosovarë, përmes një rezolute, në vitin 2008 kanë miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara.

Atëbotë, ata janë zotuar se së bashku me Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, do t’i përmbushin tetë objektivat e kësaj deklarate, përfshirë analfabetizmin.
XS
SM
MD
LG